Kur i biri i tij po përballej me sëmundje të rëndë, Leart Hyseni në korridoret e spitalit, njësoj sikurse edhe ai, vështronte prindër të tjetër që ngrinin kokën lart dhe psherëtinin. I ngjante si thirrje a lutje hyjnore. “Psherëtimë hyjnore” është titulli i ekspozitës së tij ku bëhen bashkë vepra ekspresive që i thërrasin shpresës. “Gjithmonë veprat tona duhet të paraqesin forcën, shpresën, guximin”, ka thënë ai
Dardan Mirena
“Psherëtimë hyjnore” dhe e stërmbushur me piktura të artit abstrakt, por imazhi i një blete në pikturën në hyrje të ekspozitës dhe në ballinën e katalogut, tërheq vëmendje dhe kureshtje. Është si një lloj zanafille e rrëfimit që sjell artisti Leart Hyseni me ekspozitën e hapur në “Open Art Gallery” në Prishtinë. Historia e secilës pikturë, s’ka të bëjë me abstraksion. Përkundrazi, kanë një histori krejt reale dhe jo vetëm.
Bleta është vepër e Odis Hysenit, i biri i autorit të ekspozitës. “Psherëtimë...” i kushtohet pikërisht atij. Ishte i diagnostikuar me kancer dhe i shtrirë në repartin e Onkologjisë në QKUK. Aty lindi edhe “Psherëtimë hyjnore”.
Artisti Hyseni, paraqet në pikturat e tij vuajtjen e thellë shpirtërore, vështirësi emocionale, të cilën e ka përjetuar në lëkurën e tij dhe ka arritur ta materializojë përmes artit. Disa piktura kanë për titull atë të ekspozitës. Rrëfimi bëhet kolektiv pasi shpreh vuajtjet e prindërve dhe fëmijëve të tjerë, të cilët kalojnë sfida të njëjta me sëmundjen e njëjtë.
Piktura e tij “Shkallët e së panjohurës” jep një mesazh se ata po hyjnë në një periudhë të panjohur dhe nuk kanë fare ide se si do të përfundojë. Është periudha kur Leart Hyseni dhe bashkëshortja e tij Zana, ballafaqoheshin me një realitet të panjohur dhe të dhimbshëm.

Piktura “Nëna” është një tjetër që jep mesazh të dyfishtë dhe u kushtohet nënave, të cilat qëndrojnë në spital dhe fëmijëve të tyre që kanë nevojë për kujdesin dhe ngrohtësinë e nënave në çastet më të vështira të jetës që po i kalonin të dyja palët.
Artisti Leart Hyseni ka thënë se kjo ide i ka lindur gjatë kohës kur ai duhej të priste në një sallë të veçantë, ku nuk lejoheshin fëmijët, por vetëm prindërit, të cilët qëndronin aty për të pirë ndonjë kafe apo cigare. Ata, pas një pushimi të shkurtër, ngrinin kokën lart, sikur të ishte një lutje e mistershme në heshtje dhe psherëtinin ose shfrynin rëndë.
“Ajo m’u ngulit në kokë, sepse çdo i dyti prind e bënte atë. Pra, psherëtimë hyjnore është ajo, aty më erdhi ideja, u frymëzova dhe fillova të punoja në këtë drejtim. Djali im ka qenë ajo pikënisja, por ai inspirim edhe më i rëndë është kur e sheh gjithë atë numër të fëmijëve, gjithë ata engjëj tullacë që silleshin korridoreve me pafajësinë e tyre dhe nuk e kishin idenë se pse ishin aty”, ka thënë Leart Hyseni, i lindur në Prishtinë, ku ka kryer studimet për grafikë në Fakultetin e Arteve. Po aty, më 2006 nisi studimet master, më pas u detyrua të migrojë në SHBA, për t’u rikthyer në vendlindje dhe për ta vazhduar punën si piktor.
Janë momente tronditëse ato që fshihen prapa pikturave të tij në “Psherëtimë...”. Aso që nuk shqiten dot prej kujtesës. Sipas tij, puna është ajo që të kaluarën e sjell në të tashmen, pra nuk i lë gjurmët që të harrohen.
“Ne si popull kemi kaluar edhe përjetime më të rënda, por gjithmonë veprat tona duhet të paraqesin forcën, shpresën, guximin, jo të lëshohemi në atë që e kaluara ka qenë e rëndë dhe ne po dorëzohemi. Jo, kurrsesi ne nuk guxojmë të dorëzohemi. Prandaj unë i inkurajoj edhe ata prindër që tash për tash përballen në repart që të qëndrojnë të fortë të kenë besim dhe shpresë të madhe”, ka thënë Hyseni.
Zeni Ballazhi, kurator i ekspozitës, në fjalimin e tij në hapje të ekspozitës të martën mbrëma, ka thënë kjo është një mundësi e mirë për të gjithë për të përjetuar nga afër diçka të jashtëzakonshme sidomos nga mënyra e një sjelljeje apo një prurjeje të artit në këtë formë.
“Ai, përmes këtyre kompozicioneve që burojnë nga brendësia dhe shpirti i tij, na jep një mundësi të mirë të kuptojmë diçka që e shtyn secilin nga ne që përjeton diçka të brendshme dhe të rëndë në shpirtin e tij. Dhe mundësia, e cila i është dhënë Leartit në këtë rast, është ajo që i kemi këto tablotë këtu dhe që na rrethojnë përmes këtij ekspresiviteti mjaft të qartë në këto tablo që unë besoj se do t’i kthehet Leartit në një frymëzim të ri në të ardhmen që i jep ndoshta edhe shumë më shumë sesa ky përjetim”, ka thënë Ballazhi në fjalimin hyrës.
Koncepti kuratorial dhe e veçanta e kësaj ekspozite, sipas tij, është pikërisht pikënisja.
“Pikënisja është humania do të thosha dhe kjo pjesë humane, është bashkëngjitur te një artist, i cili na tregon përmes artit një mënyrë shprese, një mënyrë të rehabilitimit shpirtëror, se si kishim mundur të nxjerrim këtë turbullirën e shpirtit nga brenda në aspektin më të mirë të mundshëm”, ka thënë Ballazhi për KOHËN.

Piktura ose arti në përgjithësi, sipas Ballazhit, janë mundësia më e mirë për të shprehur këtë lloj ndjesie të fortë emocionale.
“Në këtë ekspozitë bëhet fjalë për artistin Leart Hyseni, i cili nëpërmjet personazhit kryesor, i cili është djali i tij dhe duke filluar prej kopertinës/katalogut që ne e kemi edhe pjesën ballore të ekspozitës, ku është një bletë e krijuar nga vetë fëmija i tij. Kjo bletë fluturon dhe ka fluturuar dhe do të fluturojë gjithmonë në shpirtin apo shpirtrat e të gjithë neve”, ka thënë Ballazhi.
Sipas kuratorit, inspirimet te shumica e artistëve nuk vijnë shpesh.
“Në këtë rast, unë do të thosha se realiteti jonë i përditshëm ose jeta jonë e përditshme është aq e shpejtë sa ky dinamizëm duhet të ndikojë edhe tek artisti në aspektin profesional që është i mundshëm dhe mund ta japë përmes artit. Learti në këtë rast ka shfrytëzuar dyfishin e asaj, ku në kuadër të realitetit, sepse këtu fut elementin kryesor, i cili është ai shpirtëror. Dhe në këtë rast, ky e dyfishon këtë lloj prezantimi nëpërmes veprave të tij”, ka thënë ai.
Naimi Spahiu, i cili udhëheq galerinë “Open Art”, e ka cilësuar kolegun Leart Hyseni si artist të veçantë, i cili në ekspozitë ndan me publikun përjetimet e tij.
“Këto përjetime vijnë nga një baba që shpeshherë janë shumë të rëndësishme në mënyrën se si ato zhvillohen dhe përjetohen. Në këtë ekspozitë, Learti ka treguar një mërzi familjare dhe vështirësitë emocionale që fëmija i tij i ka përjetuar dhe ky ka arritur t’i shpërthejë të gjitha ato në një emocion krejt ndryshe. Pikturën e tij lirisht mund ta quajmë art-terapi, për arsye se vetëm në këtë mënyrë e ka shpëtuar veten nga ndonjë fatkeqësi më e madhe. Kështu veç arti është frytëzim dhe kjo ekspozitë vjen pikërisht si frymëzim për të gjitha ato familje që kanë raste të njëjta dhe përjetime të ngjashme. Ky kolorit i tij, i vetë autorit, na jep shumë, na shpjegon shumë emocione”, ka thënë Spahiu.
Koloriti i “Psherëtimë hyjnore” e ka fuqinë e ndjelljes së shpresës. E, ky është edhe qëllimi i artistit.