Kulturë

Qendra kulturore-rinore turke pret ndërtuesin me 1.5 milionë euro

Përkundër gjashtë tenderëve të pranuar për ndërtimin e qendrës kulturore-rinore turke në Prizren, një dispozitë në Ligjin e Prokurimit Publik kërkon anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit. “Nuk kemi Operator Ekonomik të përgjegjshëm”, shkruan në pjesën e njoftimit dedikuar informatave shtesë. Vlera e parashikuar për këtë kontratë, sipas këtij njoftimi, është 1 milion e 550 mijë euro, përderisa planifikimet buxhetore për këtë projekt datojnë qysh prej vitit 2015

Aktiviteti i prokurimit për projektin e ndërtimit të qendrës kulturore-rinore turke në Prizren është anuluar. Në njoftimin e publikuar në sistemin elektronik të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik thuhet se vendimi mbi anulimin e procedurës është marrë më 6 janar 2023, dhe se përkundër gjashtë tenderëve të pranuar, një dispozitë në Ligjin e Prokurimit Publik kërkon anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit.

“Nuk kemi Operator Ekonomik të përgjegjshëm”, shkruan në pjesën e njoftimit dedikuar informatave shtesë.

Anulimi i këtij aktiviteti të prokurimit ka ardhur disa ditë pas raportimit të kryetarit Shaqir Totaj në Kuvendin e Komunës për punët e kryera në vitin 2022, me ç’rast kishte shprehur qëndrimin se së shpejti pritet nënshkrimi i kontratës për projektin e ndërtimit të qendrës kulturore-rinore turke.

Por zëvendëskryesuesi i Kuvendit të Komunës që vjen nga radhët e komunitetit turk, Levent Bush, është i bindur se aktiviteti i prokurimit për këtë projekt do të iniciohet sërish nga organet komunale.

“Jemi të sigurt që tenderi do të rishpallet dhe sipas procedurës do të kontraktohet operatori ekonomik për ndërtimin e Qendrës kulturore turke, një projekt ky shumë i rëndësishëm për komunitetin turk në Prizren”, ka thënë Bush.

Sipas të dhënave në sistemin elektronik të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, njoftimi për kontratë për këtë projekt ishte publikuar në tetor të vitit 2022. Vlera e parashikuar për këtë kontratë, sipas këtij njoftimi, është 1 milion e 550 mijë euro, ku ‘ndërtimi i Qendrës kulturore turke përfshin kompletimin e objektit të kësaj qendre, siç janë ndërtimet e vrazhda, instalimi i rrymës, ujësjellësit, kanalizimit, ventilimit, si dhe punimeve tjera të cilat e bëjnë këtë projekt funksional”.

Në korrik të vitit 2021 autoritetet komunale të Prizrenit dhe ata të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal patën nënshkruar marrëveshjen për bashkëfinancimin e këtij projekti.

Ministri i MZHR-së, Fikrim Damka, kishte thënë se Qendra Kulturore Turke është një projekt i pritur gjatë në Prizren.

“Nuk do t’i shërbejë vetëm komunitetit turk, por të gjitha komuniteteve që jetojnë në Komunën e Prizrenit. Do të jetë një qendër kulturore moderne. Besoj se do të jetë një vend ku prezantohet përbërja shumëkulturore e Prizrenit”, kishte thënë Damka, që vjen nga radhët e komunitetit turk në Kosovë. Sipas tij, ky projekt është vital për komunitetin turk në Prizren, që ka shumë shoqata kulturore-artistike në këtë qytet.

Ndërkaq kryetari i atëhershëm i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, kishte shprehur bindjen se së shpejti do të vihet guri themeltar për nisjen e ndërtimit të kësaj qendre e cila, sipas tij, do ta pasuronte bashkëjetesën në qytetin e vjetër.

“Prizreni si një qytet ku jetojnë shumë komunitete dhe kemi një bashkëjetesë të mirëfilltë, me këtë qendër do të pasurohet edhe me një qendër tjetër kulturore, e cila me siguri do të përdoret nga të gjithë”, qe shprehur Haskuka, duke treguar se projekti do të kushtojë rreth 1.1 milionë euro dhe se lokacionin do ta ketë te Parku për Inovacion dhe Trajnime, pasi kjo zonë është afër lagjes “Kurrillë”, ku edhe jeton një numër i konsiderueshëm i pjesëtarëve të komunitetit turk.

Ideja për ndërtimin e qendrave kulturore, një dedikuar komunitetit boshnjak dhe tjetra dedikuar komunitetit turk, është e moçme. Ndërsa planifikimet e para buxhetore për projekte të kësaj natyre janë bërë qysh në vitin 2015, me ç’rast në buxhetin e miratuar për vitin 2016, te Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ishin ndarë nga 50 mijë euro për ndërtimin e një qendre boshnjake dhe një qendre turke, duke paraparë mjete edhe për vitet 2017 e 2018.

Asokohe këto projekte qenë kundërshtuar nga opozitarët e caktuar, që patën konsideruar se në kohën kur po bëhen përpjekje për integrimin e komuniteteve, me këso lloj investimesh krijohen ndarje që vështirësojnë bashkëjetesën. Mirëpo, përfaqësuesit e komuniteteve patën shprehur bindjen se këto qendra janë të nevojshme për ruajtjen e identitetit, gjuhës dhe kulturës së komunitetit boshnjak dhe atij turk.

Në dhjetor të vitit 2015, lidershipi i atëhershëm komunal kishte vënë gur themelin për ndërtimin e Qendrës Kulturore Boshnjake. Kjo qendër është përuruar në verën e vitit të shkuar. Madje kjo ceremoni ishte realizuar nën hijen e përplasjeve politike. Zëvendëskryeministrja për çështje të pakicave dhe të drejtat e njeriut, Emilija Rexhepi, kishte vlerësuar se komuniteti i saj nuk e meriton një hapje me ceremoni modeste të kësaj qendre. Organizim më të mirë kishte pritur edhe Rasim Demiri nga koalicioni “Vakat” megjithëse kishte shprehur respekt për angazhimin e qeverisë komunale të drejtuar nga Shaqir Totaj për përmbylljen e projektit. Ndërsa drejtuesit e komunës kishin theksuar se më e rëndësishmja është që dyert e qendrës janë hapur për komunitetin boshnjak.

Në anën tjetër, edhe ideja për ndërtimin e qendrës kulturore turke disa herë është promovuar para opinionit nga përfaqësuesit e këtij komuniteti. Në të njëjtën kohë është bërë shkas edhe për përplasje mes subjekteve të ndryshme që përfaqësojnë komunitetin turk në nivelin lokal, bashkë me kërkesën për transparencë më të madhe rreth financimit dhe realizimit eventual të këtij projekti kapital.

Ministri Damka kishte konfirmuar se projekti për qendrën kulturore turke është promovuar disa herë, por që më në fund është realizuar një projekt final, që mund të jetësohet pas përmbylljes së procedurave të prokurimit sipas legjislacionit në fuqi.