Kulturë

Qendra e mbyllur për Praktika Narrative kushtoi 850 mijë euro

“Gjatë viteve 2021-2023 kostoja e programit të restaurimit dhe pagave kanë qenë rreth 700 mijë euro. Shuma është siguruar nga partnerët si Luksemburgu me 400 mijë euro, Komuna e Prishtinës me 200 mijë euro e Ambasada e Holandës me 100 mijë euro. Gjatë vitit 2023 shpenzimet e Qendrës qenë rreth 150 mijë euro. Kjo shumë u sigurua nga fondacioni ndërkombëtar ‘Manifesta’ në Amsterdam me 72 mijë euro dhe Zyra Zvicerane për Bashkëpunim me 30 mijë euro dhe donatorë të tjerë”, ka thënë drejtoresha e “Manifestas”, Hedwig Fijen

Deri në 850 mijë euro shkojnë investimet për restaurimin dhe funksionalizimin e ish-ndërtesës së bibliotekës “Hivzi Sulejmani” për ta shndërruar atë në Qendër për Praktikë Narrative. Pavarësisht kësaj prej sot (premte) të paktën deri në maj kompleksi do të jetë nën dry. Mungesa e financave llogaritet arsyeja kryesore. Këtë e ka bërë të ditur vetë Qendra që është derivat i bienales nomade evropiane “Manifesta”.

Drejtoresha e “Manifestas”, Hedwig Fijen, në përgjigjet shtesë të enjten, ka thënë se synojnë që Qendrën ta rihapin në maj të 2024-s.

Ajo ka treguar se Qendra ka marrë fonde nga një sërë burimesh gjatë viteve, duke përfshirë ambasadat e Holandës, Luksemburgut dhe Zvicrës, si dhe partnerë të tjerë publikë. Krejt investimi në ish-ndërtesën e bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, sipas saj, kap shifrën e 850 mijë eurove.

“Gjatë viteve 2021-2023 kostoja e programit të restaurimit dhe pagave kanë qenë rreth 700 mijë euro. Shuma është siguruar nga parterët si Luksemburgu me 400 mijë euro, Komuna e Prishtinës me 200 mijë euro e Ambasada e Holandës me 100 mijë euro”, ka thënë ajo për KOHËN, në përgjigjen e radhës me shkrim. Komuna e Prishtinës këtë investim e kishte bërë krahas memorandumit nëpërmjet të cilit “Manifestës” ia ka dhënë hapësirën në shfrytëzim për pesë vjet prej vitit 2021.

“Gjatë vitit 2023 shpenzimet e Qendrës qenë rreth 150 mijë euro. Kjo shumë u sigurua nga fondacioni ndërkombëtar ‘Manifesta’ në Amsterdam me 72 mijë euro dhe Zyra Zvicerane për Bashkëpunim me 30 mijë euro dhe donatorë të tjerë”, ka thënë Fijen.

Në bazë të të dhënave të ofruara nga “Manifesta” 69 për qind e buxhetit për edicionin e Prishtinës është siguruar nga institucionet publike të Kosovës. Prej tyre 1 milion e 970 mijë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe 1 milion e 720 mijë nga Komuna e Prishtinës. Kurse 31 për qind e buxhetit, 1 milion e 600 mijë euro janë dhënë nga “Manifesta 14” nëpërmjet donatorëve.

“Manifesta 14 Prishtina”, që është mbajtur prej fundit të korrikut deri në fund të tetorit të vitit 2022, del të mos i këtë bërë mirë llogaritë për Qendrën për Praktika Narrative.

Nëpërmjet një raporti të prezantuar në qershor të vitit të kaluar, “Manifesta” pretendonte se shifra prej 20.2 milionë eurosh është ajo që llogariste si impakt ekonomik gjatë periudhës 100-ditore prej 22 korrikut deri më 30 tetor të vitit 2022, bazuar në rezultatet e nxjerra nga Instituti GAP. Të dhënat e publikuara nga vetë drejtoresha e bienales nomade “Manifesta”, Hedwig Fijen, tregonin për një numër të madh vizitorësh, ku numri shkon deri në 139 mijë. Për organizatorët, shifra si këto ishin dëshmi se “Manifesta 14” është ngjarja më e madhe kulturore që ka ndodhur në Kosovë që nga shpallja e Pavarësisë.

“Impakti total ekonomik i ‘Manifestas’ ishte 20.2 milionë euro dhe kthimi nga investimet publike ishte 4 herë më i madh, që do të thotë se për çdo 1 euro të shpenzuar nga institucionet publike, në institucione lokale ekonomike janë kthyer 4 euro”, kishte shpjeguar Fijen.

Rivitalizimi dhe rikthimi i hapësirës publike në Prishtinë përmes intervenimeve në 25 hapësira, duke përfshirë Fabrikën e Tullave, “Korridorin e Gjelbër”, hotelin “Grand” dhe Qendrën për Praktikë Narrative qe një prej qëllimeve të “Manifestas”. Fabrika e Tullave nuk ka mbetur e rivitalizuar aspak. Komuna planifikon që këtë ta bëjë me rreth dy milionë euro. Korridori i Gjelbër mbetet dështim më vete. E, Qendra për Praktika Narrative punon me “gjysmë orari”. Kurse për hotelin “Grand” e vetmja shenjë e “Manifestas” është instalacioni i Petrit Halilajt “Kur dielli të ikë do ta pikturojmë qiellin”, të cilin artisti ia ka falur shtetit.

“Krijimi i një trashëgimie afatgjatë për Prishtinën dhe banorët e saj në aspektin e infrastrukturës, politikave kulturore dhe rrjetëzimin ndërkombëtar; Zhvillimi i strategjive të programeve në fushën e edukimit dhe ndërmjetësimit kulturor me qëllim te forcimit të infrastrukturës lokale” ishin objektivat e tjera. Asnjë prej tyre nuk del të jetë arritur. E promovimi i Kosovës ndërkombëtarisht si vend për inovacion kulturor, turizëm dhe investime komerciale është bërë deri diku.