“VR” që deri vjet ishte veç një teknikë që mësohej në masterklasë e punëtori në “Anibar”, sivjet është bërë më i prekshëm se kurrë. Në kinemanë “Jusuf Gërvalla” gjatë ditës shfaqen filma të ndryshëm e shikuesit e kanë ekranin e përbashkët për t’i parë ata. Por, ata që duan që filmin e animuar ta përjetojnë krejtësisht ndryshe nga kjo, Festivali i Filmit të Animuar në Pejë ka dhënë një adresë: Galerinë e qytetit. Galeria është bërë një lloj ekspozite e asaj se çfarë audience e sheh në ekran përditë
Derisa kinematë gjatë gjithë ditës shfaqin rrëfime të thurura me teknika e stile të ndryshme të animacionit, “Anibar” këtë vit adhuruesve të këtij zhanri të filmit ua ka dhënë edhe një mundësi të veçantë. Atë përtej kinemasë.
Filmin e ka zhvendosur në një destinacion të veçantë, ku për herë të parë sjell një program me një përvojë të re për t’u futur në botën e filmit të animuar. Programi “VR” që deri vjet ishte veç një teknikë që mësohej në masterklasë e punëtori në “Anibar”, sivjet është bërë më i prekshëm se kurrë. Në kinemanë “Jusuf Gërvalla” gjatë ditës shfaqen filma të ndryshëm e shikuesit e kanë ekranin e përbashkët për t’i parë ata. Por ata që duan që filmin e animuar ta përjetojnë krejtësisht ndryshe nga kjo, Festivali i Filmit të Animuar në Pejë e ka dhënë një adresë: Galerinë e qytetit. Galeria është bërë një lloj ekspozite e asaj se çfarë audience e sheh në ekran përditë. E gjitha është veshur me imazhe animacioni të sistemuara me mjeshtëri. Posterët e filmave të edicionit të 13-të bashkë me përshkrime janë gjithandej. Por ajo që po e bën këtë galeri shumë të kërkuar këtë vit është programi “VR” i realitetit virtual. Filmat mund t’i shikojnë nga një pozicion shumë i rehatshëm, në kokërr shilte. Edhe pse në një hapësirë me të tjerët, aty shikuesit ndihen krejt vetëm.
Këtë ndjesi ia ka dhënë ky program i veçantë edhe maturantes Lea Belegu, e cila për herë të parë e ka përjetuar këtë eksperiencë.
“Ishte për mua një eksperiencë shumë e mirë, sepse nuk kam shikuar më parë një film në 360 shkallë dhe ngado që e drejtoja kokën kisha çfarë të shihja”, ka thënë ajo për KOHËN. Në kuadër të “Anibarit”, që për temë këtë vit i ka “Besëtytnitë”, janë duke u shfaqur mbi 230 filma, ku 177 prej tyre janë pjesë e shtatë kategorive garuese. Teksa shikuesit rehatohen në ulëset e tyre, koordinatori i këtij programi, Timur Urcan, përkujdeset që teknikisht gjithçka të jetë gati. E gjatë ditës rrallë i bie të ulet, sepse interesimi sa po shkon e po rritet.
“Interesimi është jashtëzakonisht i madh, shumicën e ditëve njerëzit vijnë dhe i rezervojnë ulëset për fund të ditës, sepse përpos promovimit të këtij programi nga Festivali, tani edhe njerëzit po i ndajnë vetë përshtypjet me njëri-tjetrit për këtë program”, ka treguar ai.
Programi “VR” ka të përfshirë shtatë filma në program. “Wolves in the wall” (Ujqit në mur) Pete Billington e bën edhe më intime këtë eksperiencë me shikuesit. Në film gjithçka ndryshon kur imagjinata e 8-vjeçares Lucy rezulton të jetë realitet. Bazuar në veprën e Neil Gaiman-it dhe Dave McKean-it, “Wolves in the Walls” e dërgon publikun në magjinë e kinemasë së realitetit virtual, ku vetë shikuesi mund ta ndihmojë Lucy-n të zbulojë se çfarë fshihet me të vërtetë brenda mureve të shtëpisë së saj. “BattleScar” i regjisorëve Martín Allais dhe Nico Casavecchia i mundëson audiencës që vetë të gjurmojë në 365 ditët e jetës së Lupes, një portorikano-amerikane që jeton në fund të viteve 1970 në qytetin e Nju-Jorkut. Filmi përdor ditarin e shkruar me dorë të Lupes për ta udhëhequr shikuesin nëpër përvojat e saj që shtrihen gjatë vitit 1978, kur ajo takohet me Debbie-n. Debbie e prezanton Lupe-n në skenën Punk të Bowery-t dhe e ekspozon atë ndaj botëve sekrete që bashkë-ekzistojnë në Lower East Side në fund të viteve ‘70. Është filmi “Passager” i regjisorëve Isobel Knowles dhe Van Sowerwine ai që i ka bërë shikuesit të ndihen tamam si pasagjerë të filmit. Film i punuar me teknikë “VR stop-motion” përshkon historinë e mbërritjes në një vend të ri për të jetuar. Taksisti juaj lundron në terrenin e ri me shikuesin, duke vepruar si udhërrëfyesi i tij. Pasagjeri rikrijon dhe heton zhvendosjen gjeografike dhe vizuale të mbërritjes në një vend të panjohur dhe fillimin e udhëtimit për të gjetur një shtëpi të re në një tokë të huaj. Për Belegun ky ka qenë filmi i saj i preferuar pikërisht për shkak të kësaj eksperience. “’Passager’” ishte shumë më i mirë sepse kishte biseda. Ndihesha sikur unë jam vetë pasagjeri kur folke ai. Nuk jam ndjerë sikur jam duke shikuar filëm por sikur unë jam pjesë e filmit”, ka thënë ajo. Pikërisht ky film ka qenë edhe më i shikuari gjatë ditëve kur është aktivizuar programi “VR” në kuadër të festivalit. “Nga analiza që ju kam bërë vizitorëve e kam dalluar që arsyeja kryesore që po e bën këtë film të shkueshëm janë stili i animacionit dhe tregimi i filmit”, ka thënë koordinatori i këtij programi Timur Urcan. Në transformimin e një lagjeje i ka dërguar shikuesit filmi “Replacements” i regjisorit Jonathan Hagard. Filmi e përshkruan atmosferën e vitit 1989 në Xhakartë. Shikuesi virtualisht është përpara një shtëpie të vogël me verandë, ku mes flladit manifestohet një rehati për të jetuar aty. Me kalimin e kohës ajo merr pamje tjetër ku shpeshtohen dyqanet, xhamitë, njerëzit, makinat dhe gjithashtu demonstrata dhe trazira politike. Në një rrëfim tjetër lehtësisht ka mundur të kalojë publiku në galeri duke përzgjedhur filmin “Paper birds” (Zogj prej letre) të regjisorëve German Heller dhe Federico Carlini. Aty të gjitha skenat janë në harmoni me muzikën. Me këtë personazhi kryesor e sfidon edhe errësirën. Aty paraqitet udha e një djali me një fizarmonikë më të madhe se ai në shpinë, i cili niset në një udhëtim aventuresk për të shpëtuar motrën e tij që ka rënë në hije. Midis ëndrrës dhe realitetit i ka endur shikuesit filmi “Limbotopia” i Wen-Yee Hsieh. Filmi nga Tajvani përqendron në një udhëtim surrealist 360°, ku shikuesit mund të kalojnë nëpër hapësirën midis mendjes së vetëdijshme dhe të pavetëdijshme, ëndrrës dhe realitetit. Përmes këtij programi filmat shfaqen në një mënyrë interaktive, duke vënë në fokus një interaktivitet eksperimental e jo një shikim filmi të zakonshëm, përderisa simuluan mënyrën se si industritë kreative mund të tregojnë storie. Sipas koordinatorit të “VR”-së, ky program ia ka shtuar veçantinë edhe më edicionit të 13-të të festivalit “Anibar” dhe ka treguar që ky festival tashmë është i nivelit ndërkombëtar. “Për vizitorët e festivalit “Anibar” kjo eksperiencë ka treguar që festivali ynë është në një hap me të gjitha festivalet më të mëdha të animacionit në botë”, ka thënë Timur Urcan për KOHËN. Festivali i filmit të animuar edhe për dy ditë do të ndezë ekranet për histori që përthekojnë shumë vende të botës.