“Thuhet se shpresa vdes e fundit, por tash nuk e di se çfarë mund të thuhet më”, ka thënë të martën drejtori i Filharmonisë së Kosovës në ditën kur u bë publik lajmi se sherri i shkeljeve të Ministrisë së Kulturës, thirrja publike ndërkombëtare për projektin e Teatrit të Operës dhe Baletit sërish ka dështuar. Kabineti i ministrit të Kulturës ka heshtur për dështimin e procesit pas më shumë se një viti, përderisa ka një histori 15-vjeçare prapa
Ministria e Kulturës edhe të martën ka heshtur në raport me publikun sa i përket dështimit të thirrjes publike ndërkombëtare për projektin më të madh kapital në kulturë, Teatrin e Operës dhe Baletit. Përderisa kabineti i ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, nuk e ka komentuar vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, ku konstatohet se MKRS-ja ka bërë shkelje ligjore, Zyra e prokurimit në këtë institucion e ka anuluar procesin nëpërmjet të cilit synohej përzgjedhja e projektit për Teatër të Operës dhe Baletit. Për institucionet dhe skenën kulturore dështimi i procesit pas më shumë se një viti prej kur ka nisur është një lajm i rëndë.
Janë shkeljet ligjore të Ministrisë së Kulturës ato që kanë bërë që shteti as në tentimin e kësaj radhe të mos ia dalë të hedhë një hap në raport me ndërtesën që pritet të zërë vend në parkingun prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet. Zbulimi i identitetit të një prej kompanive pjesëmarrëse gjatë procesit të vlerësimit ka bërë që krejt lënda të shkojë huq.
“Thuhet se shpresa vdes e fundit...”
Filharmonia e Kosovës qysh prej themelimit prej para më shumë se dy dekadash është një prej institucioneve i cili jo vetëm që s’ka ndërtesë të veten, por funksionon në kushte të mjerueshme në objektin që realisht i takon Komunës së Prishtinës.
Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, ka thënë se natyrisht se ky është një lajm shumë i keq për krejt komunitetin artistik, muzikor e në këtë rast edhe për Filharmoninë, Baletin dhe Operën, që është rithemeluar në vitin 2021.
“Thuhet se shpresa vdes e fundit, por tash nuk e di se çfarë mund të thuhet më. Ndoshta duhet të rimendohet një procedurë tjetër që të tejkalohen këto problemet e ankesave të kompanive që ndodhin edhe për projekte të tjera. Ne lëngojmë që nga paslufta për një objekt, sallë koncertale apo qendër kulturore të mirëfilltë me disa salla. Kjo natyrisht është shumë problematike. Duhet të gjendet një zgjidhje krejt tjetër. Ligjërisht nuk e di si mund t’ia dalim, por në fund të fundit artistët dhe publiku po dëmtohen”, ka thënë Jashari të martën. Sipas tij, askujt nuk do t’i kishte shkuar mendja që do të kalojnë më shumë se një dekadë nga guri themeltar i Teatrit të Operës dhe Baletit i 2009-s dhe prapë do të flitet për procedura të dështuara.
“Kjo është e pafalshme dhe nuk e di se çfarë duhet të ndodhë që ai guri themeltar të rezultojë me finalizim të objektit kaq shumë të kërkuar nga institucionet”, ka thënë ai.
Kërkesa për transparencë të plotë
Profesoresha universitare e pianos Besa Luzha, e cila vazhdimisht ka avokuar për infrastrukturë muzikore ka thënë se nëse ka pasur ndonjë ankesë e parregullsi, më mirë që është anuluar procesi.
“E di që mund të ketë vonesë, por ky objekt madhor një herë ndërtohet. Konkursi duhet të përgatitet mirë, të ketë diskutim publik me komunitetin artistik për objektin, nevojat, kërkesat e të tjera dhe me pas transparencë të plotë në proces”, ka thënë Luzha.
Të hënën, kur edhe është publikuar vendimi i OShP-së për Baletin Kombëtar të Kosovës, institucion që pritet ta shfrytëzojë ndërtesën e Teatrit të Operës dhe Baletit, lajmi është parë si diçka e rëndë.
“Por fatkeqësisht jemi mësuar me lajme të tilla tash e dy dekada. Përderisa aktualisht jemi duke provuar që të gjejmë një hapësirë për të mbajtur ushtrimet, shpresat ishin te projekti i Teatrit të Operës dhe Baletit si zgjidhje e përhershme. Por, edhe kësaj radhe duket sikur procesi do të kthehet prej fillimit. Shpresojmë fort që MKRS-ja nuk do të ndalet dhe menjëherë do ta bëj thirrjen tjetër në mënyrë që ky projekt kapital, do të thosha jetik për institucionet e Baletit dhe Operës, të nisë realizimin”, kishte thënë drejtori i BKK-së, Sinan Kajtazi. Sipas tij, në Baletin Kombëtar të Kosovës do të ishte përtej një lajmi nisja e një projekti të tillë.
“Ne kemi performuar në vënien e një guri themeltar në vitin 2009, por fatkeqësisht ai projekt nuk eci para. Shpresojmë që së shpejti të performojnë për një gur themeltar tjetër, por kësaj radhe në një projekt që do të realizohet”, kishte thënë ai.
Kanë qenë tri kompani në garë për projekt ideor: “Gerber Architektekten International GmbH” nga Dortmundi, “Consortium MVRDV” & ‘O.U.D.-ARCHITECTS’ SH.P.K”, kompani holandeze me arkitektin nga Kosova, Bekim Ramku dhe “Big Partners LTd” me seli në Londër. Kompania gjermane mori më së shumti pikë në vlerësim e në rivlerësim. Pasoi ankesa. Qe kompania londineze që e bëri këtë për ta përfshirë më pas OSHP-në. Para komisionit vlerësues – që po ashtu proceduralisht nuk bëhet publik – do të duhej të hapeshin zarfet pa u ditur emrat e kompanive, por vetëm nëpërmjet kodeve. Kështu edhe kishte ndodhur. Komisioni në përbërje të anëtarëve vendorë dhe një ndërkombëtar kishte bërë vlerësimin e vet. Me 71 pikë kishte vlerësuar kompaninë gjermane, kurse me 54.2 dhe 51.4 pikë dy të tjerat.
Por dy kompanitë me më pak pikë kanë kërkuar qasje në dokumentacion, kanë gjetur një vjegëz ligjore për të bërë ankesa. Në versionin online të kompanisë “Gerber Architektekten International GmbH”, projekti i së cilës është vlerësuar si më i miri, qëndronte edhe logoja e saj. E këtë OShP-ja e ka konstatuar si shkelje. Sipas vendimit, është gjetur se pretendimet e operatorit ekonomik ankues janë pjesërisht të bazuara dhe “aktiviteti i tërësishëm i aktivitetit të prokurimit u përcoll me shkelje ligjore”.
Tentativa për të pasur një projekt për këtë ndërtesë është e katërta me radhë pas luftës. Ky tentim vjen pas konkursit të 17 vjetëve më parë, gurit themeltar të vitit 2009 dhe dy konkurseve të vitit 2019.
Më 2019, Ministria e Kulturës kishte zhvilluar një proces të ngjashëm, po me konkurs ndërkombëtar, por procesi nuk pati epilog. Paraprakisht më 2 dhjetor të 2009-s qe vënë guri themeltar për këtë ndërtesë afër Fakultetit Teknik. Asokohe planifikohej që ndërtesa të mbante edhe emër: teatri i operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”.
Kuvendi i Kosovës në gushtin e vitit 2021 themeloi institucionin e Operës, i cili ende mbetet në konsolidim.
Në prill të vitit 2022 shumica e këshilltarëve të Kuvendit të Komunës së Prishtinës kanë votuar pro ndarjes së një pjese të hapësirës prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve si lokacion për Teatrin e Operës dhe të Baletit. Në lokacionin paraprak – te Fakulteti Teknik në “Kodrën e Diellit” – është afër konkretizimit ndërtimi i vrazhdë i një kampusi të ri universitar për Universitetin e Prishtinës.
I pari projekt i hartuar afro 16 vjet më parë ishte nënshkruar nga arkitekti gjerman Kai Auffermann. Në dhjetor të vitit 2009 aty do të mblidhej krejt paria e shtetit. Mes të tjerash, edhe me një program artistik ishte vënë guri themeltar i teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”. Pas krejt punimeve, puna ishte ndërprerë për të mos filluar kurrë më. Për këtë qenë shpenzuar 1 milion e 12 mijë euro.