Kulturë

Prizreni synon që me Qendër Hebraike të tërheqë turistë nga Izraeli

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, është pajtuar me ministrin e Turizmit të shtetit të Izraelit, Haim Katz, për të intensifikuar angazhimet drejt zhvillimit të shkëmbimeve turistike mes dy vendeve. Si pikë e rëndësishme në këtë aspekt po shihet edhe realizimi i projektit për Qendrën Hebraike në Prizren, që sipas zyrtarëve lokalë duhet të jetësohet sa më shpejt që të jetë e mundur

Qendra Hebraike në Prizren sipas autoriteteve komunale mund të jetë një pikë reference për tërheqjen e turistëve nga shteti i Izraelit, bashkë me tërësinë e monumenteve të tjera të trashëgimisë kulturore e fetare të qytetit të vjetër. Mundësitë e zhvillimit të turizmit ndërmjet Kosovës e Izraelit janë diskutuar të martën në takimin që kryetari Shaqir Totaj ka zhvilluar me ministrin e Turizmit të Izraelit, Haim Katz.

Kryetari Totaj ka theksuar se gjatë takimit me zyrtarin izraelit, Qendra Hebraike në Prizren është përmendur si një pikë e rëndësishme që dëshmon praninë e këtij komuniteti në qytetin historik.

“E përmendëm atë si një pikë të rëndësishme, si një element i pranimit të ekzistimit të një komuniteti të vogël edhe si njohje e ekzistimit të atij komuniteti, sepse Prizreni si një qytet me diversitet, do që ta promovojë diversitetin dhe do që t’ia njohë secilit grup sado të vogël faktin që ekziston në Komunën e Prizrenit”, ka thënë Totaj.

Në të njëjtën kohë ka vlerësuar se projekti do të zbatohej më shpejt nga ana e Komunës.

“E theksova se po të kishte qenë në kompetencë të Komunës ajo punë do të kishte përfunduar më herët, meqenëse është kompetencë e Ministrisë po na vonohet pak, por shpresojmë se do të kryhet”, është shprehur ai.

Ministri i Turizmit i shtetit të Izraelit, Haim Katz, ka shfaqur bindjen për zhvillimin e turizmit me angazhimin e dyanshëm, teksa takimin e ka cilësuar si të frytshëm.

“Patëm një takim shumë të mirë dhe shpresoj se bashkë do të zhvillojmë turizmin, duke sjellë turistë nga Izraeli këtu dhe prej këtu për në Izrael”, ka deklaruar Katz.

Punët restauruese në ndërtesën dedikuar komunitetit hebraik patën filluar në nëntor të vitit të shkuar dhe pjesëtarë të komunitetit, diplomatë e zyrtarë institucionesh patën pohuar se në këtë mënyrë pasurohet mozaiku shumëkulturor i Prizrenit, me ç’rast konfirmohet edhe një herë miqësia e kamotshme e shqiptarëve dhe hebrenjve.

për restaurimin e objektit drejt krijimit të qendrës shumëfunksionale për bashkësinë hebraike në Prizren ishte cilësuar si moment i ndjeshëm dhe me peshë të madhe nga kreu i kësaj bashkësie, Votim Demiri, i cili kishte shprehur bindjen se “shpirti i hebrenjve gjithmonë ka qenë pjesë e mozaikut të shoqërisë kosovare”.

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, pati vlerësuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për respektimin e komunitetit hebraik të Kosovës, si dhe historinë e bashkëjetesës së tyre në këtë vend.

Ndërkaq ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kishte pohuar se kjo qendër është e para e këtij lloji në Kosovë sa i përket kombinimit të funksioneve, paraqet një konfirmim të qëndrimit të shoqërisë dhe Qeverisë së Kosovës për miqësinë me shtetin e Izraelit e popullin hebraik.

Kjo qendër, pas funksionalizimit të plotë, parashihet që të vihet në shërbim të komunitetit hebraik, por edhe të gjithë qytetarëve dhe turistëve të huaj. Në të krahas Sinagogës do të ketë hapësirë muzeale, galeri, bibliotekë, e të tjera. Objekti sipas projektit parashihet që të shfrytëzohet nga komuniteti hebraik i Kosovës, por njëkohësisht do të jetë i hapur për vizitorët e pjesës muzeale, derisa hapësira parashihet të shfrytëzohet edhe nga institucionet lokale të Prizrenit për mbajtjen e ngjarjeve e takimeve të ndryshme. Gjithnjë sipas projektit te muret e muzeut parashihet që të vendosen edhe fotografi dhe elemente domethënëse të historisë së dy popujve, si dhe marrëdhënieve të tyre përgjatë viteve.

Qendra Kulturore Hebraike dhe Sinagoga në Prizren do të zënë vend në rrugën e bujtinave, përkatësisht te “Qafa e Kishës”. Kjo ndërtesë në të shkuarën ka funksionuar si bujtinë ose hotel dhe gjatë kohës ka ndryshuar destinimi i saj.

Kuvendi i Prizrenit në fund të vitit 2016 kishte marrë vendim për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të kësaj ndërtese për nevojat e Bashkësisë Hebraike të Kosovës, me qëllim të renovimit dhe shndërrimit të saj në objekt fetar. Në gusht të vitit 2017, pjesa lindore e ndërtesës ishte shembur, si pasojë e depërtimit të ujërave nga rrjeti i kanalizimit. Por Ministria e Kulturës ka iniciuar projektin për restaurimin e kësaj ndërtese në vlerë prej 550 mijë eurosh.