Kulturë

Prizreni me rregullore synon tjetër imazh të trashëgimisë kulturore

Rregullorja që synon vendosjen e rendit në shfrytëzimin e hapësirës publike në qytet dhe në Zonën Historike të Prizrenit është rivotuar në Kuvendin e Komunës së Prizrenit, pasi Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kishte konstatuar se ky akt nuk ishte në përputhje me dispozitat e legjislacionit në fuqi, përfshirë Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Ligjin për trashëgiminë kulturore

Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit kanë rishqyrtuar Rregulloren mbi trajtimin e mënyrës së shfrytëzimit të hapësirës publike të qytetit dhe të Zonës Historike të Prizrenit. Ky akt është plotësuar në bazë të vërejtjeve të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, që pati konstatuar se Rregullorja nuk është në përputhje me dispozitat e legjislacionit në fuqi, përfshirë Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Ligjin për trashëgiminë kulturore.

Në shkresën e MMPHI-së drejtuar autoriteteve komunale ishte kërkuar harmonizimi i Rregullores së miratuar më 22 shtator 2022, me legjislacionin në fuqi.

“Rregullorja, përpos që duhet të jetë në harmoni me Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit, ajo duhet të jetë e bazuar edhe në Ligjin për trashëgiminë kulturore dhe me Rregulloren për caktimin e institucioneve publike të trashëgimisë kulturore, vartëse të MKRS-së, në cilësinë e institucioneve kompetente”, thuhet në sqarimet e përgjithshme të përshkruara në shkresën e MMPHI-së.

Ndërkaq tek sqarimet specifike, MMPHI-ja ka bërë të ditur nevojën e përmirësimeve në disa nene, me ç'rast ka konfirmuar se nuk është në dijeni nëse “paraprakisht ka pasur pëlqim nga QRTK-ja në Prizren lidhur me shtojcat grafike të prezantuara në Rregullore”.

Gjithashtu për disa nene të Rregullores është theksuar se duhet të plotësohen me sqarimin se nevojitet të merret pëlqimi nga QRTK-ja e Prizrenit, derisa nenet 38 dhe 39 duhet të plotësohen me kompetencat edhe të inspektorëve të trashëgimisë kulturore. “Krejt në fund, po e ritheksojmë që bazuar në Ligjin për trashëgiminë kulturore dhe Rregulloren (MKRS) për caktimin e institucioneve publike të trashëgimisë kulturore, vartëse të MKRS-së, në cilësinë e institucioneve kompetente sa i përket QHP të Prizrenit, institucion kompetent për dhënien e lejeve dhe pëlqimeve është QRTK Prizren, ndërsa sa i përket monumenteve dhe zonave mbrojtëse të tyre jashtë QHP-së, institucion kompetent për lëshimin e lejeve dhe pëlqimeve është Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve”, thuhet në shkresën e Ministrisë, me të cilën kërkohej harmonizimi ligjor i Rregullores komunale.

Kuvendi i Komunës së Prizrenit në seancën e fundit ka rishqyrtuar vendimin bazuar në vërejtjet e MMPHI-së.

Kreu i Grupit Punues për hartimin e rregullores, Raim Alija, ka bërë të ditur se Ministria ka konstatuar se në këtë akt nuk janë marrë parasysh dispozitat e Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit dhe të Ligjit për trashëgiminë Kulturore.

“Në atë drejtim, Grupi Punues menjëherë u mblodh dhe ka shqyrtuar propozimet, vërejtjet dhe sugjerimet, dhe lidhur me këtë e ka plotësuar dhe ka ndryshuar këtë draft-rregullore. Dhe sot pas shqyrtimeve dhe vërejtjeve që kanë bërë atje dhe përpilimit të draft-rregullores përfundimtare ka mbetur që edhe një herë sipas procedurës me e qit në rivotim sipas vërejtjeve dhe sugjerimeve të MMPHI-së", ka thënë Alija.

Kuvendari opozitar, Islam Thaçi, ka adresuar vërejtje për anëtarët e Grupit Punues, që gjatë hartimit të Rregullores kanë lejuar që të ketë gabime teknike në përmbajtjen e saj.

“Mirëpo, është pak ta them e pafalshme për këta për shkak se janë të gjithë profesionistë të fushave të tyre, domethënë duke marrë parasysh se në përpilimin e kësaj rregulloreje pak a shumë të gjitha drejtoritë kanë dhënë kontributin e vet, me stafin që e kanë dhe e di që janë munduar t’i përzgjedhin punëtorët më të mirë për përpilimin e kësaj. Mirë është, edhe shpresoj që këtë plotësim-ndryshim që ka kërkuar Ministria mos të keni bërë lëshim edhe mëkat është që këtij Kuvendi përsëri t’i kthehen për disa gabime teknike”, ka deklaruar Thaçi i LVV-së.

Kjo rregullore shërben për përcaktimin e bazës juridike dhe të kritereve themelore për lejimin e vendosjes së objekteve të përkohshme në sipërfaqe publike, duke përkufizuar zonat ku ato mund të vendosen, llojet e objekteve, mënyrën e vendosjes së tyre, si dhe kriteret për përcaktimin e tarifave.

Lidhur me shfrytëzimin e hapësirave publike në Qendrën Historike, por edhe në pjesët e tjera të qytetit të Prizrenit gjatë këtij viti vazhdimisht ka pasur ankesa nga kuvendarët opozitarë.

Ilir Gashi në seancat e mëhershme të KK-së kishte adresuar shqetësimin lidhur me uzurpimin e hapësirave publike në Zonën Historike dhe në lagjen “Ortakoll”, përmes vendosjes së konstruksioneve të metalit, dhe tavolinave e karrigeve.

“Në këtë mënyrë po pamundësohet qarkullimi i lirë i qytetarëve dhe i vizitorëve në ‘Shadërvan’, si dhe kjo pamje nuk po lë shije të mirë tek vizitorët”, kishte thënë ai.

Kryetari Shaqir Totaj kishte pranuar se bëhet fjalë për një çështje që i shqetëson të gjithë qytetarët e vizitorët.

“E kemi formuar një grup punues, në kuadër të Drejtorisë së Shërbimeve Publike edhe të Urbanizimit për ta bërë një rregullore qysh me e menaxhu më mirë ‘Shadërvanin’, por edhe pjesët tjera ku ka kafeteri, ku ka çadra, tavolina, edhe karrige. Në Grupin Punues ka edhe anëtarë të shoqërisë civile, por edhe të Shoqatës së Gastronomëve, sepse kemi menduar se është mirë me i përfshi edhe ata, në mënyrë që rregullorja të jetë më gjithëpërfshirëse”, kishte thënë Totaj, duke shtuar se gjatë vizitave në qytetet evropiane ka vërejtur se në zonat historike shfrytëzohen hapësirat publike, por se një gjë e tillë realizohet sipas rregullave dhe pa e cenuar funksionalitetin dhe pamjen estetike të qendrës.

“Po punojmë me e hartu një rregullore sa më gjithëpërfshirëse, e pastaj atë rregullore me e zbatu Drejtoria e Inspektorateve”, kishte deklaruar Totaj, duke u përgjigjur në vërejtjet e kuvendarit Gashi.

Dispozitat e Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit kanë përkufizuar aktivitetet e kufizuara në këtë zonë, ku bëjnë pjesë edhe vendosja e kioskave, tezgave, tavolinave dhe elementeve të tjera montazhe, parkingjeve ose të ngjashme, që do të pengonin vizurat dhe qasje të lirshme në monument, si dhe vendosjen e kontejnerëve dhe shportave të tjera për mbeturina para dhe në afërsi të monumenteve.