Është një prej ndërtesave nëpërmjet të cilave mund të ilustrohet historia e Kosovës në gjysmëshekullin e fundit. Epoka progresive e viteve ’70, tatëpjeta e ish-Jugosllavisë në fund të viteve ’80, represioni i viteve ‘90, lufta në Kosovë e deri te faqja e re pas qershorit të vitit 1999, kanë lënë gjurmët në hotelin “Grand”. E vendosur në qendër të Prishtinës, ndërtesa moderne ka vragat e historisë së re të këtyre anëve. E prej majit të këtij viti, hoteli ikonik i Prishtinës i ka bërë vend edhe një kapitulli tjetër, atij të “Barabar Centre”, (Qendra Barabar). Hapësira kulturore që ka zënë vend në katin e katërt në ndërtesës, ka për synim të jetë vend i ri që kontribuon në zhvillimin kulturor e shoqëror. Organizata “Integra” nga Prishtina e ajo “Casa” nga Mitrovica e Veriut janë bashkuar për t’i dhënë frymë një dialogu kulturor e shoqëror duke pasur emërues të përbashkët barabarësinë.
Aktivitetet që kanë nisur qysh në maj i përmbahen idesë fillestare. Stimulojnë tolerancën ndëretnike duke bërë që komunitet të njohin më mirë njëra-tjetrën. Sidomos shqiptarët dhe serbët. Në këtë frymë këtë muaj edhe është hapur ekspozita me titullin “I këndoj trupit elektrik, ushtritë e atyre që i dua” nën kurimin e Vesa Sahatçiut. Janë veprat e mbi 20 artistëve shqiptarë e serbë të Kosovës që hapin dimensione të ndryshme për trupin njerëzor. Shkojnë përtej anës fizike duke bërë që publiku të thellohet në dimensione të ndryshme të trupit. Kjo ngjarje e ka shndërruar hapësirën në një lloj muzeu të artit bashkëkohor. Por qëllimi është shumë më përtej.
Kushtrim Koliqi, i cili e udhëheq “Integran”, thotë se ideja e Qendrës është që të jetë një platformë e hapur, një ambient për të gjithë ata që ndajnë të njëjtat vlera dhe parime. Ai ka treguar se qëllimi ishte që të nisin me një projekt që është gjithëpërfshirës dhe krijon mundësi të dialogimit për të gjitha komunitetet.
“Nga momenti kur filluam të diskutonim për ‘Qendrën Barabar’ ne e dinim se na duhej një hapësirë fizike. Hoteli ‘Grand’ ka para së gjithash një histori me shumë shtresa, ka një kuptim simbolik për Prishtinën, por edhe për mbarë Kosovën. Hapësira infrastrukturore, atmosfera industriale që na ka ofruar hoteli ‘Grand’, disi u përshtat me vizionin tonë”, thotë ai për projektin e përkrahur nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK.
Simbolika e Hotelit është e fortë. I projektuar nga arkitekti Bashkim Fehmiu, ndërtesa, si hoteli më me nam në Kosovën si Krahina Autonome Socialiste e Ish-Jugosllavisë, do të përjetonte edhe fatin e ish-Federatës me 6 republika e dy krahina. Më pas do të shpërthenin luftërat në ish-Jugosllavi. E “Qendra Barabar” është opozitë e krejt diskriminimeve, prej atyre etnike deri te ato gjinore.

Miodrag Marinkoviq, i cili udhëheq organizatën “Casa”, thotë se “Qendra Barabar” është një pikë dinamike e komunitetit e dedikuar për avancimin e iniciativave që synojnë nxitjen e një shoqërie më të drejtë, rritjen e kohezionit social dhe ndërtimin e besimit në mesin e komuniteteve të ndryshme në Kosovë. Sipas tij, ky koncept inovativ shërben si një katalizator për angazhimin e drejtpërdrejtë dhe ndërveprimin ndërmjet akterëve të komunitetit, duke lehtësuar komunikimin dhe bashkëpunimin në kërkim të një shoqërie më tolerante dhe demokratike. Derisa ka folur për iniciativën, ka treguar se ka disa arsye të shkëlqyera për të vizituar dhe marrë pjesë në aktivitete në “Qendrën Barabar”. Përmend një gamë të larmishme programesh, duke përfshirë artin, kulturën, festivalet, ekspozitat dhe koncertet që mund të tërheqin interesin e një publiku të gjerë, veçanërisht të të rinjve.
“Është një hapësirë ku jo vetëm mund të kalojnë mirë, por edhe të promovojnë të tyren, talentet dhe pasionet e veta. Për më tepër, ‘Qendra Barabar’ organizon ngjarje specifike si debate të hapura, konferenca, panele diskutimesh dhe ligjërata. Këto iniciativa trajtojnë çështje të rëndësishme me të cilat përballet Kosova, si tensionet etnike, transicioni, drejtësia, të drejtat gjinore dhe më shumë”, thotë Marinkoviq. Qëllimi është që të tërheqin profesionistë, akademikë, aktivistë të të drejtave të njeriut, përfaqësues institucionalë e njerëz të pasionuar pas këtyre temave.

Kjo edhe është dëshmuar në ngjarjet e Qendrës. Midis tyre edhe në ekspozitën “I këndoj trupit elektrik, ushtritë e atyre që i dua”. Veprat që qëndrojnë të ekspozuara aty, megjithëse kanë në qendër trupin e njeriut, shkojnë përtej anës fizike duke bërë që publiku të thellohet në dimensione të ndryshme të trupit prej atyre gjinore, seksuale, shoqërore e deri te estetika.
Kuratorja e ekspozitës, Vesa Sahatçiu, përderisa ka shpjeguar titullin e ekspozitës shitëse, ka folur për trupin dhe shprehjet artistike që e kanë emërues këtë subjekt. Sahatçiu është ndalur te dallimi i trupave në dy shekujt e fundit.
“E dimë që kuptimi i trupit të njeriut në këtë shekull dallon konsiderueshëm me atë të shekujve të kaluar. Pa dashur të hyj në diskutime tejet abstrakte mund të thuhet se trupat e shekullit XXI janë të mbështjellë me një sërë identitetesh kulturore seksuale, etnike e gjinore si kurrë më parë e të cilat identitete hapin tema për të diskutuar për trupin e njeriut dhe krijojnë shansin dhe mundësinë që të arrijmë ta rimendojmë veten tonë dhe botën përreth nesh”, ka theksuar ajo. Grupi i artistëve të ekspozitës, sipas Sahatçiut, shtjellon trupin, njëri-tjetrin, dashurinë, shoqërinë, trupat e qenieve e specieve të tjera, dramat ditore, tundimet personale e tema të ndryshme. Veprat e artistëve si Jelena Krstiq, Besarta Hoxha e Altin Ibrahimi gërmojnë në atë drejtim.
Por dialogu kulturor është veç një prej shtyllave të Qendrës. Në fund të këtij muaji hapësirat e “Barabar Centre” kanë bërë bashkë personalitet si Veton Surroi, Dushan Janjiq, Bodo Weber, Isak Vorgucic e Jeta Krasniqin, për të diskutuar mbi temën “Dialogu në labirinth”, të cilët kanë diskutuar për mbarëvajtjen e dialogut që zhvillohet në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë. Diskutimet në kuadër të edicionit të sivjetmë të “Kosovo Theatre Shoëcase”, ekspozitat si ato të festivalit ndërkombëtar të fotografisë “Fotoist” e disa ngjarje të festivalit ndërkombëtar të filmit në Prishtinë, “PriFilm” kanë pasur për nikoqirë hapësirat e Qendrës. Më 30 gusht aty është shënuar Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve me Dhunë nëpërmjet një ekspozite, e po ashtu është përcjellë me diskutime. Në këtë rast arti është përdorur si mjet i ballafaqimit me të kaluarën. Pos këtyre, temat që përfshijnë rininë në kuadër të drejtësisë transicionale e deri te ato për komunitetet e margjinalizuara, po ashtu, zënë vend në “Barabar Centre”.
Krejt bashkë kanë kërkuar që dialogu e njohja e njëri-tjetrit të jenë synim i shoqërive, sidomos në kohë trazirash.
Të këtij mendimi janë edhe themeluesit e “Qendrës Barabar”.
“Në fund të fundit, ne shpresojmë që ‘Qendra Barabar’ të bëhet një shembull që Kosova mund ta kapërcejë imazhin e saj aktual të dominuar nga tensionet dhe konfliktet, duke demonstruar potencialin tonë për tolerancë, gjithëpërfshirje dhe ndryshim pozitiv”, thotë Miodrag Marinkoviq. Vetë fakti që një iniciativë e tillë ka zënë vend në hotelin “Grand” është dëshmi e gjithëpërfshirjes. Hoteli i historive të shumta, tash ofron edhe një qendër të barabarësisë.