Janë vepra fort të njohura botërore e perla të muzikës shqipe, por në frymën e orkestrës frymore “Prizreni” vijnë me tingëllimë të veçantë. Nën dirigjimin e Edon Ramadanit, orkestra ka debutuar në Prishtinë e një formacion i tillë është cilësuar si freski për skenën muzikore në Kosovë
Rreth njëzet instrumentistë me uniformën “kuq e kaltër” janë rreshtuar para publikut në Prishtinë. Secili pranë vetes ka pasur një instrument frymor. Për t’i bërë bashkë tingujt e instrumenteve me të cilat luajnë, edhe e kanë krijuar orkestrën e parë frymore, “Prizreni”. Veprave u japin një tingëllimë të veçantë nëpërmjet specifikave që kërkojnë instrumentet në të cilët luajnë. Pas koncertit të së dielës mbrëma në shtëpinë e kulturës “Xhemajli Berisha” në Prizren, orkestra të hënën mbrëma ka interpretuar për herë të parë para publikut në kryeqytet.
Në sallën “Bogdani Polis” në katedralen “Nënë Tereza”, orkestra është prezantuar me një program të pasur e atraktiv. Nën dirigjimin e Edon Ramadanit, orkestra nëpërmjet tingujve ka përshkuar stile të ndryshme, duke sjellë në një version të veçantë veprat më të dëgjuara botërore. Këngët e njohura shqiptare kanë qenë një ndalesë e kohëpaskohshme. Me qëllim, mbrëmja ka nisur me veprën “Mal’sorja” të kompozitorit Lorenc Antoni me aranzhim të Tomor Berishës. Qysh në interpretimin e parë, audienca e ka përqafuar me duartrokitje koncertin e tyre. Në ditën e fillimit të pranverës, orkestra është munduar të manifestojë harmoninë e kësaj stine edhe nëpërmjet interpretimit. Këtë e ka bërë me interpretimin e këngës shkodrane “Pranvera filloi me ardhë” aranzhuar prej Kreshnik Aliçkajt. Përpunime të veprave të njohura si “Theme from the Godfather” e Nino Rotas, “The second waltz” e Dimitri Shostakovich, “Libertango” e Astor Piazolles kanë ardhur me ngjyrim të veçantë në harmoninë e lojës së instrumentistëve më të dalluar të instrumenteve frymore në Kosovë. Anëtarët e orkestrës e cila debutoi në Prizren në vitin 2021, veçse kanë filluar familjarizimin me njëri-tjetrin e me publikun. Në tri koncerte sa ka realizuar kjo orkestër, lojën e ka udhëhequr dirigjenti i njohur, Edon Ramadani.
“Është kënaqësi dhe privilegj për mua të jem dirigjent i kësaj orkestre, duke e ditur që këtu kemi instrumentistët më të dalluar në vend. Kemi një program të gjerë, duke filluar nga pjesët më klasike, deri tek ato moderne, por asnjëherë duke mos harruar veprat shqiptare, sidomos për publikun e ri, që këto të mos harrohen, por të zhvillohen edhe më shumë”, ka treguar Ramadani për KOHËN, fill pas koncertit i cili ka zgjatur rreth një orë.
Para publikut është interpretuar edhe kënga e njohur popullore “Hapi sytë e zeza”, e përpunuar nga trumpetisti Avni Krasniqi. Vepra është përpunuar para shtatë vjetësh nga Krasniqi për një ansambël më të vogël. Tash për orkestrën ku luan edhe vetë ai, vjen me ngjyrim më dinamik.
“Jam munduar ta stilizoj për këtë formacion dhe besoj që ia kam arritur. Unë jam i privilegjuar që jam në këtë orkestër. Është më rëndësi që qyteti i Prizrenit e ka krijuar një orkestër të tillë e cila po zhvillohet gjithnjë e më shumë”, ka thënë trumpetisti Krasniqi për KOHËN.
Për dirigjentin Ramadani, udhëheqja e një orkestre të tillë sa është privilegj, është edhe sfidë për shkak të specifikave të instrumenteve. Por, sipas tij, puna e vazhdueshme dhe dëshmimi i kësaj orkestre para publikut tregon se janë gati, por që u duhen salla më adekuate ku loja e instrumentistëve mund të tingëllojë më mirë.
“Vetë ndërrimi i temperaturës mund të ndryshojë në intonacionin e këtyre instrumenteve. Po mundohemi që në periudha afatgjate ta rregullojmë intonacionin, pavarësisht që nuk i kemi instrumentet dhe sallat më të mira në botë. Nuk po kemi salla adekuate ku të interpretojmë, kjo sallë nuk është e krijuar për një ambient muzikor. Ne jemi shumë gati, nuk po kemi salla të denja për ta shfaqur artin tonë”, ka thënë Ramadani.
Duartrokitje të gjata të publikut që ka zënë pothuajse çdo ulëse të sallës e kanë mirëpritur programin e pasur e të larmishëm të interpretuar nga instrumentistët frymorë. Kështu, publiku kryeqytetas veçse e ka mirëpritur formimin e kësaj orkestre që u prezantua për herë të parë në Prishtinë. Nga kompozitori Valton Beqiri, aktivitetet e kësaj orkestre janë vlerësuar si freski në jetën kulturore kosovare.
“Çdo iniciativë e tillë duhet të përkrahet. Ky formacion orkestral ka hapësira të ndryshme të prezantimit të stileve të ndryshme. Orkestra ka arritur të përfaqësojë këngët shqipe, këngët e huaja dhe artistike në një petk të tillë. Programi ishte definuar mjaft qartë dhe ishte i pëlqyeshëm për publikun”, ka thënë Beqiri për KOHËN.
Orkestra frymore “Prizreni” është themeluar në vitin 2020 në këtë qytet dhe ka për qëllim të fuqizojë marrëdhëniet me komunitete të ndryshme nëpërmjet koncerteve dhe projekteve kulturore. Në përshkrimin e kësaj orkestre thuhet se orkestra u formua nga vullneti dhe dëshira për të krijuar një orkestër me anë të së cilës i ofrohet publikut një cilësi më e lartë artistike dhe më e veçantë nga të tjerët. Orkestra nëpërmjet interpretimeve ka për qëllim që në koncertet e saj të gërshetojë stile të ndryshme muzikore e për të krijuar një lidhje të veçantë me publikun.