Kulturë

Punëdore unike me lëkurë e filigran

Arta Maliqi-Shala është piktore me profesion. Por për punë të përditshme ka ndjekur një pasion të saj. Ka kombinuar lëkurën me filigranin, për të prodhuar aksesorë unikë, jo vetëm për vete, por edhe për të tjerët.

Dalëngadalë këtë e ka zhvilluar në nivel të një pike të shitjes me kësi aksesorësh. Janë vathë, qafore, byzylykë dore, unaza, rrathë për flokë dhe broshë punëdore nën markën “Zanart”. Në fakt, edhe për brendin e saj ajo ka bërë një kombinim të dy fjalëve, zanat dhe art, shkruan KOHA.

“Është kombinim i dy ideve: ringjallja e zanatit të punëdores në përgjithësi dhe inkorporimi i artit si shtytje për kreativitet dhe inovacion unik”, thotë ajo.

E kur bëhet fjalë për kombinime, ajo ndërthur edhe tradicionalen me modernen.

“Format e punimeve dhe përpunimi i materialit të lëkurës lidhet më shumë më modernen, ndërsa filigrani, me të cilin furnizohemi nga filigranistët e Prizrenit, u jep punimeve të mia stil tradicional, dhe ky kombinim po bëhet i pranueshëm për të gjitha moshat”, thotë Maliqi-Shala.

Ndjekja e pasionit

Gjithçka kishte nisur nga pasioni personal i Arta Maliqi-Shalës, për të krijuar për veten aksesorë që s’i kishte askush tjetër në vend.

“Pasioni im për gjëra personale nga materiali i lëkurës dhe përdorimi i filigranit si stoli, që më ka pëlqyer gjithmonë për përdorim personal, kanë bërë që ta mendoj idenë për të bërë vetë aksesorë nga lëkura dhe filigrani”, thotë Maliqi Shala, teksa kthehet 8 vjet pas për të zbërthyer zanafillën e idesë.

“Në vitin 2012 punoja si mësuese e artit dhe pikturës. Kohë pas kohe punoja këto punëdore, si për shembull vathë, qafore, broshë, zakonisht vetëm me material lëkure, për përdorim personal. Gjërat nga materiali i lëkurës i kam pasion personal e po ashtu edhe stolitë nga filigrani, ndërsa këto punëdore fillova atëkohë t’i bëja për vete, e pastaj edhe për shoqet dhe koleget e punës, të cilat i pëlqenin punimet e mia jashtëzakonisht shumë. Kjo më bënte që të vazhdoja me këtë punë, edhe pse fillimisht e kisha si hobi”, rrëfen ajo.