Kulturë

Punonjësit e “Ulpianës” pa paga në kohë pandemie 

Në ditën e 24-t të këtij muaji, Qeveria e Kosovës ka ekzekutuar pagesat për 24 mijë e 198 familje që përfitojnë nga ndihma sociale e shtetit. U janë paguar për muajin mars e po ashtu edhe pagesë avancë, e cila llogaritet si ndihmë. Kjo është bërë pas gjendjes së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit. Por punonjësit e parkut arkeologjik “Ulpiana” nuk janë paguar ende për muajt janar, shkurt e mars. Qysh prej 13 marsit, parku i vetëm arkeologjik në vend është mbyllur pas masave që ka marrë shteti për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Gjashtë punonjësit e “Ulpianës” janë mbyllur në shtëpi. Ankohen edhe për gjërat elementare.

Ministria e Kulturës nuk i ka kryer detyrimet që dalin nga kontratat mujore, që ata i nënshkruajnë me Institutin Arkeologjik të Kosovës. Me vonesa të pagave ata përballen tash e më shumë se një vit. Këto probleme burojnë qysh prej pjesës së dytë të vitit 2018, kur Zyra Kombëtare e Auditimit konstatoi se llogaritë e institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës nuk ishin të autorizuara nga Thesari i shtetit. Si pasojë, llogaritë në bankat komerciale ishin mbyllur. Krejt pagesat bëhen nga Divizioni i Financave në Ministrinë e Kulturës.

Bajram Vitija luan rolin e mbikëqyrësit të Parkut. Ai ka thënë se çdo ditë kontaktohet nga punonjësit për të pyetur nëse i kanë pagat në llogaritë bankare.

“Nuk di më as çfarë t’iu them. Në kohën kur virusi ka mbyllur njerëzit në shtëpi, ne kemi gati tre muaj pa paga”, ka thënë Vitija. Ai çdo ditë komunikon me Ministrinë e Kulturës. “Nuk di çka të bëj tjetër”, ka thënë ai.

Qamil Sinani është rojë e mirëmbajtës në Park. Ai ka thënë se tashmë gjithçka është e tepërt.

“Nuk e di çfarë të them. Situata flet vetë. Në kohën kur jemi të mbyllur në shtëpi ne kemi tre muaj pa paga. Le ta mendojë pak këtë situatë secili dhe le ta shohë se si është të jesh në gjendjen tonë”, ka thënë Sinani. Ka ngelur të jetojë me pensionet e prindërve, megjithëse numëron shtatë vjet punë në lokalitetin arkeologjik të “Ulpianës”.

 

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.