Ëndërrimtar deri në frymën e fundit, Muharrem Qena pati fatin e atyre të paktëve që janë soji i tij: vetminë. Aktor, regjisor, dramaturg e këngëtar, me krejt larushinë e tij krijuese, mitrovicasi edhe sot vazhdon të ofrojë një larushi mundësish që, përmes shembullit të tij, të frymëzojë e të frymëzojë. “Teatri edhe dyshemenë e ka të shenjtë”, është vetëm një nga linjat e dialogëve të gjallë tok me situata ironike gjithëfaresh, që te shfaqja “La Rrém” e bëjnë të prekshëm profilin e antikonformistit që mëtoi përsosurinë
Gjendjet e dehura të njerëzve shpesh janë më të vërteta se gjithçka tjetër. Fjalët që gati lidhen në grykë, shpesh qesharakisht mezi të shqiptueshme, dhe heqja e çdo droje sjellin në një mënyrë komike ato që nuk thuhen në përditshmëri. Është një rast që i jep të drejtë fjalëurtës romake “in vino veritas” (në verë e vërteta).
Episode të tilla i të qenit tapë mund të jenë të vendosura në fillim, në mes ose kah fundi, porse theksi nuk është aty. Ato janë vetëm disa pjesë nga shumë sosh që e shpërfaqin një të vërtetë për një emër të pazakontë të skenës teatrore dhe këngës së lehtë shqipe. Me premierën e dhënë mbrëmjen e së hënës në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shfaqja “La Rrém”, nën regjinë e Kushtrim Koliqit, është shpalosur si rekuiem për artistin shumëpërmasor, regjisorin e këngëtarin, Muharrem Qena.
“Një performancë e çmendur”
Fiks 15 vjet pas vdekjes së tij nga hiri i kujtimeve të familjarëve, kolegëve e rrethit është artisticizuar në dramë muzikore një rrëfim shqeto për njeriun jonkonformist e jokonvencional të teatrit shqiptar e më shumë sesa kaq.
“Kjo është një performancë e çmendur në skenë”, është një nga linjat e dialogëve të rrëmbyer e të gjallë që përshkuan shfaqjen në gjithsejtin e saj.
Me skena erratike e performanca muzikore si fillesë, me kontraste gjendjesh nga ato më grotesket deri më të dhimbshmet, “La Rrém” është në njëfarë mënyre kronikë prapaskene për artistin krijues që gjakon përsosurinë dhe kërkon më të arrirën, madje edhe kur për të tjerët bëhet bezdisës.
Në kërkim të kaçurreles
Në një lojë që kërkoi sforcim për të ndjekur një rrëfim përtej biografik, shtatëshja e kastit të shfaqjes - Ernest Malazogu, Ylber Bardhi, Shengyl Ismaili, Arta Selimi, Flaka Latifi, Bujar Ahmeti dhe Tristan Halilaj – i ka dhënë ngjyra të forta emocionale asaj që në të gjallë të artistit të njohur ishte një mënyrë jetese në pasionin regjisorial në teatër.
Me tekst të dramaturgut Arian Krasniqi, “La Rrém” është një ecejake në gjithfarë situate për të zbuluar artistin antikonformist, jokonvencional, bohemin dhe dashnorin e veçantë.
Nuk janë vetëm evokimet për të pavdekshmin hit “Kaçurrelja” dhe as kërkimi për “kaçurrelen” gati legjendare që e bëjnë të dukshëm dashurinë e Qenës dhe pasionin e tij për artin e për të bukurën.
“Dua ta sjell hënën e yjet në teatër”, është një nga linjat kur kryepersonazhi i shfaqjes (i interpretuar nga Ernest Malazogu) e jep të vërtetën e tij prej profesionisti e të dashuruari pas skenës. Zaten kjo del të jetë arsyeja që jo të gjithë mund ta ndiqnin në kërkesat e tij të larta. “Na lidh për karrige derisa e mësojmë tekstin”, shpërthen plot ankesë njëra nga aktorët; “mua më tha ‘je hamall e nuk ke çka lyp në teatër’”, vijon tjetri, “Më tha që nuk di të eci”, pason tjetra ankesë.
Një vetmi solo
I lindur më 1930 në Mitrovicë, Muharrem Qena ishte aktori, regjisori, tekstshkruesi e këngëtari që la gjurmë me individualitetin e tij të pazakontë.
Janë të gjitha këto profile e interesime që në dramën “La Rrém” shkoqiten përmes dialogëve të shkathët, grimasave të humorit konstant e fort origjinal dhe evokimeve që rikrijojnë opusin e tij prej këngëtari e tekstshkruesi.
Vrulli dramatik e tensioni mund të mos jetë i pranishëm në krejt gjithsejtin e dramës dhe vende-vende mund të ngjajë edhe e tejzgjatur. Porse kjo kundërpeshohet nga momente “solo” të artistit të madh: vetmia e ndjesia e të qenit i braktisur dhe i pakuptueshëm kur “censura” bën gati gërshërët ose mbase edhe urdhëron që diçka të shfaqet e diçka jo, e mbi të gjitha rrethi i tij që nganjëherë bëhet i huaj. Dhe është një nga skenat ku deluzioni i artistit flet të vërteta edhe përmes emocionesh e shpërthimesh, edhe një “Të dua”.

Qena: “Gjithmonë është pamjaftueshëm për Muharremin”
Ka qenë bash kjo skenë që bashkëshortes së aktorit të njohur, Igballe Qena i ka ngjallur emocione për diçka që e kishte përjetuar dhe e kishte bashkëndarë.
“Ne si familje i kemi tejkaluar sa e sa momente, por gjithnjë duke i qëndruar në mbështetje njëri-tjetrit”, ka thënë Qena mes lotësh.
Duke folur për shfaqjen në një prononcim për KOHËN, ajo ka thënë se në skenë u kapën shumë momente të ngritjes dhe rënies së Muharremit jokonformist e përherë idealist.
“Kjo shfaqje mbështetet në fakte monografike, por sado që të bëhet gjithnjë është e pamjaftueshme për të”, ka shtuar aktorja Qena.
Përveç “Kaçurreles”, së kënduar e rikrijuar në dhjetëra motërzime, Muharremi ruajti tisin e të qenit bashkëkohor edhe më hite të tjera të njohura si “Shokut”, “Lamtumirë”, “Mine”, “Tetori” e të tjera. Plot syresh janë riinterpretuar në shtjellën e shfaqjes, duke tejçuar po njësoj frymën e të qenit bashkëkohor.
Koliqi: “Më shumë sesa reflektim biografie”
Si regjisor i rreth 200 shfaqjeve teatrale, Muharrem Qena ishte njeriu i lidhur deri në frymën e fundit me teatrin. Me “Ervehajën” mori 5 shpërblimet kryesore në Festivalin e Steries (Novi-Sad) më 1967, ashtu siç edhe shpërblime të tjera e rendisin ndër krijuesit më të suksesshëm shqiptarë. Në profilin e tij biografik radhitën edhe shfaqje të tjera ku ai ishte regjisor, si “Bashkëshortët”, “Zonja me Kamelie”, “Njerëzit me shpresa të thyera”, “Anmiku i popullit”, “Ambrozio shfaros kohën”, etj.
Prova sfilitëse deri në 10 orë në ditë për afro një muaj e gjysmë, e muaj të tjerë angazhimi në tekst, ishin episode që paraprinë “La Rrémin”. Regjisori Kushtrim Koliqi e ka vlerësuar se jo gjithçka ka qenë e lehtë për të bërë këtë “rekuiem” për një figurë të tillë shumëdimensionale.
“Në fakt, larmia e tij na ka jep edhe neve një larmi mënyrash për ta shpalosur përmes shfaqjes sonë”, ka thënë Koliqi për KOHËN teksa e ka cilësuar Qenën si njeriun e jashtëzakonshëm me talentin, kapacitetin, njohuritë dhe përkushtimin e tij.
“Ne deshëm të japim një shfaqje jo vetëm si reflektim i biografisë së tij, por një reflektim që njerëz të tillë na duhen në Kosovë”, ka thënë Koliqi.
Vitin e kaluar, organizata “Integra” kishte botuar librin “Muharrem Qena-Ëndërrimtari” me autorë Arian Krasniqin dhe Arzana Krajën.
“Emiri i tij na vuri në presion konstant që të bëjmë një kreacion që u afrohet emrit dhe figurës së tij, por në të njëjtën kohë ai ishte edhe një motivim e shtysë që t’i shtyjmë kufijtë tanë kreativë”, ka shtuar Koliqi.