Kulturë

Qenia politike shqiptare

Një arkeologji në mendësinë politike të shqiptarëve

Më 1955, një politikan shqiptar me titullin ‘bej’ dhe një baroneshë gjermane me titullin ‘von’, nisin të shkruajnë së bashku në Romë një studim mbi historinë e Shqipërisë gjatë sundimit osman. Ata njiheshin prej gjysmë shekulli, që nga viti 1905, kur për shkak të problemeve mentale, Marie Amelie von Godin ndërmorri një udhëtim me vëllaun e saj Reinhard, nëpër Greqi dhe Perandori Osmane, gjatë të cilit u njoh me Eqrem Bej Vlorën, atë kohë i sapo doktoruar për drejtësi në Stamboll. Që nga viti 1908, kur Maria Amalia – siç shkruhej ndonjëherë – e vizitoi Eqremin në Shqipëri, lidhja e tyre u shndërrua në një miqësi të mbyllur. Teksa kjo shkrimtare gjermane – që me përvojën e saj në Shqipëri qe kthyer në një albanologe që e njihte shumë mirë botën shqiptare – shtypte tastet e makinës së shkrimit në Romë, ajo dhe Eqremi tashmë po bashkëjetonin ditët e fundit të dashurisë së tyre të pakurorëzuar. Pinjoll i familjes Vlora, ndër më të pasurat nga oxhaqet shqiptare – siç quheshin familjet aristokrate shqiptare të periudhës së vonë osmane, – Eqremi qe edukuar fillimisht me mësues privatë në pallatet e Vlorajve, para se të mbaronte studimet liceale dhe universitare në Akademinë Orinetale Perandorake Theresianum në Vjenë. Sekretar në Ministrinë e Jashtme Osmane, komandant i batalionit të Vlorës gjatë Luftës së Parë Ballkanike, zëvendsëpresident i Pleqërisë, sekretar dhe përkthyes i Princ Wilhelm Wied-it, deputet i Vlorës në Paralamentin Shqiptar, diplomat i ngarkuar në Londër dhe Athinë, sekretar në Ministrinë e Jashtme Shqiptare, ministër për Kosovën në vitet 1942-43 në qeverinë koloboracioniste të Mustafa Krujës, Eqrem Bej Vlora gjendej në Romë si emigrant politik, ku kishte mërguar pas ardhjes së komunistëve në pushtet në Shqipëri.

“Auch darf nicht übersehen warden, dass der Albaner gern einer starken Fuhrung folgt – darin dem Deutschen nicht unahnlich – besonders solange diese Fuhrung seines eigenen Wesens, alsi wirklich albanisch ist.”[1]

Eqrem Bej Vlora

Image

Në faqen 289 të dorëshkrimit të kësaj vepre, politikani shqiptar njofton se më 22 shkurt 1956, Amelia kishte vdekur në Munich dhe se pjesa tjetër e veprës është shkruar vetëm prej tij. Duke ia shtuar edhe 910 faqe të tjera që ai i shkroi më pas, ky studim arriti në 1200 faqe. I titulluar “Beiträge zur Geschichte der Türkenherrschaft in Albanien: eine historische Skizze”, ai ka ngelur ende i pabotuar[2] pasi që në kohën kur u shkrua, Südost-Institut[3] në Munich të Gjermanisë, vlerësoi që për botimin e tij nga instituti, pjesa thelbësore e kësaj vepre duhej ndryshuar, sepse në të Eqremi kishte shkelur nëpër tokë të rrëshqitshme. Duke u nisur nga kjo, Felix von Schroeder nga ky institut, e bindi Eqremin të bënte pikërisht atë që ai nuk dëshironte, të shkruante kujtimet e tij. Kur vdiç më 30 mars 1964, Eqremi kishte arritur të shkruante kujtimet për vetëm gjysmën e jetës, duke rrëfyer përjetimet vetëm deri në vitin 1925.[4]

Të përkthyera më pas prej gjermanishtes në shqip, këto dy vepra voluminoze që së bashku shkojnë në dy mijë faqe, shpalosën për publikun shqiptar një personalitet te vepra politike dhe ajo e shkruar e të cilit është gravuar bota shqiptare e fundmodernitetit, me pamjen e një tabloje që përcjellë një varg pistash rrëfimi dhe mendimi shumë autentike për historinë politike të shqiptarëve. Ajo çfarë ka shkruar Eqremi, ndoshta i fundit politikan shqiptar që mbante titullin e beut, mbase është burimi tekstual joshkencor më gjithëpërfshirës dhe më i aftë për të kuptuar logjikën dhe botëkuptimet e shqiptarëve të fundshekullit të XIX dhe fillimit të shekullit të XX. Me një formim kulturor superior për kohën dhe përvojë të gjatë në jetën politike, Vlora shpërfaq në veprën e tij të shkruar një mprehtësi dhe kthjellësi mendimi unikale në mendimin politik shqiptar, të shoqëruar me një sinqeritet dhe empati delikate përkarshi publikes shqiptare. Autenticiteti dhe thellësia e rrëfimeve të beut vlonjat në këto dy vepra dy volumëshe, i kanë kompleksuar dhe sikletosur edhe katedrat dhe institutet e historisë në Tiranë dhe Prishtinë. Aq më tepër që më shumë se një shekull pas shkëputjes së shqiptarëve nga Perandoria Osmane, ajo që Eqremi e quajti me modesti një “Ndihmesë për historinë e sundimit turk në Shqipëri” dhe që madje e klasifikoi thjesht si një “skicë historike”, ka mbetur ende teksti më gjithëpërfshirës për historinë e shqiptarëve gjatë sundimit osman.

Rrëfimet e shkruara të Eqrem Vlorës nga përkujtimet e përjetimeve të tij, janë një vepër fort e pasur dhe një rrugë e përshtatshme për të depërtuar në botën e shqiptarëve të modernitetit të vonë. I qendërzuar rreth një fraze politike të nxjerrë nga vepra “Ndihmesë për studimin e sundimit turk në Shqipëri: skicë historike” ky tekst është një përpjekje për të çelë shteg mes barishteve që mbulojnë trevat e historisë politike shqiptare, në kërkim të çelnajës[5] së qenësorit politik shqiptar, si shpalosje e qenies politike të një populli.

Duke shkruar për zemërimin që shkaktonte mes shqiptarëve rekrutimi me forcë në ushtrinë osmane gjatë viteve të 40-ta të shekullit të XIX, Eqrem Vlora thekson:

“Në këtë rast nuk duhet lënë pa përmendur që shqiptari shkon me dëshirë pas një udhëheqjeje të fortë – duke shëmbëllyer në këtë pikë me gjermanët, – sidomos kur kjo udhëheqje është e njjëtë me qenien e tij, pra është me të vërtetë shqiptare.”[6]

Kjo frazë problematike, e shtrirë këtu në tre rreshta, mbase përmbledh thelbin e sjelljes politike të shqiptarëve, përbrenda botës së qenies politike të tyre si popull, më tutje si komb. Teksti i kësaj fraze dhe konteksti për dhe në të cilin është shkruar ajo, mund të merren si nxitje për shtrimin e disa pyetjeve të lidhura mes tyre, e që rrotullohen përreth strumbullarit të një nevoje shoqërore të publikes shqiptare: njohjes së qenies politike të shqiptarëve.

Qenia politike shqiptare, është fryma e veprimeve politike të shqiptarëve. Vendshpalosja e saj është sfera publike e hapësirës së jetës së shqiptarëve, kurse ështësia e kësaj qenieje, ka një zgjatje të pafillimt nga e kaluara e shqiptarëve drejt të tashmes së tyre, me një ecje hapëruese të papërfundueshme kah e ardhmja politike e popullit që e bartë atë. Duke qenë se shqipja është shtëpia në të cilën banon kjo qenie, forma e shkruar e kësaj gjuhe, është plani arkitektonik përmes të cilit më së pari duhet synuar ndriçimi i qenies politike shqiptare. Vetë ky tekst, është një përpjekje sipas kësaj logjike, aq më tutje që trungu i tij po ashtu është brenda gjuhës së shkruar, përkatësisht një frazeje politike. Duke ju referuar këtij teksti brenda vetë tij përmes titullit që ai mban në krye, “Qenia politike shqiptare” është një nismë si përpjekje, për të ecur fushave të hitosrisë politike shqiptare, me qëllimin për të çelë shteg në to dhe me shpresën për të nxitur e tërhequr të tjera ecje a ndoshta ekspedita, në kërkim të zbulimit të qenies politike shqiptare edhe përtej shtrirjes dhe manifestimit të saj. Si një përpjekje teorike në rrafshin e mendimit, e artikuluar në formë të shkruar, kjo nismë-ftesë e fletëpalueshme, natyrshëm është e drejtuar kah një mendim tjetër, këtu në formën e një fraze politike brenda një vepre të shkruar, e zgjedhur arbitrarisht mes shumë veprash e autorësh të tjerë, por vetëm pasi kjo vepër dhe autori i saj, janë parë dhe gjykuar si përmbledhëse shumëpërfshirëse të gjithnajës politike shqiptare.

E parë nga lart të shkruar në formën e një rrethi të përqendruar, fraza politike e përzgjedhur si fara prej të cilës ngjizet ky shkrim, dukshëm të mundëson të tematizosh një varg çështjesh që qarkullojnë nëpër botë-formueshmërinë kurrë të përfunduar të qenies politike shqiptare.

1.

“Në këtë rast …” vjen e shkruar për një kontekst historik ku autori flet për rezistencën që shqiptarët i bënë reformës së njohur si Tanzimati, – shpallur më 3 nëntor 1839 përmes “Hatti-sherifit të Gylhanes”, nga sulltan Abdyl Mexhidi – reformë kjo për centralizimin e pushtetit osman e që përkon me periudhën nga viti 1839 deri më 1876. Kryengritjet aq të shumta në numër të shqiptarëve ndaj kësaj reforme, që siç thotë autori zbatimi i saj “do t’i hiqte Shqipërisë çdo jetë të veten”, tregon për një vetëdije dhe organizim politik të shqiptarëve gjatë kësaj periudhe, gjë që e nxjerrë të gabuar bindjen aq të përhapur dhe përgjithësuese sot, se shqiptarët kanë qenë naiv ndaj politikës dhe të paaftë për të përballur historinë e tyre. Mospërputhja mes historisë së vërtetë të shqiptarëve dhe përfytyrimit kolektiv që ata kanë për historinë e tyre, më shumë se sa të qenit nxënës të dobët të historisë, tregon për mësime të pasakta me të cilat janë shërbyer. Andaj, nevoja për njohjen e historisë së shqiptarëve prej shoqërisë shqiptare, bashkë me nevojën për studiues me përgatitjet e duhura kërkon dhe një konceptim të kësaj historie përtej zbulimit dhe radhitjeve të të dhënave faktorgrafike. Sa e njohin shqiptarët historinë e tyre?!

2.

“...shqiptari shkon me dëshirë pas një udhëheqjeje të fortë”

Kjo është shprehja që Eqrem Vlora përdor për të artikuluar përfytyrimin që shqiptarët kishin (kanë?) për veten. Këtu, ai del si përfytyrimi i një populli që e mendon veten të fortë, prej nga, për të ndjekur përaktësisht mbështetur udhëheqjen e tij, ajo duhet të jetë po ashtu e fortë. Në vazhdim të shtjellimit të mendimit të tij se shqiptarët janë besnikë ndaj liderëve të tyre nëse ata janë të fortë, Vlora e shtron këtë lloj teze edhe drejt kohërave të sotme përkarshi kohës kur ai shkroi se “në vështrim të kësaj vetie të popullit shqiptar, udhëheqësit mbajnë përgjegjësi të madhe dhe në të ardhmen ata do të ngarkohen me faj të rëndë në qoftë se nuk i kanë përdorur në të mirë të vendit të gjitha mundësitë që u janë ofruar”[7]. Gjendja e shqiptarëve sot, si populli më i varfër në Europë dhe me të ardhmen më të amullt politike të këtij kontinenti, flet për një të kaluar politike me plot gabime dhe qorrsokaqe. Romanthi “Qorrfermani”[8] i Ismail Kadaresë, në të cilin një ferman i sulltanit osman për qorrimin e të gjithë atyre që e kishin syrin e keq, bëhet shkak për një fushatë terrori përndjekjejesh për qorrim dhe kallëzimesh të syve të këqinj, megjithëse brenda një vepre letrare, paraqet një parabolë fort provokuese për absurditetet e të kaluarës politike të shqiptarëve. Mosdukja e ndonjë parapamje të sigurt politike me mirëqenie sociale në horizontet kah shikojnë sot shqiptarët, tregon që gatishmëria e shqiptarëve për të ndjekur politika të forta ka mbetur edhe më tutje një forcë e pashfrytëzuar dhe për më tepër e keqpërdorur. Si mund të kenë shqiptarët një udhëheqje të fortë?

3.

“ – duke shëmbëllyer në këtë pikë me gjermanët, – “

E futur brenda kësaj fraze si një parantezë, ajo tregon që prirja e shqiptarëve për të dëshiruar dhe për t’ju bindur një udhëheqjeje të fortë, autorit i shëmbëllen me të njëjtën prirje të shfaqur nga populli gjerman. Ky përkim prirjesh a shijesh politike mes këtyre dy popujve, duket të jetë ruajtur edhe sot. Sjellja shembullore e diasporës shqiptare prej qytetarësh të ndershëm përkitazi shtetit gjerman dhe ambientimi i shpejtë i shqiptarëve të mërguar në shoqërinë gjermane, mund të lexohet si një rezultat i natyrshëm i përputhshmërisë së logjikës – qoftë dhe të pavetëdijshme – shqiptare me atë gjermane për shtetin si një shtëpi e kombit që duhet të përshtatet me përfytyrimin që banorët e kësaj shtëpie kanë për veten. Madje, kjo ka bërë që shqiptarët të pyesin shpesh herë veten se si duhet kuptuar ky lloj transformimi gati i atypëratyshëm i tyre: të njëjtit njerëz që nuk kanë respekt ndaj udhëheqjes së tyre në Shqipëri a Kosovë, tregohen aq të bindur dhe komod ndaj udhëheqjes të përjetuar si mënyrë jetese në Gjermani?! Çfarë mund të mësojnë për politikën shqiptarët nga gjermanët?

4.

“…sidomos kur kjo udhëheqje është e njjëtë me qenien e tij, pra është me të vërtetë shqiptare.”

Nëse të qenit e fortë është parakushti i një udhëheqjeje për tu ndjekur nga shqiptarët, thelbi që duhet patur ajo për të gëzuar këtë mbështetje në gjithë plotninë e saj, është njëllojshmëria e saj me atë të shqiptarëve. Fjala gjermane ‘wesens’ e përdorur këtu nga Eqrem Bej Vlora, ka kuptimin e ‘qenies’ dhe të ‘llojit’. Pra, që një udhëheqje të ketë mbështetjen e plotë të shqiptarëve, ajo duhet të jetë e të njëjtit lloj me vetë shqiptarët, përkatësisht e njëjtë me qenien shqiptare. Parehatshmëria, pakënaqësia, indinjata dhe revolta që shqiptarët kanë me dy shtetet e tyre prej republikash parlamentare sot, shpërfaq mospërputhshmërinë e qenies shqiptare me qenien e shteteve të tyre. Shqiptarët dhe shtetet e tyre nuk janë të njëllojt. Shtetet shqiptare nuk i flasin popullit shqiptar dhe anasjelltas: Republika e Shqipërisë me elitat politike të kriminalizuara dhe Republika e Kosovës me artificialitetin e natyrës së saj shtetërore, nuk e reprezentojnë as si përfaqësim dhe as si përfytyrim popullin shqiptar. Shtetet e shqiptarëve, sot, në masë të madhe nuk janë shqiptare. Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës nuk shqiptohen nga shqiptarët. Për më tepër, shqiptarët nuk mund të shqiptohen nga të tjerët përmes këtyre dy republikave. Nëse gjatë shekullit të XVII shqiptarët e ndryshuan emrin e tyre të vetëidentifikimit nga ‘arbër’ në ‘shqiptar’, pikërisht mbi kriterin e kuptimit, përkatësisht të shqiptimit, ku shqiptarë ishin vetëm ata arbërorë që mund të shqiptoheshin mes tyre, shtetet shqiptare sot nuk janë krejtësisht të shqiptueshme për popullin e tyre shqiptar. Përderisa Gjermania për gjermanët është Bundesrepublik Deutschland, si republika e parë e popullit deutsch, siç e quajnë veten gjermanët, – dhe ku për një përkim tjetër fjala ‘deutsche’ ashtu siç ajo ‘shqiptoj’ do të thotë ‘të kuptosh’ – sa shqiptare janë shtetet e shqiptarëve sot? A kanë dy repbulikat e shqiptarëve me të vërtetë qenie shqiptare?

Image

5.

Qenia e politikanit shqiptar

Fraza politike e Eqrem Bej Vlorës e përzgjedhur për këtë shkrim, lë të kuptohet se ky politikan kishte formim politik të qenë dhe aftësi për të prodhuar mendim politik autentik. E lënë në harresë duke mbetur e pabotuar për shumë vite dhe e patematizuar në sferën publike shqiptare, kjo frazë me historinë a fatin e saj, i përgjigjet vetë fatit të qenies politike shqiptare që po ashtu ka rënë në harresë. Kur u shkrua kjo frazë, autori i saj ishte një emigrant politik që si një ish-ministër kuisling, kishte ikur nga Shqipëria kur komunistët po vinin në pushtet. Nëse totalitarizmat e shekullit të XX e mërgonin politikanin, totalitarizmi mendor – aq i dukshëm mes liderëve gjysmëautoritarë ballkanikë, – e mërgon sot mendimin politik nga politikja shqiptare. Ndodh aq rrallë, sa nëse qëllon të dëgjosh deputetët shqiptarë duke iu referuar filozofive politike, shkencave sociale a teorive ekonomike gjatë mbledhjeve në kuvend, pa dashakeqësi, e ke të vështirë ta përcaktosh nivelin e sinqeritetit të tyre. Teksa kujton kulturën politike të politikanëve shqiptarë dhe varfërinë e debateve në kuvendet në Tiranë dhe Prishtinë, natyrshëm shtrohet pyetja: a kanë politikanët shqiptarë mendim politik?

6.

Shqyrtimi i kujtesës kolektive

E shkruar brenda një skice historike për kohën e sundimit osman si një periudhë e përfunduar, kjo frazë dhe vepra në tërësi brenda të cilës lexohet ajo, mund të shihet si një shembull i nevojës për të shqyrtuar kujtesën kolektive duke sqaruar të kaluarën historike. Gati 30 vjet pas rënies së komunizmit në Shqipëri dhe Kosovë dhe rreth 20 vjet pas trazirave të ’97-ës në Shqipëri e luftës së 99-ës në Kosovë, shqiptarët ende nuk janë sqaruar me këtë të kaluar të tyre. Krimet dhe trashëgimia e periudhës së komunizmit shqiptar dhe atij jugosllav, kanë mbetur të padëshmuara dhe të pagjykuara, duke rënduar si neuroza në të pavetëdijshmen kolektive të shqiptarëve. Shtetet shqiptare si tërësi institucionesh ku merren vendimet politike dhe vetë shqiptarët si qytetarë me vetëdije e angazhim politik, nuk e kanë ndjekur thuajse aspak traditën europiane të njohjes së historisë dhe dimensionit historik që duhet të përmbajnë politikat e një shteti. E thënë shkurt dhe në shqip, qeveritë në Tiranë dhe Prishtinë janë shpërfillëse e moskokëqarëse ndaj historisë dhe politikat e tyre të zhveshura prej saj. Të shqyrtohet historia e qenies politike shqiptare!

7.

Kumti i padëgjuar

Duke kthyer pas kokën me shikim shtegut të hapur gjatë kësaj ecje tekstuale nëpër fushat e shkruara të historisë politike shqiptare, qëllimi i saj bëhet i dukshëm. Ai është zë për zë: një thirrje për të dëgjuar kumtin e kësaj fraze. Po të ishte zë për vesh, ai do të mjaftonte të përceptohej duke u dëgjuar. Por duke qenë kumt, ai ka nevojë për një konceptim. Në përmbyllje të kësaj ecje, të kthyer në vendin e nisjes së saj, jehona e kumtit të sjellë prej andej, është ajo e një thirrje për t’ju kthyer vetes: të dilet nga harresa e qenies kolektive, për të nxjerrë në dukje n’log të publikes shqiptare, qenien politike të shqiptarëve, për Eqrem Bej Vlorën, “popull fatkeq, por me shumë vlera” (“…peuple malheureux, mais valeureux”[9]). Për një përjetim autentik të çelnajës së qenies politike shqiptare! Durim Abdullahu[10]

 

[1] Eqrem Bej Vlora, Beiträge zur Geschichte der Türkenherrschaft in Albanien: eine historische Skizze, dorëshkrim në version PDF, f. 767.

[2] I shkruar në gjermanisht, varianti origjinal i dorëshkrimit nuk është botuar ndonjëherë deri më sot, ndërsa me nismën e albanologut Robert Elsie, që një kopje të këtij dorëshkrimi e kishte gjetur te Armin Hetzer nga Universiteti i Bremenit, kjo vepër u përkthye në shqip dhe u botua në Tiranë më 2010; shih: Eqrem Bej Vlora, Ndihmesë për studimin e sundimit turk në Shqipëri: skicë historike, vëllimi 1 & 2, përktheu: Afrim Koçi, Tiranë: Shtëpia Botuese 55, 2010.

[3] I themeluar më 1930 në Mynhen, Südost-Institut është një institut për studimin e historisë së Evropës Juglindore.

Kujtimet e Eqrem Bej Vlorës u botuan me titullin “Lebenserinnerungen” në Munich në dy vëllime, më 1968 dhe 1973. Ato u zbuluan nga botuesit shqiptar dhe u botuan vetëm më 2003; shih: Eqrem Bej Vlora: Kujtime (1885 – 1925), përkth. A. Koçi, Tiranë Instituti i Dialogut dhe Komunikimit, 2010.

‘Çelnaja’ ka hyrë në letrat shqipe si një neologjizëm e shpikur nga studiuesi i filozofisë dhe përkthyesi Orgest Azizi, i cili e përdori këtë term si titull për përkthimin e tij në shqip të veprës së filozofit italian Giorgio Agamben, “L’aperto, l’uomo e l’animale” dhe këtu përdoret po sipas kuptimit që ai i ka dhënë kësaj fjale; shih: Giorgio Agamben, Çelnaja: njeriu, kafsha, politika, përkth. O. Azizi, Tiranë: Zenit Editions, 2005.

[6] Eqrem Bej Vlora, Ndihmesë për studimin e sundimit turk në Shqipëri: skicë historike, përkth. A. Koçi, Tiranë: 55, 2010, f. 40.

[7] E. Bej Vlora, Ndihmesë…, vep. cit., f. 41.

[8] Ismail Kadare, Qorrfermani, Tiranë: Onufri, 1999.

[9] Eqrem Bej Vlora, Ditar: nga Berati në Tomorr dhe kthim, përkth. A. Koçi, Tiranë: Koçi, 2003, f. 9.

[10] Autori është gazetar dhe historian, asistent në Departamentin e Antropologjisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës.