Kulturë

Prizrenit “i zhduket” objekti në zonë të mbrojtur, shteti konstaton

Objekti i trashegimise kulturore i zhdukur ne Prizren

“Përmes kësaj shkrese, ju informojmë se më datën 15.10.2024, në rrugën ‘Bujar Godeni’, Komuna e Prizrenit, kemi vërejtur rrënimin e një objekti, punime të cilat janë zhvilluar pa lejen e institucioneve kompetente, konkretisht pa pëlqimin e QRTK Prizren”, shkruhet në shkresën nëpërmjet së cilës Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Priren u është drejtuar Inspektoratit të Komunës së Prizrenit dhe Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore (Foto: QRTK Prizren)

Objekti brenda Qendrës Historike të Prizrenit – ku ligjërisht nuk guxon të bëhet asnjë ndërhyrje pa lejen e autoriteteve të trashëgimisë kulturore lokale e qendrore – është rrafshuar. I janë zhdukur edhe mbetjet, përderisa reagimi i institucioneve është konstatimi i gjendjes. Zona është rrethuar me shirita, e ky është rasti i radhës në qytetin të cilit i rrafshohen edhe monumente nën mbrojtje të përhershme. Edhe tash institucionet zotohen se do të marrin masa

Qendra Historike e Prizrenit vazhdimisht është “atraksion” për ndërhyrje të paautorizuara. Rasti i fundit ka ndodhur gjatë fundjavës së kaluar. Një ndërtesë e vjetër brenda Qendrës Historike të Prizrenit është rrafshuar dhe më pas i janë zhdukur mbetjet. Përderisa Inspektorati i Komunës ka vendosur shiritat, Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren ka njoftuar institucionet e trashëgimisë kulturore. 

Zhdukja e  ndërtesës në zonën  e mbrojtur është bërë në rrugën “Bujar Godeni”. Rasti ka ndodhur në fundjavë. 

“Përmes kësaj shkrese, ju informojmë se më datën 15.10.2024, në rrugën ‘Bujar Godeni’, Komuna e Prizrenit, kemi vërejtur rrënimin e një objekti, punime të cilat janë zhvilluar pa lejen e institucioneve kompetente, konkretisht pa pëlqimin e QRTK Prizren”, shkruhet në shkresën nëpërmjet së cilës Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Priren u është drejtuar Inspektoratit të Komunës së Prizrenit dhe Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore. Në këtë shkresë bëhet e ditur se parcela ku është ndërhyrë gjendet brenda kufijve të Qendrës Historike të Prizrenit në Zonën VI, Zona e Shfrytëzimit të Përzier të Qendrës. 

“Parcela njëkohësisht gjendet në kuadër të zonës mbrojtëse (e radius 50) të aseteve të cilat janë të listuara në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme dhe të përhershme sikurse: Shtëpia e Familjes Arapi, Shtëpia e Familjes Koçbashliu dhe Shtëpia e Familjes Pomaku”, bëhet e ditur në shkresë. Aty sqarohet se Inspektorati i Komunës ka vendosur një shirit. 

“Sipas kompetencave dhe përgjegjësive tuaja, kërkojmë që të ndërmerren masat ligjore për ndërhyrjet të cilat janë kryer pa lejen e QRTK-Prizren”, shkruhet në shkresë e cila përmban edhe pamje të hapësirës. 

Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit përcakton se organi komunal për inspektim në bashkëpunim me QRTK-në e Prizrenit cakton inspektorë për mbikëqyrjen e aktiviteteve dhe zhvillimeve në Qendrën Historike të Prizrenit. 

“Gjobat e parapara me Ligjin për Planifikim Hapësinor dhe Ligjin për Ndërtim dyfishohen në rast të shkeljeve brenda Qendrës Historike të Prizrenit, ndërsa zbatohen masat sanksionuese të parapara në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore”, përcaktohet në nenin 20 të Ligjit. 

Për rastin e fundit në Prizren, Gjejlane Hoxha, zëvendësuese e drejtorit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, ka thënë se në bashkëveprim me institucionet e tjera do të marrin masa. 

“Në këtë rast së bashku me Inspektoratin e Komunës do të bashkërendojmë aktivitetet. Inspektorati i Komunës kishte vendosur shiritat sipas shkresës dhe sigurisht ata do të procedojnë më tutje më këtë rast”, ka thënë ajo. 

Në raste të ngjashme ushtrohen kallëzime penale për palët që ndërhyjnë në asete të trashëgimisë kulturore. Në rast se këtë nuk e bën Inspektorati Komunal, atëherë aktivizohet Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore. 

Për rastin  fundit në Prizren ka reaguar edhe organizata joqeveritare  “Ec Ma Ndryshe” 

“Një tjetër objekt brenda Qendrës Historike të Prizrenit është rrënuar pa u pajisur me pëlqimin nga autoritetet e trashëgimisë kulturore”, ka njoftuar, midis të tjerash, kjo organizatë. 

Sipas të dhënave të po kësaj organizate, gjatë vitit 2023 ka pasur 19 ndërhyrje të paautorizuara në Qendrën Historike të Prizrenit dhe në zonën e mbrojtëse të saj. Sipas “Ec...” në dy raste ka pasur dëmtim të aseteve të trashëgimisë kulturore, dy raste janë dërguar në Policinë e Kosovës, kanë qenë katër kallëzime penale dhe një aktakuzë. 

Parcela njëkohësisht gjendet në kuadër të zonës mbrojtëse të aseteve të cilat janë të listuara në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme dhe të përhershme sikurse: Shtëpia e Familjes Arapi, Shtëpia e Familjes Koçbashliu dhe Shtëpia e Familjes Pomaku” (Foto: QRTK Prizren) 
 

Prizreni sivjet është përballur me ndërhyrjen më të rëndë në trashëgimi kulturore: Rrënim të monumenteve nën mbrojtje të përhershme. Në fund të majit e fillim të qershorit për herë të parë shtetit të Kosovës i është rrafshuar një kompleks monumental nën mbrojtje të përhershme, kategoria më e lartë e një aseti të trashëgimisë kulturore. Bëhet fjalë për tri objekte brenda “Kompleksit Saraji i Vjetër – Prizren”: ish-Fabrika e barnave, ai që njihej si Burgu i Vjetër dhe një shtëpi e fundit të viteve ’20. Këto, bashkë me Internatin dhe Postën e Vjetër që gjenden në anën tjetër, kanë formuar kompleksin monumental. Në bazë të shkresave, Ministria e Kulturës ishte njoftuar nga Komuna e Prizrenit për dhënien e lejes për ndërtim të një subjekti privat të premten e 24 majit. Të hënën – kur edhe kishin nisur punimet për rrafshimin e ndërtesave, MKRS-ja prapë ishte në dijeni. Sa i përket reagimit publik, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, nuk kishte bëza fare deri në rrënimin e plotë të tri monumenteve. E në gusht kishte qenë i zellshëm në një konferencë për media.

Konferencën e ka nisur duke dhënë lajmin se në Prokurorinë Themelore të Prizrenit kanë dorëzuar kallëzim penal ndaj kryetarit të Komunës së Prizrenit, drejtorit të Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, bashkëpunëtores profesionale të po kësaj komune e drejtoreshës së Departamentit Ligjor të Ministrisë së Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. 

Pjesë e këtij kallëzimi penal është edhe pronari privat si investitor, për shkelje të rendit kushtetues, si i dyshuar për rrënimin e këtij aseti. Përderisa për kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totaj, ky mund të jetë veprim i ministrit Çeku për konsum elektoral, i pari i MKRS-së kishte kërkuar nga institucionet e drejtësisë që ta marrin rastin me seriozitet të lartë. Sipas Komunës së Prizrenit, si pushtet lokal kanë qenë të detyruar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që të japin leje ndërtimi në atë hapësirë. Për këtë rrënim investitori Avzilatif Xhemali, pronar i biznesit individual me emër tregtar “Rimed”, e ka shfrytëzuar vendimin për leje ndërtimore të lëshuar nga Komuna e Prizrenit. Ai në fund të vitit të kaluar kishte kërkuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve pëlqim për zhvillimin e parcelave që gjenden në zonën e dytë të mbrojtur në kuadër të Qendrës Historike të Prizrenit. IKMM-ja nuk e kishte dhënë pëlqimin. Qenë rrënuar dy ndërtesat e ish-fabrikës së “Farmakosit” dhe Burgu. 

Historia e nismës për rrënimin e kompleksit është e vjetër. Zë fill në vitin 2019, kur ndërtesat gëzonin veç mbrojtje të përkohshme që, sa i përket ndërhyrjes, sipas Ligjit për Trashëgimi Kulturore procedurat për investim dhe sanksionet ndaj veprimeve të paautorizuara janë të njëjta. 

Asokohe Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve kishte dhënë pëlqimin. Por MKRS-ja si shkallë e dytë kishte menduar ndryshe. 

Në nëntor të atij viti, institucioni më i lartë kulturor në vend kishte shfuqizuar vendimin e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, që i hapte rrugë ndërtimit të objektit në zonën e mbrojtur përreth aseteve të trashëgimisë kulturore, që janë Posta e Parë e Qytetit dhe Kazerma e Vjetër, që njihet ndryshe edhe si Internati. Për këtë kishte vendosur Komisioni për shqyrtimin e ankesave kundër vendimeve të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve në procedurën e dhënies së lejeve dhe pëlqimeve në trashëgiminë kulturore arkitekturore.