Pa u këndellur mirë nga mbyllja disamujore prej pandemisë së koronavirusit, Teatrit Kombëtar i Kosovës i janë rikthyer ujërat e zeza. Si “peshqesh” që përsëritet tash e disa vjet, shirat e së hënës kanë bërë që të bllokohet kanalizimi e të gufojnë ujërat e zeza gjithandej bodrumit.
Punëtorë të ngrohtores së qytetit “Termokos” janë kthyer të mërkurën paradite pa arritur të bënin gjë. Ishte paraparë të lëshohej në funksion ngrohja e re që TKK-në e bën pjesë të rrjetit të qytetit që furnizohet me avujt e termocentraleve të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Megjithatë, një ekip i kompanisë së ujësjellësit rajonal “Prishtina” pasdite ia doli ta largonte ujin nga bodrumi i ndërtesës.
“Është sanuar tani për tani problemi që e kemi pasur tash e dy ditë”, ka thënë Beqir Beqiri, organizator në TKK.
Një erë e rëndë myku e lagështie pushton hapësirën sapo zbret poshtë shkallëve të bodrumit të lënë në gjysmerrësirë e ku ka gjithfarë rrangallash.
“Ujërat e zeza janë problem tash e disa vjet”, ka thënë të mërkurën për KOHËN Adrian Morina, ushtrues detyre i udhëheqësit artistik të TKK-së. Ai ka përkujtuar kohën kur sherri i vërshimeve dhe rrezikut nga rryma elektrike ishin anuluar disa shfaqje në Teatër.
“Sado që Ministria ka shpallur një tender për rregullimin e drenazhimin e bodrumit, gjendja reale është vërtet e keqe”, ka thënë Morina.
Premierën e shfaqjes “Rinoqeronti”, nën regjinë e Gëzim Hasanit, që u dha mbrëmjen e së martës, e shpëtoi vetëm fakti që u mbajt te “Skena e vogël, e vogël”. Kjo e fundit gjendet mbi “vrimën e zezë” të Teatrit, siç është bërë bodrumi, që vërshohet nga ujërat e zeza.