Kulturë

Prizreni bëhet gati që në fundjavë të jetë kryeqendër e shqiptarisë

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se për shënimin e 144-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si dhe për nder të Ditës së Çlirimit do të organizojë një mori aktivitetesh kulturore. Pos ftesës për të gjithë kryetarët e komunave shqiptare të rajonit, në kremten treditore sipas zyrtarëve komunalë janë të mirëpritur edhe vizitorët e tjerë nga trojet shqiptare

Prizreni është bërë gati që gjatë tri ditëve të fundjavës të jetë kryeqendër e shqiptarisë. Krahas kryetarëve të komunave nga trevat shqiptare, nikoqirët u kanë bërë thirrje edhe qytetarëve nga këto treva që t’i bashkohen festës në Prizren, për nder të shënimit të 144-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si dhe për nder të Ditës së Çlirimit të Prizrenit.

Zëdhënësja e Komunës së Prizrenit, Jona Hoxhaj, ka theksuar se Prizreni si kryeqendër historike është bërë gati që të vërtetojë edhe epitetin e kryeqendrës kulturore. Me këtë rast ajo ka ftuar të gjithë shqiptarët nga rajoni që t’i bashkohen festës disaditore në qytetin e vjetër.

“Duke pasur parasysh se ne e kemi bërë promovimin e eventit pothuajse dy muaj më herët dhe shumë qytetarë janë të njoftuar, ne presim që të kemi fluks turistësh gjatë këtyre tri ditëve, të cilët do t’i ndjekin po ashtu dhe këto aktivitete, kështu që me këtë rast ne përveçse jemi kryeqendër historike e shqiptarisë edhe njëherë do të tregojmë se do të kemi aktivitete kulturore, artistike, sportive, ekspozita, turnirët, koncerte të mëdha dhe po ashtu një bashkim të të gjithë kryetarëve të komunave”, ka thënë Hoxha duke folur edhe për programin.

Kemi bërë laramani që të gjithë njerëzit që do të jenë mysafirë gjatë këtyre ditëve të gjejnë veten në disa prej aktiviteteve që ne kemi organizuar”, ka thënë ajo.

Paraprakisht ajo ka shpjeguar se datat 10 dhe 12 qershor kanë rëndësi të madhe për Prizrenin për shkak të shënimit të përvjetorëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, respektivisht të Ditës së Çlirimit të Prizrenit, dhe se pikërisht për nder të këtyre datave më 10, 11 e 12 qershor do të ketë agjendë të ngjeshur aktivitetesh kulturore. Njëherësh do të bëhen bashkë të gjithë kryetarët e komunave nga trevat shqiptare.

Image
Zëdhënësja e Komunës së Prizrenit, Jona Hoxhaj, ka theksuar se Prizreni si kryeqendër historike është bërë gati që të vërtetojë edhe epitetin e kryeqendrës kulturore

“Është gjë shumë e rëndësishme, sidomos më datën 10 ne do të organizojmë një organizim madhështor, i cili nuk ka ndodhur asnjëherë gjatë këtyre viteve, ku do të mblidhen të gjithë kryetarët e komunave shqipfolëse në rajon, duke përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, dhe komunat shqipfolëse në Serbi”, ka thënë ajo. Ngjarjen e ka paralajmëruar si të jashtëzakonshme, ku do të mblidhen të gjithë së bashku në nder të kësaj dite të rëndësishme.

“Do të rikujtojmë edhe njëherë që bashkimi i komunave dhe bashkimi i shqiptarëve do të na sjellin bashkëpunime të shumta në të ardhmen, do të krijojmë një lidhje dhe një njoftim me njëri-tjetrin, që të gjithë bashkë të mund të bashkëpunojmë në të ardhmen për të mirën e shqiptarëve në rajon”, ka thënë ajo.

Ajo ka pohuar se për festën madhështore, Komuna e Prizrenit është mbështetur edhe nga Unioni i Bashkive Shqiptare të Rajonit, si dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Sipas agjendës së aktiviteteve të planifikuara nga Komuna e Prizrenit, kremtimi treditor do të fillojë më 10 qershor me pritjen për kryetarët e komunave, për të vazhduar me takimin solemn në përkujtim të 144-vjetorit të LSHP-së në oborrin e Kompleksit Muzeor të Lidhjes. Ndërkaq në orët e pasdites do të mbahet festivali poetik "Ora e Lidhjes", dhe në mbrëmje koncerti me rock-grupet në Sheshin Shadërvan.

Festa do të vazhdojë më 11 qershor me Festivalin e Ushqimit në bashkëpunim me Odën e Tregtisë së Tiranës, dhe në të njëjtën ditë do të mbahet konferenca shkencore për hulumtimet arkeologjike (2019-2021) të zhvilluara në kompleksin e Katedrales së Zonjës Ndihmëtare në Prizren, turneu i futbollit, pastaj ekspozita e stripit dhe karikaturës së artistit Gani Sunduri dhe koncerti i SHKA-ve të Komunës së Prizrenit. Ndërkaq në Ditën e Çlirimit të Prizrenit, pos homazheve për dëshmorët, do të organizohet edhe një seancë solemne e KK-së, bashkë me pritjen për veteranët e luftës së UÇK-së, derisa kremtimi treditor do të mbyllet me Koncertin e Lirisë në Shadërvan, me këngëtarët Leonora Jakupi dhe Asim Gashi.

Më 10 qershor të vitit 1878, Kuvendi i Përgjithshëm i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit pati filluar punimet, me ç’rast ishte ngritur zëri kundër copëtimit të tokave shqiptare, derisa në mbledhjen e përgjithshme ishte vendosur që të krijohej një organizatë me karakter politik e ushtarak, me qendër drejtuese në Prizren dhe me degët përkatëse në krahinat e ndryshme shqiptare. Në këtë mënyrë sipas historianëve lindi "Besëlidhja" (itifak), që më vonë u quajt “Lidhja Shqiptare” ose “Lidhja e Prizrenit”. Organizata politiko-ushtarake e LSHP-së në luftë e sipër u shndërrua në një organizëm shtetëror me administratën, ushtrinë, dikasteret dhe territorin e saj, prandaj dhe gëzon statusin e ngjarjes së rëndësishme në historinë e përpjekjeve të popullit shqiptar për liri dhe pavarësi kombëtare.