Nëse Ministria e Kulturës do ta respektojë rekomandimin e ekspertëve të prokurimit, teatri i operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”, që nisi të projektohej para 16 vjetësh, edhe sivjet do të mbetet pa projekt ideor. Tri kompani janë në garë, njëra është shpallur fituese, por dy ankesa për shkelje procedurash do ta çojnë në anulim krejt procesin. E krejt procesi shoqërohet me manipulime prej të gjitha palëve. Këtë e konstatojnë ekspertët. Është i katërti konkurs në më shumë se 17 vjet prej se ka nisur “projektimi” i më të madhit projekt kapital në kulturë
Dështimet në investime kapitale në kulturë janë bërë rutinë. Zvarritjet edhe më. Ka më shumë se një vit prej se Ministria e Kulturës ka hapur thirrje ndërkombëtare për projektimin e ndërtesës së Teatrit të Operës dhe Baletit. Pos zvarritjes, edhe kësaj radhe, të paktën sipas rekomandimit të ekspertëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, krejt procedura do të anulohet. Kësisoj do të dështonte edhe tentativa e katërt me radhë për investimin më të madh kapital në vend. Tash më shumë se një dekadë e gjysmë “projektohet” teatri i operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”.
Procedura e prokurimit e hapur nga MKRS-ja më 27 tetor të vitit të kaluar, prej 28 shtatorit të këtij viti është në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik. Shqyrtimi ka shkuar deri te ekspertiza. Ekspertët kanë rekomanduar anulim të procedurës.
Kanë qenë tri kompani në garë për projekt ideor: “Gerber Architektekten International GmbH” nga Dortmundi, “Consortium MVRDV” & ‘O.U.D.-ARCHITECTS’ SH.P.K”, kompani holandeze me arkitektin nga Kosova, Bekim Ramku dhe “Big Partners LTd” me seli në Londër. Kompania gjermane mori më së shumti pikë në vlerësim e në rivlerësim. Pasoi ankesa. Qe kompania londineze që e bëri këtë për ta përfshirë më pas OSHP-në.
“Eksperti shqyrtues/teknik i propozon panelit shqyrtues që ankesa e OE ankues të aprovohet si pjesërisht e bazuar, të anulohet njoftimi për vendimin e Autoriteti Kontraktues dhe ekspertët rekomandojnë që të anulohet aktiviteti i prokurimit”, shkruhet në rekomandimin e ekspertizës të nënshkruar nga Agnesë Ibrahimi dhe Enver Bytyqi.
“Kredibiliteti i procesit është zbehur...”
Para se të vihej në këtë situatë, MKRS-ja ishte përballur me ankesa. Pas vlerësimit të bërë publik më 11 gusht, Ministria e Kulturës kishte pranuar dy sosh. Që të dyja kishin për bazë një detaj. Projektet e tri kompanive – dy të huaja dhe një me partneritetet vendor – është dashur të dorëzoheshin me kode.
Para komisionit vlerësues – që po ashtu proceduralisht nuk bëhet publik – do të duhej të hapeshin zarfet pa u ditur emrat e kompanive, por vetëm nëpërmjet kodeve. Kështu edhe ka ndodhur. Komisioni në përbërje të anëtarëve vendorë dhe një ndërkombëtar kishte bërë vlerësimin e vet. Me 71 pikë kishte vlerësuar kompaninë gjermane, kurse me 54.2 dhe 51.4 pikë dy të tjerat.
Por dy kompanitë me më pak pikë kanë kërkuar qasje në dokumentacion, kanë gjetur një vjegëz ligjore për të bërë ankesa. Në versionin online të kompanisë “Gerber Architektekten International GmbH” projekti i së cilës është vlerësuar si më i miri, qëndronte edhe logoja e saj.
Pas kësaj, MKRS-ja e ka kthyer në rivlerësim procesin duke ndërruar përbërjen e komisionit vlerësues. Por edhe pas krejt rivlerësimit, ankesat nuk janë ndalur. Rivlerësimi e kishte nxjerrë prapë të parën kompaninë gjermane.
Ankuesi, kompania “Big Partners LTd”, nëpërmjet pesë pikave ka kontestuar procesin. Prej tyre, ekspertët e OSHP-së dy i kanë kualifikuar si të bazuara e një pjesërisht të bazuar. Ankuesi pretendon se gjatë rivlerësimit nuk janë trajtuar të gjithë ofertuesit në mënyrë të barabartë, duke pretenduar që projekti me kodin “6842” (që është kompania gjermane) është favorizuar gjatë procesit të rivlerësimit të projekt-propozimeve.
“Ndër të tjera, thuhet që gjatë vlerësimit është marrë parasysh edhe parcelat me nr. 06191-7 dhe 06191-8, si dhe sipas nënkriterit përshtatja adekuate me mjedisin përreth – janë marrë parasysh elementet ujore që janë projektuar në këto parcela, e që projektuesi me kodin 6842 i ka tejkaluar kërkesat e detyrës projektuese”, shkruhet në ekspertizë. Sipas ekspertëve, bëhet fjalë për pretendim të bazuar. Po ashtu, sipas ankuesit, MKRS-ja ka anashkaluar faktin e zbulimit të identitetit të projektuesit me kodin 6842.
“Autoriteti Kontraktues (MKRS-ja v.j.) në këtë rast nuk ka vepruar në pajtim me Ligjin e Prokurimit Publik, pasi që është zbuluar identiteti i pjesëmarrësit gjatë fazës së vlerësimit në konkursin e projektimit. Eksperti teknik konstaton se pretendimi 2 është i bazuar”, shkruhet në konstatimin e ekspertëve.
Operatori ekonomik ankues ka kontestuar rezultatin e dhënë nga juria profesionale duke e vlerësuar me pikë maksimale projekt-propozimin me kodin 6842 “pa dhënë sqarimet profesionale në krahasim me projekt propozimin me kodin 0703”. Këtë pretendim ekspertë e kanë kualifikuar si pjesërisht të bazuar.
“OE ankues në pretendimin 4 ka shfaqur gjetjet ku projektpropozimi me kodin 6842 ka zbuluar identitetin e tij në pjesën grafike të kopjes elektronike të projekt-propozimeve”, shkruhet në dokumentin e ekspertizës te pretendimi i katërt i ankesës. Pas kontrollimit të dosjes, ekspertët kanë ardhur në përfundim, duke e cilësuar si të bazuar këtë pretendim pasi projekt-propozuesi me më së shumti pikë ka pasur identitet të zbuluar krahas ilustrimeve të projektit. Më tej, sipas ankuesit, “ka pasur manipulime të ofertës me kodin 6842 pasi që gjatë procesit të qasjes në dokumentet e tenderit është vërejtur që të gjitha kopjet e ofertës 6842 me projekt-propozimet kanë qenë të hapura”. Sipas ekspertizës, edhe ekspertët gjatë shqyrtimit kanë gjetur se të gjitha kopjet ishin të hapura dhe ky pretendim është radhitur si i bazuar.
Por shkeljet, sipas ekspertëve, nuk përfundojnë me kaq, pasi që të gjitha ofertat e mbetura në garë kanë bërë shkelje.
“Duke i marrë parasysh të gjitha këto shkelje të cilat u evidentuan më lart, të dy ekspertët sqarojnë se që të tre operatorët ekonomikë të mbetur në garë nuk kanë qëndruar anonimë pas kodit të zgjedhur, por që të tre kanë zbuluar identitetin e tyre para jurisë në mënyrë të drejtpërdrejt apo të tërthortë, qoftë në pjesën grafike apo tekstuale të projekt-propozimeve, si pasojë e kësaj kredibiliteti i procesit është zbehur dhe se në këtë pikë nuk mund të ketë vlerësim të paanshëm dhe konfidencial”, shkruhet më përfundim të ekspertizës. Aty ekspertët kanë ardhur në përfundim se duke u bazuar në gjendjen reale të krijuar dhe rrethanat të cilat janë krijuar e bëjnë të pamundur që juria profesionale të bëjë vlerësim objektiv dhe të barabartë mes operatorëve ekonomikë, “pasi që është shkelur rregulli bazik, parimi kryesor që vlerësimi i drejtë të bëhet përderisa identiteti i asnjërit pjesëmarrësit nuk dihet, por qëndrojnë anonimë”.
Njëzet ditë afat shtesë dhe nevoja për transparencë
Ministria e Kulturës është në pritje të vendimit të OSHP-së.
“Projekti vazhdon të jetë në OSHP dhe e kanë zgjatur afatin për 20 ditë”, shkruhet në përgjigjen e MKRS-së.
Besa Luzha, profesoreshë e Fakultetit të Arteve e një prej zërave më të shpeshtë në kërkim të përmirësimit të infrastrukturës kulturore, ka thënë se te rasti i Operës nuk ka nevojë për ngutje.
“Ka nevojë për transparencë dhe diskutim publik, sepse është projekt madhor. Procedurat e prokurimit janë tepër të komplikuara dhe po e zvarrisin procesin”, ka thënë ajo.
Tentativa për të pasur një projekt për këtë ndërtesë është e katërta me radhë pas luftës. Ky tentim vjen pas konkursit të 17 vjetëve më parë, gurit themeltar të vitit 2009 dhe dy konkurseve të vitit 2019.
Ministria e Kulturës ka planifikuar që ky konkurs të rrumbullakohet me kosto prej 2.5 milionë eurosh. Kaq janë paraparë në Ligjin e Buxhetit të vitit 2023.
Vendi i parë do të shpërblehet me kontratë, kurse i dyti me 30 mijë euro, ndërsa i treti me 20 mijë euro. Sipas konkursit, vendi i parë do të marrë edhe shërbimet për fazën e mëtutjeshme “të projektimit, përkatësisht të zhvillimit të projektit të hollësishëm të arkitekturës dhe të inxhinierisë për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit të Kosovës”.
Më 2019, Ministria e Kulturës kishte zhvilluar një proces të ngjashëm, po me konkurs ndërkombëtar, por procesi nuk pati epilog. Paraprakisht më 2 dhjetor të 2009-s qe vënë guri themeltar për këtë ndërtesë afër Fakultetit Teknik. Asokohe planifikohej që ndërtesa të mbante edhe emër: teatri i operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”.
Kuvendi i Kosovës në gushtin e vitit 2021 themeloi institucionin e Operës, i cili ende mbetet në konsolidim.
Në prill të vitit 2022 shumica e këshilltarëve të Kuvendit të Komunës së Prishtinës kanë votuar pro ndarjes së një pjese të hapësirës prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve si lokacion për Teatrin e Operës dhe të Baletit. Në lokacionin paraprak – te Fakulteti Teknik në “Kodrën e Diellit” – është afër konkretizimit ndërtimi i vrazhdë i një kampusi të ri universitar për Universitetin e Prishtinës.
I pari projekt i hartuar afro 16 vjet më parë ishte nënshkruar nga arkitekti gjerman Kai Auffermann. Në dhjetor të vitit 2009 aty do të mblidhej krejt paria e shtetit. Mes të tjerash, edhe me një program artistik ishte vënë guri themeltar i teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”. Pas krejt punimeve, puna ishte ndërprerë për të mos filluar kurrë më.
Prej asaj kohe deri më sot nuk është bërë kurrfarë shpjegimi se si kanë shkuar 1 milion e 12 mijë euro, kosto që përfshinte hartimin e projektit dhe nisjen e fazës së parë të punimeve.