Kulturë

Qendra Historike dhe Kalaja e Prizrenit presin kapitull të ri zhvillimi

Ka vite që përmenden e premtohen, por tek të enjten janë nënshkruar planet e menaxhimit për Qendrën Historike dhe për Kalanë e Prizrenit, në të cilat parashihen edhe hapa për vitet që tashmë kanë kaluar. Përkundër kësaj, këto dokumente janë cilësuar të domosdoshme për zhvillimin, ruajtjen dhe promovimin e këtyre aseteve të trashëgimisë kulturore

Janë dashur më shumë se katër vjet që të zyrtarizohet Plani i menaxhimit për Qendrën Historike të Prizrenit. Por prej të enjtes, kur edhe është miratuar ky plan dhe ai për menaxhimin e Kalasë së Prizrenit, është hapur rruga për zbatimin e tyre. Planifikohet që vitin e ardhshëm të nisë edhe zbatimi praktik i planit për rrugën “Marin Barleti” në Prizren, ku në qershor të vitit 2016 shkaku i shembjes së strukturave të një objekti vdiq katërvjeçarja Xheneta Gashi. E Ministria e Kulturës për dallim nga sivjet, për vitin që vjen ka planifikuar përgjysmë më pak buxhet për QHP-në, përderisa parashihet dyfishimi për rrugën “Marin Barleti”.

Si udhëheqësit institucionalë, ashtu edhe ata të organizatave joqeveritare e kanë parë të domosdoshëm fillimin e zbatimit të këtyre planeve të menaxhimit.

Qëllimi i Planit të menaxhimit për Qendrën Historike të Prizrenit – për të cilin janë paguar 50 mijë euro – është përcaktimi i politikave strategjike për mbrojtjen, administrimin dhe zhvillimin bashkëkohor të qëndrueshëm të Qendrës Historike të Prizrenit. Plani i menaxhimit 2019-2028 është dokumenti i pari i këtij lloji që hartohet për një qendër historike në Kosovë. Plani parasheh ndërhyrjen e shtetit në restaurimin dhe konservimin e ndërtesave që nuk janë në gjendje të mirë. Aty jepen rekomandime edhe për zhvillimin ekonomik nëpërmjet trashëgimisë kulturore. Rekomandohet ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe stimulimi i rivitalizimit të objekteve me destinim të paracaktuar që ndërlidhet me vlerat kulturore dhe historike të Prizrenit.

“Stimulimi i ringjalljes së artizanateve të vjetra duke krijuar sinergji me inovacion dhe teknologji moderne”, është një prej rekomandimeve. Funksionalizimi i zyrave turistike, themelimi i një klubi të ciceronëve turistikë e bashkëpunimi me qytetet në rajon për të siguruar pako të përbashkëta turistike, janë disa prej rekomandimeve. Deri në vitin 2028, sipas Planit, synohet zbatimi i projekteve të rigjenerimit urban, restaurimi i fasadave të ndërtesave në Qendrën Historike, me qëllim të ruajtjes së trashëgimisë kulturore. Në këtë zonë funksionojnë shumë biznese. Për to do të përpilohen udhëzime të detyrueshme për dizajnin e tarracës dhe fasadës, për të siguruar që kjo zonë të ketë pamje në linjë me trashëgiminë kulturore dhe historike.

Për Qendrën Historike të Prizrenit sivjet MKRS-ja ka ndarë 227 mijë euro. E 155 mijë të tjera janë ndarë për rrugën “Marin Barleti”. Sipas Projektligjit të buxhetit për vitin që vjen, për Qendrën Historike të Prizrenit janë planifikuar 100 mijë euro, kurse për rrugën “Marin Barleti” 250 mijë.

Plani i menaxhimit të Kalasë së Prizrenit është hartuar nga organizata “CHwB Kosova” qysh në vitin 2016. Ka pritur më shumë se katër vjet për miratim. Plani përshkruan gjendjen faktike të Kalasë dhe posedon planin e veprimit. Por Kalaja ka pësuar ndryshime nga ajo kohë, pasi vitin e kaluar u shpallën të përfunduara punimet restauruese prej 700 mijë dollarësh, fond i SHBA-së, prej të cilit është paguar edhe Plani. Pjesë e Planit të veprimit është krijimi i institucioneve që punojnë në prezantimin e monumentit, kërkohet rritja e numrit të botimeve shkencore, rritja e investimeve të jashtme në fushën e edukimit dhe hulumtimit, përmirësimi i qasjes në monument, të gjenerohen të ardhura nga vetë Kalaja në mënyrë që objekti të menaxhohet.

Para se të nënshkruajë këtë Plan të menaxhimit, ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, ka thënë se e veçanta e këtij procesi janë gjithëpërfshirja dhe transparenca e bartësve të këtyre hartimit nga organizatat joqeveritare me përvojë në fushën e trashëgimisë kulturore, “Ec më ndryshe” dhe “CHwB Kosova”, të mbështetura nga Ministria e Kulturës dhe nga institucionet e saj vartëse.

“Qendra Historike e Prizrenit vazhdon të mbetet prioritet i Qeverisë. Është hartuar projekti për ndërtesën e ish-Burgut në Prizren dhe jemi në procedurë përfundimtare për disa projekte në Prizren. Ne do të angazhohemi edhe në finalizimin e memorandumit për ndërtimin e Muzeut të filigranit”, ka thënë ministrja Dumoshi.

Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se Qeveria që ai udhëheq ka për synim që të mbështesë ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.

“Sot është ngjarje e veçantë, meqë me anë të këtyre dy planeve të menaxhimit, atij të Qendrës Historike të Prizrenit dhe atij të Kalasë së Prizrenit, po mundësohet ruajtja e trashëgimisë kulturore për brezat e ardhshëm”, ka thënë ai.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka thënë se si qytet historik, Prizreni nëse nuk e ruan trashëgiminë kulturore, nuk ka çfarë t’u prezantojë gjeneratave të ardhshme.

“Kemi problem në lidhje me UNESCO-n, për shkak të aspekteve ndërkombëtare. Por tash e tutje duhet të fillojmë të punojmë në dokumentim që një ditë kur të jetë e mundur të aplikojmë për Listën e trashëgimisë botërore. Një pjesë e Prizrenit është shkatërruar ndër vite, por ato që kanë mbetur duhet të ruhen. Dokumentet e sotme do të ndihmojnë në ruajtjen e ndërtesave”, ka thënë ai. Ka shtuar se shpreson që vitin që vjet të nisin punimet në rrugën “Marin Barleti” që t’i kthehet pamja e vjetër. Sipas tij, mirëmbajtja dhe restaurimi i shtëpive të vjetra kanë një kosto që nuk mund ta përballojnë pronarët e tyre, andaj duhet të jetë e pranishme edhe dora e shtetit.

Përderisa udhëheqësi i fondacionit “Lumbardhi”, Ares Shporta, ka thënë se ky plan i menaxhimit ka qenë shembull i jashtëzakonshëm i bashkëpunimit midis organizatave dhe institucioneve, drejtori ekzekutiv i “CHwB Kosova”, Sali Shoshi, ka thënë se tash mbetet që të bashkërendohen veprimet që duhet të zbatohen.

“Këto plane duhet të jenë funksionale. Shtresat tona kulturore duhet të ruhen dhe të jenë në shërbim të publikut. Planet e menaxhimit duhet të jenë në shërbim të të gjitha palëve dhe komunitetit duke ruajtur vlerat. Shpresoj të takohemi në zbatimin e këtyre planeve”, ka thënë Shoshi.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në vitin 2019, u zotua ta fillojë pjesërisht zbatimin e pjesëve të caktuara të projektit për rrugën “Marin Barleti”, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Një vit pas prezantimit të projektit ideor, Bashkimi Evropian e kishte hapur thirrjen për planin zbatues dhe mbikëqyrës të rrugës “Marin Barleti”. Në thirrjen që financohet me fondet “IPA 2016” është përfshirë edhe kinemaja “Lumbardhi”. Buxheti maksimal është 350 mijë euro dhe thirrja ishte e hapur deri më 4 qershor. Nënshkrimi i kontratës për planin zbatues është bërë në tetorin e sivjetshëm.

Projekti “Rivitalizimi dhe integrimi socio-ekonomik i komunitetit lokal në rrugën ‘Marin Barleti’” përfshin projektet e restaurimit për 14 ndërtesa të trashëgimisë kulturore dhe është udhëhequr nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren dhe nga organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe”. Është financuar nga MKRS-ja, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasada britanike dhe u mbështet edhe nga Komuna e Prizrenit. Hartimi i këtij projekti nisi në maj të vitit 2018 me nënshkrim të Letrës së Marrëveshjes mes pesë palëve nënshkruese. Ish-ministri Kujtim Gashi, vitin e kaluar u zotua që me rishikim të buxhetit të ndajë mjete për ta çuar përpara këtë projekt, por me rënien e Qeverisë edhe ky zotim ra në ujë.

Sa u përket planeve të menaxhimit, Ministria e Kulturës vazhdimisht është kritikuar për moshartimin e tyre. Qysh prej fundit të vitit 2016, kur një pjesë e lokalitetit arkeologjik të Ulpianës është shpallur Park Arkeologjik, i mungon plani i menaxhimit.