Kulturë

Qendrës Kinematografike i mbështillet filmi, hap çerek konkursi

Të enjten pasdite institucioni më i lartë kinematografik i vendit ka hapur konkurs për film të metrazhit të gjatë – artistik, mbi 60 minuta. Për kategoritë e tjera pritet të ketë konkurs vitin tjetër. Kjo bën që viti 2024 të jetë i djegur

Të enjten pasdite institucioni më i lartë kinematografik i vendit ka hapur konkurs për film të metrazhit të gjatë – artistik, mbi 60 minuta. Për kategoritë e tjera pritet të ketë konkurs vitin tjetër. Kjo bën që viti 2024 të jetë i djegur

Me zvarritjet që e kanë mbërthyer tash e sa kohë, në fundvit Qendrës Kinematografike të Kosovës i është mbështjellë filmi. Më pak se tri javë pa përfunduar viti, ka kaluar konkursin për projekte filmike të cilin ka dështuar ta hapë me kohë edhe vjet. Por sivjet e ka hapur vetëm për film të gjatë, duke djegur dhjetë kategori të tjera prej filmit të shkurtër deri tek animacioni. Ka pasur 1.6 milionë euro, bilancet e suficitit dalin në fund të muajit. Drejtoresha e QKK-së, Blerta Zeqiri, ka thënë se “në fillim të vitit të ardhshëm do të hapet përsëri thirrja për të gjitha kategoritë”. “Në janar ose në shkurt më së largu”, ka thënë ajo të enjten

Qendra Kinematografike e Kosovës ka kohë që çalon në qëllimin ekzistencial: përkrahjen e projekteve filmike. Përderisa vjet nuk kishte hapur konkurs për mbështetje të projekteve kinematografike deri në dhjetor, sivjet për shumicën e kategorive s’do të ketë fare konkurs. Të enjten pasdite institucioni më i lartë kinematografik i vendit ka hapur konkurs për film të metrazhit të gjatë – artistik, mbi 60 minuta.

Për kategoritë e tjera pritet të ketë konkurs vitin tjetër. Kjo bën që viti 2024 të jetë i djegur. Jo vetëm me humbjen e ritmit, por edhe me buxhet. 1.6 milionë euro sa ishte buxheti për 2024, nuk shfrytëzohet për projekte të sivjetme. 

Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar se deri më 12 janar producentët mund të aplikojnë në thirrjen e hapur. 

“Dy filma të shkurtër ose një të gjatë nga regjisori dhe dy filma të shkurtër ose një të gjatë nga producenti”, janë referencat profesionale që kërkohen nga ata që ia mësyjnë kësaj thirrjeje. 

Vjet konkursi nuk ishte hapur deri në dhjetor me arsyetimin se rregulloret duheshin përshtatur Ligjit për Kinematografi që e ka zëvendësuar atë të vitit 2004. Asokohe drejtoresha e QKK-së, Blerta Zeqiri, kishte thënë se prej vitit 2024, QKK-ja planifikon të hapë dy konkurse brenda vitit, një në qershor e tjetri në nëntor.

“Është më e lehtë për filmbërësit që të aplikojnë kur kemi dy konkurse në vit. Ideja është që të jetë një konkurs në nëntor, në mënyrë që të mund të përfundojë procesi deri në mars, në mënyrë që filmat që përzgjidhen të mund të kenë kohë për të aplikuar nëpër fonde të tjera për bashkëprodhus. Në mars e në prill hapen konkurset nëpër botë”, kishte thënë Zeqiri. 

Por më 2024 institucioni që ajo e udhëheq s’ia ka dalë që as në dhjetor të hapë konkurs të plotë, por vetëm për film të gjatë artistik duke lënë jashtë 10 kategori. 

“Në fillim të vitit të ardhshëm do të hapet përsëri thirrja për të gjitha kategoritë. Në janar ose në shkurt më së largu”, ka thënë Zeqiri të enjten.

Sa i përket faktit se kategoritë e tjera po e humbin një vit, Zeqiri ka thënë se nuk beson që do të ketë diferencë më të madhe se dy muaj për hapje të konkursit të përgjithshëm në raport me vitin e kaluar. 

“Tash edhe proceset kanë me na ecë më shpejt, sepse vitin e kaluar ka qenë hera e parë që është punuar me ligj të ri e me rregullore të reja dhe neve na është dashur të përpilojmë çdo gjë nga e para – duke filluar nga ecuria e punës gjatë procesit e deri te përpilimi i kontratave të reja me ligjin dhe rregulloret e reja”, ka thënë ajo. 

Në këtë rast ka shtuar se tashmë bëhet fjalë për një proces nëpër të cilin është kaluar dhe do të jetë më e lehtë. Prapë e ka përmendur mundësinë për dy konkurse. 

“Akoma po punojmë dhe po mundohemi që të arrijmë të hapim konkurse dy herë në vit. Edhe vitin e ardhshëm do të punojmë drejt synimit që të arrijmë të hapim thirrje dy herë në vit”, ka thënë Zeqiri. 

Sa i përket konkursit aktual, ajo nuk ka treguar se sa mjete planifikon të ndajë QKK-ja. 

“Sipas legjislacionit në fuqi, në mbledhjen e parë të jurisë ia komunikojmë jurisë buxhetin që duhet ta ndajnë. Do të thotë diku në fillim të muajit shkurt”, ka thënë Zeqiri. 

Sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin që vjen QKK-ja në kategorinë e subvencioneve dhe transfereve do të ketë dy milionë euro. Sivjet i ka pasur 1.6 milionë euro. 

Sipas Zeqirit, për kineastët është shumë me rëndësi të ketë thirrje të shpeshta dhe janë duke punuar në këtë drejtim. Sipas saj, fusha e filmit tash do të ndihmohet shumë edhe nga Rregullorja e rabatit që parasheh kthim të investimeve të produksioneve të huaja për 30 për qind. 

“Do të thotë shumë filma munden me përfitu prej rabatit edhe me sjellë fonde shumë më shumë në Kosovë për realizimin e filmave tanë. Veç po lajmërohen, e po bëjnë pyetje produksionet lokale, të cilat kanë gjetur mënyra që me i rritë buxhetet e vogla të filmave të tyre përmes investimeve të huaja – me Rregulloren e rabatit”, ka thënë Zeqiri. Sipas saj, pothuajse të gjitha shtet evropiane kanë zvogëluar buxhetet për filmin, kurse Kosova veç po e rrit atë. 

Aktori e producenti Fatmir Spahiu ka thënë se nuk është në dijeni që shumica e kategorive do të mbesin pa konkurs për një vit. Sipas tij, lajm i mirë është që ka konkurs për film të metrazhit të gjatë artistik.  

“Për mua është e rëndësishme që të ketë sa më shumë konkurse. Ky është një superlajm për industrinë e filmit”, ka thënë ai. 

Regjisori Besim Ugzmajli ka thënë se QKK-ja e ka një problem jashtëzakonisht të madh e që është problem kyç, i cili ia pamundëson këtij institucioni të kthjellet për një kohë tepër të gjatë. 

“Filmbërësit që fitojnë këtë vit nuk e shfrytëzojnë atë buxhet brenda këtij viti, sepse provojnë të gjejnë edhe bashkëproducentë të tjerë e të përgatiten për xhirim e eventualisht të gjejnë edhe financime të tjera. Mjetet e ndara nga QKK-ja shkojnë në suficit dhe kur vjen koha me i kërku ato mjete praktikisht nuk i marrin të vetat, por të një viti tjetër”, ka thënë ai. 

Sipas Ugzmajlit, çdo vit QKK-ja financon filma që nuk xhirohen deri në 7 a 10 vjet dhe rrjedhimisht mjetet shkojnë në suficit. 

“QKK-ja ka hyrë në këtë cikël. Tash kanë hapur konkurs për të mos mbetur prapa, por jo për krejt kategoritë. Në konkursin e kaluar ka pasur goxha financim për filma të shkurtër. Filmi i shkurtër, pra, nuk dëmtohet shumë por duhet ide që mjetet e QKK-së të mos kthehen në suficit. Por edhe filmbërësit nuk duhet t’i shtyjnë xhirimet pafundësisht”, ka thënë ai. 

Prej muajit të kaluar shteti i Kosovës synon që të bëhet konkurrent krahas vendeve të tjera që u ofrojnë mundësi e lehtësira kompanive të mëdha kinematografike. Me këtë synim, Qeveria ka miratuar Rregulloren për të drejtën e rabatit. Kompanitë e huaja që investojnë dhe shpenzojnë drejtpërdrejt në Kosovë për projektet e tyre do të rimbursohen me 30 për qind të vlerës së investimit. 

Ta zëmë, nëse një kompani audiovizuale shpenzon në Kosovë 1 milion euro për film, serial, videolojëra a reklamë, shteti do t’ia kthejë 300 mijë euro. Ky hap ka pasur alamet promovimi nga Qeveria, përderisa komunitetin artistik deri diku e ka ndarë në dysh. Por për këtë mundësi duhet bërë goxha fushatë. E me fushata QKK-ja nuk i ka punët mirë. 

Tash e dy vjet s’ka kandidat për t’u nominuar për çmimin prestigjioz “Oscar”. Për sivjet mundësia është humbur pasi koha e shpalljes së kandidatëve ka qenë deri më 2 tetor.  E në shtator është mbajtur një konferencë për media e stilit “sa për sy e faqe”, për të thënë se Shqipëria ka kandiduar një film ku Kosova është bashkëproducente.

Institucioni më i lartë i kinematografisë nuk ka hapur fare konkurs nëpërmjet të cilit shtëpitë filmike do të propozonin filmat e tyre para Komitetit Selektues të “Oscar”. Ritmi i mbajtur për 9 vjet, në dy vjetët e fundit ka humbur krejtësisht. QKK-ja u është ofruar festivaleve vendore duke e rritur bashkëpunimin me to, në kohën kur Ministria e Kulturës ka rritur edhe buxhetin për këto organizata. Sa i përket dështimit të sivjetmë me kandidatin për nominim për çmimin prestigjioz “Oscar” në QKK nuk kanë dhënë kurrfarë përgjigjeje. E për vitin e kaluar, komiteti i emëruar nga QKK-ja kishte vendosur që të mos ketë kandidat.