Katër projekte të Komunës së Prishtinës, të cilat krejt bashkë peshojnë 30 milionë euro, për Ministrinë e Kulturës paraqesin precedent të rrezikshëm për palët e tjera në Republikën e Kosovës duke inkurajuar paligjshmëri dhe rrezik të drejtpërdrejtë për vlerat e trashëgimisë kulturore, si vlera të mbrojtura me Kushtetutën e vendit dhe me ligjet në fuqi. Të enjten MKRS-ja ka dalë në konferencë për media në të cilën ka përsëritur akuzat në adresë të Komunës ndaj së cilës ka ushtruar kallëzim penal e ka kërkuar nisje hetimesh. Sheshi “Xhorxh Bush” është vetëm pikënisja
Komuna e Prishtinës në pesë muajt e fundit ka nisur implementimin e tri projekteve në zona të mbrojtura të trashëgimisë kulturore pa përfillur ligjet në fuqi për pajisje me pëlqimet e nevojshme. Në dy vendpunishte i janë ndaluar punimet, në një prej tyre është duke u zhvilluar projekti. Pos këtyre, Komuna është edhe në një procedurë tenderimi për një projekt që ia kanë refuzuar institucionet e trashëgimisë kulturore. Krejt bashkë kanë peshë financiare mbi 30 milionë euro. Komuna tashmë për këto projekte veç ka nënshkruar marrëdhënie kontraktuale në vlerë mbi 25 milionë euro. Pos kësaj këto projekte janë shndërruar në betejë ligjore midis Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prishtinës. Ekziston njëfarë gare për dominim në publik e dorëzim të kallëzimeve penale.
Paraditja e së enjtes e ka gjetur sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës, Bislim Bislimi, në konferencë për medie. I shoqëruar nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të Departamentit të Trashëgimisë Kulturore, Bahri Zeneli, drejtori i Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, Imer Hakaj, ushtruesja e detyrës së drejtorit të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, Rreze Loxha-Vitaku, dhe drejtoresha e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë, Edona Gashi-Dërguti, Bislimi ka dhënë sqarime për veprimet e mosveprimet e institucioneve të trashëgimisë kulturore. Shoqëruesit e tij kanë pasur më shumë rol statistësh.
Konferenca është mbajtur tetë ditë pasi Ministria e Kulturës ka kërkuar nga Departamenti i Hetimeve i Policisë së Kosovës që të nisë hetime ndaj Komunës së Prishtinës për ndërhyrje pa leje në sipërfaqe dhe zona të mbrojtura të trashëgimisë kulturore e po ashtu edhe për keqpërdorim të parasë publike.
Sekretari Bislimi, derisa ka numëruar projekte, ka thënë se Komuna e Prishtinës “siç duket me qëllim është duke e shmangur ligjin”.
Në këtë rast ka përmendur zhvillimin e projektit, prokurimin e tij dhe nisjen e zbatimit të punëve për “Ishullin Urban Arbëri-Pallati i Rinisë”. Punimet kishin nisur në nëntor të vitit të kaluar pa leje të institucioneve të trashëgimisë kulturore. Vlera e kontratës së nënshkruar është 6.5 milionë euro. Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore kishte ndalur punimet. Më pas Komuna kishte dërguar projektin për shqyrtim në IKMM, por nuk qe miratuar.
Bislimi ka përmendur projektin e sheshit “Xhorxh Bush” që po ashtu në mars të këtij viti ka nisur pa kërkuar pëlqim nga IKMM-ja. Qe ndalur nga Inspektorati dhe tash projekti është dorëzuar dhe është në shqyrtim. Pesha e kontratës është 18.4 milionë euro.
Për ndërhyrjen e planifikuar në rrugën “Agim Ramadani”, Komunës i është refuzuar projekti nga IKMM-ja por institucioni lokal po zhvillon procedurat e prokurimit me vlerë të parashikuar 6 milionë euro.
Bislimi ka përmendur po ashtu punimet në rrugën “Rexhep Luci” pa kërkuar fare pëlqim nga institucionet e trashëgimisë kulturore. Kontrata e këtij projekti është 1.3 milionë euro. Po ashtu në këtë rast Gjykata Komerciale ka shfuqizuar vendimin e Komunës deri në vendimin përfundimtar të gjykatës. Pavarësisht kësaj, punimet vazhdojnë.
Të gjitha këto projekte zhvillohen brenda zonës mbrojtëse të monumenteve e po ashtu të Qendrës Historike të Prishtinës.
“MKRS konsideron se këto veprime derisa janë të përsëritura i vlerëson si të qëllimshme nga ana e Komunës së Prishtinës dhe me precedent të rrezikshëm për palët e tjera në Republikën e Kosovës duke inkurajuar paligjshmëri dhe rrezik të drejtpërdrejtë për vlerat e trashëgimisë kulturore, si vlera të mbrojtura me Kushtetutën e vendit dhe me ligjet në fuqi”, ka thënë sekretari Bislimi. Sipas tij veprimet e Komunës, përveç të kundërligjshme në kuptimin e dispozitave të Ligjit për trashëgimi kulturore, janë të parashikuara edhe me Kodin Penal si vepra penale. Ka përmendur se Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka ndërmarrë veprimet e parapara me ligj.
“Nga ana tjetër, deri më tani MKRS-ja ka referuar dy shkresa të arsyetuara në organet e ndjekjes penale në Republikën e Kosovës për veprime të kundërligjshme nga Komuna e Prishtinës”, ka sqaruar Bislimi. Ka përmendur ushtrimin e kallëzimit penal për “Ishullin Urban Arbëri – Pallat i Rinisë” dhe kërkesën për fillimin e hetimeve në Departamentin e Hetimeve në Policinë e Kosovës për projektin e sheshit “Xhorxh Bush”.
“MKRS-ja vlerëson se derisa kemi një shumë financiare dhjetëra milionëshe të krijuara si detyrim kontraktual në projekte që janë në shkelje të ligjeve në fuqi nga Komuna, konsideron se kjo po ashtu paraqet rrezik për shkaktimin e qëllimshëm të situatave kur këto shuma do të konsideroheshin të përmbarueshme nga operatorët ekonomikë duke ia shkaktuar një dëm dhjetëra milionësh buxhetit të Komunës”, ka thënë Bislimi. Ka sqaruar se Komuna disa herë ka përfillur procedurat dhe është pajisur me leje. Për këtë ka marrë shembull rrugën “Model”, ndërtesën e ish-“Gërmisë” e projektin për restaurimin e ndërtesës së shkollës “Sami Frashëri”.
Komuna ka ushtruar kallëzim penal ndaj inspektorit të Trashëgimisë Kulturore, Pajtim Zogaj, për ndalimin e punimeve në sheshin “Xhorxh Bush”. Ky për MKRS-në është një kallëzim penal i rremë si përpjekje për manipulim të opinionit dhe keqpërdorim të mjeteve e mekanizmave juridikë.
“Ne presim nga organet e ndjekjes penale që të veprojnë sa më shpejt që të jetë e mundur në drejtim të marrjes në përgjegjësi të atyre që kanë prodhuar situatat e tilla, në mënyrë që shembuj kaq të qartë të shkeljeve të interesit publik të dekurajohen”, ka thënë Bislimi.
Drejtori i Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore kishte ofruar dorëheqje nga pozita që mban. Por, ajo nuk i është pranuar nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. I pyetur për këtë rast, ka thënë se ka vepruar kësisoj shkaku i presionit të Komunës ndaj inspektorit Pajtim Zogaj. Ka thënë se ai vetë si drejtor merr përgjegjësinë e veprimeve të Inspektoratit.
Në kërkesën ndaj Policisë së Kosovës për të zhvilluar hetime ndaj Komunës, Ministria e Kulturës ka përmendur të gjitha rastet. Ka sqaruar se Ligji për Trashëgimi Kulturore përcakton se në situata ku zhvillohen punime afër monumenteve duhet leje me shkrim.
“Cilado ndërhyrje qё ndikon nё tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore kërkon leje të shkruar nga institucioni kompetent”, përcaktohet në nenin 4 të Ligjit për Trashëgimi Kulturore. Aty po ashtu bëhet e ditur se institucioni kompetent urdhëron ndaljen e menjëhershme për një periudhë të pacaktuar kohore të çdo lloj pune të paautorizuar në trashëgiminë kulturore.
“Aplikimi për leje për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti arkitektural, ose brenda një hapësire konservuese arkitekturale, ose që ndikon nё mjedisin e një asambleje, paraqitet për shqyrtim në institucionin kompetent. Institucioni kompetent ka veto mbi dhënien e një lejeje të tillë. Nëse institucioni kompetent nuk përgjigjet brenda 15 ditëve në lidhje me aplikimin për ndërtimin e ndërtesave ose zhvillimeve të tjera, leja mund të përcaktohet nga autoriteti relevant për planifikim dhe ndërtim”, përcaktohet në nenin 9.
Në kërkesën për hetime sqarohet se, sipas Ligjit për ndërtim në zonat e mbrojtura, nuk japin leje ndërtimore komunat por Ministria e Ambientit. Sipas MKRS-së, Komuna e Prishtinës nuk ka përfillur as këtë ligj, duke bërë shkelje të njëpasnjëshme. Përfaqësuesit e MKRS-së mosndaljen e punimeve në rrugën “Rexhep Luci” e kanë arsyetuar me vendimin e Gjykatës Komerciale nëpërmjet së cilës qe shtyrë ekzekutimi i vendimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për mbylljen e kësaj rruge.
KOHA të enjten ka kërkuar edhe një koment nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, por ai ende nuk është përgjigjur.