Kulturë

Prizreni i përvojave unike si mësim për 200 studentë të huaj

Si mjedis shumëkulturor, Prizreni është përvojë e veçantë për më shumë se 200 studentë nga vende të ndryshme të botës të cilët po ndjekin Shkollën Verore Ndërkombëtare, organizuar për të dytin vit nga universiteti “Ukshin Hoti” në bashkëpunim me festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”. Edhe Festivali është një shkollë më vete, shembull edhe për këta të rinj

Mbi 200 studentë nga vende të ndryshme të botës po marrin pjesë në Shkollën Verore Ndërkombëtare në Prizren të organizuar nga universiteti “Ukshin Hoti” në bashkëpunim me festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”. Në edicionin e dytë të kësaj shkolle në program janë gjashtë module nga gjashtë njësitë akademike të këtij institucioni të arsimit të lartë.

Për pjesëmarrësit që vizitojnë për herë të parë Kosovën, ky organizim është mundësi e mirë për të fituar dije në një mjedis shumëkulturor, por edhe për të krijuar miqësi të reja.

Chiamaka Adinnu, studente nga Nigeria, ka thënë se ky rajon paraqet një hapësirë për të cilin ka qenë e interesuar vazhdimisht dhe se tani pret që të krijojë përvoja të reja me studentët nga vendet e ndryshme të botës.

“Mendoj se përvoja shumëkulturore ka qenë shumë e mirë deri më tani. Ka një përzierje shumë të mirë të studentëve nga kulturat e tjera. Kam takuar disa studentë nga SHBA-ja, Maqedonia, Shqipëria dhe vende të tjera të Evropës dhe ka qenë një përvojë e vlefshme deri më tani për mua, pasi në ndërveprim mund të mësoj kultura të reja, por edhe të shqyrtoj mundësi të reja”, ka thënë Adinnu.

Luis Britos, student nga Argjentina në Kosovë, ka ardhur nga një shkollë verore në Gjermani dhe shpreson që edhe këtu të mësojë gjëra dhe kultura të reja.

“Për mua është një përvojë e re, sepse teknikisht Kosova është një shtet i ri, për të cilin nuk kam shumë njohuri dhe shpresoj të njihem me kultura të ndryshme dhe të njoh shumë njerëz për ta zgjeruar rrjetin tim. Pra, është një përvojë e re kulturore, madje edhe natyra është ndryshe këtu, dhe për mua është një ambient tërësisht i ri”, ka thënë Britos.

Modulet e këtij viti përmbajnë tema aktuale, si: “Eksplorimi i identiteteve gjuhësore dhe kulturore përmes filmave” pastaj “Diskursi dhe shoqëria: Rimendimi i kuadrit të analizës kritike të ligjërimit”, sikurse edhe “Të dhënat për inteligjencën e biznesit: një perspektivë koduese dhe jokoduese”, “Financat ndërkombëtare: Sfidat dhe mundësitë e Blockchain”, “Ligji ndërkombëtar dhe përdorimi i forcës: zhvillimet e fundit” dhe “Matja e qëndrueshmërisë dhe elasticitetit të sistemeve agro-ushqimore”.

Eroll Bilibani nga “DokuFesti” ka thënë se gjatë festivalit pjesëmarrësit e Shkollës Verore do të kenë mundësi që të përfshihen në një mori aktivitetesh, përfshirë shfaqjen e filmave, diskutime, punëtori e madje edhe netët me muzikë.

“Kur jemi ftuar për të qenë pjesë e Shkollës Verore vitin e shkuar nuk kemi pasur asnjë dilemë nëse duhet të pranojmë këtë ftesë të çmuar nga Universiteti në Prizren. Kemi vendosur që t’i bashkojmë forcat që ta bëjmë këtë shkollë verore të paharrueshme për çdo student. Viti i shkuar ka qenë i paharrueshëm për të gjithë pjesëmarrësit dhe këtë vit besoj se do të jetë edhe më i mirë”, ka thënë Bilibani.

Mentor Alishani, rektor i universitetit “Ukshin Hoti”, ka shprehur bindjen se këtë verë nis një udhëtim i dijes, rritjes dhe përvojave të paharrueshme për pjesëmarrësit.

“Shkolla Verore nuk është vend vetëm sa për të mbushur zbrazëtinë mes viteve akademike. Është një platformë për eksplorim, frymëzim dhe vetëzbulim. Është një mundësi për t’i zgjeruar horizontet tona, përqafuar sfidat e reja dhe për të zhvilluar durimin tonë”, ka thënë Alishani.

Emilija Rexhepi, zëvendëskryeministre, ka theksuar se studentët në Prizren do të shohin se si bashkëjetojnë kultura, tradita e gjuha e komuniteteve të ndryshme.

“Do të shihni se si jetojnë bashkë komunitetet e ndryshme në frymën e respektit dhe njohjes së kulturave të ndryshme në qytetin tonë, por do të shihni edhe se si zhvillohet shumë shpejt një shtet i ri demokratik, ku ka hapësirë për secilin njeri”, ka thënë zëvendësministrja Rexhepi.

Në thirrjen e hapur nga universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren patën aplikuar gjithsej 336 studentë nga 45 vende të ndryshme të botës dhe Këshilli Organizativ ka pranuar 200 studentë.

Përveç pjesës kurrikulare, organizatorët kanë planifikuar edhe aktivitete të tjera, që do të zhvillohen në kampusin e Universitetit, në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve, si dhe në Qendrën Historike të qytetit. Shkolla Verore Ndërkombëtare do t’i zhvillojë punimet deri më 11 gusht.