Kulturë

“Prizrenfesti” gati për ngritjen e perdes së botës teatrore

Qysh në edicionin e dytë, festivali ndërkombëtar i teatrit në ambient të hapur, “Prizrenfest”, e ka zgjeruar hartën e vendeve pjesëmarrëse. Janë njëzet shfaqje pjesëmarrëse: Italia, Sllovakia, Ukraina, Shqipëria, Çekia, Mali i Zi, Greqia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut e Kosova, por programi nuk kufizohet vetëm te kjo pjesë. Organizohen edhe punëtori e konferenca. Në një vend ende pa liberalizim vizash, “Prizrenfesti” sjell botën teatrore

Festivalit ndërkombëtar të teatrit në ambient të hapur, “Prizrenfest”, nuk i është dashur më shumë sesa një edicion që të shndërrohet në një adresë me peshë të teatrove nga vende të ndryshme të botës. Tashmë është gati për edicionin e dytë dha harta e vendeve pjesëmarrëse është zgjeruar. Për shtatë ditë do të zbarkojnë trupa nga Italia, Sllovakia, Ukraina, Shqipëria, Çekia, Mali i Zi, Greqia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut e Kosova.

Sonte (e shtunë) “Maidan Inferno”, nën regjinë e Clement Peretjatko, një prodhim midis Ukrainës e Francës, në “Kino Lumbardhi” do të bëjë edhe hapjen zyrtare të festivalit.

Në program janë gjithsej njëzet shfaqje, të cilat pos “Kino Lumbardhit” do të jepen edhe në “Kino Plato”, “Abi Çarshia”, në oborrin e Lidhjes së Prizrenit, në Katedralen e Zojës Ndihmëtare, në Kejin e Sinan Pashës e në Teqenë e Halvetive” e të tjera. Përveç shfaqjeve për të rritur, festivali ofron edhe shfaqje për fëmijë si: “Mik – Mik”, “Teatrosk”, “Tomi e Xheri” e të tjera. Dhe shfaqjet për fëmijë janë risi e këtij viti. Kosova prezantohet me “Babai dhe babai”, nën regji të Kushtrim Koliqit, “Gadjo”, nën regji të Blerta Nezirajt, “Megalomania”, nën drejtim dhe koncept të koreografit Robert Nuha e të tjera. Duke përmendur faktin që “Prizrenfesti“ është festivali i parë i teatrove në Kosovë që organizon shfaqje në ambient të hapur, Rabije Kryeziu, përgjegjëse për media në “Prizrenfest”, është shprehur e lumtur edhe me karakterin e tij ndërkombëtar. Prezantimi i shfaqjeve nga rajoni e më gjerë, sipas saj, ofron mundësi të shumta për artistët e skenës vendore.

“Ne e dimë që si kosovarë e kemi problem të vizitojmë vende të Evropës, duke u nisur nga maltretimi që na bëhet për viza. Kështu nuk ka kënaqësi më të madhe se të kemi shkëmbim përvojash nga profesionistë teatrosh që kanë goxha emër, regjisorë me emër e me çmime ndërkombëtare. Përveçqë mësojmë për kulturat e tyre, për mënyrat e punës së tyre, na ofrohet një mundësi e mirë për bashkëpunim në të ardhmen, pse jo. Ta çojmë edhe teatrin tonë andej”, ka thënë ajo.

I lumtur me ecurinë e festivalit është edhe drejtori ekzekutiv i “Prizrenfestit” aktori i njohur Shkëlzen Veseli. Ka vlerësuar punën dhe mundin që organizatorët kanë bërë për të sjellë në festival edhe shfaqje nga vendet e tjera.

“Nga ky edicion pres që publiku i Prizrenit, dhe jo vetëm, me i shiju pafund shfaqjet që janë artistikisht shumë të mira e që ka pasur angazhim shumë të madh të të gjithë ekipit dhe Adrian Morinës si drejtor artistik, që këta emra të vijnë dhe të performojnë në ‘Prizrenfest’ sivjet. Pres të konfirmohet që ky festival edhe pse është vetëm në edicionin e dytë, ka potencial të rritet e të lërë gjurmë dhe ndikim jo vetëm për Prizrenin”, ka thënë Veseli.

Shfaqjet janë vetëm njëra anë e “Prizrenfestit”.

Në kuadër të aktiviteteve përcjellëse janë edhe dy punëtoritë. Për aq sa do të zgjasë festivali, të rinjtë e moshave 15-21 vjeç do të mund të ndjekin punëtorinë e vallëzimit të drejtuar nga koreografi e artisti multimedial Tomas Danielis nga Sllovakia. Në ditën e fundit të festivalit, në Muzeun e Hidroelektranës “Prizrenasja” do të bëhet edhe prezantimi i punës së pjesëmarrësve në këtë punëtori. Në tjetrën, të rinj prej moshës 15 deri në 18 vjeç do të kenë mundësi të mësojnë më shumë për artin e kukullave.

“Kukullisti (aktori që punon me kukulla) ka aftësinë t’u japë jetë karaktereve por edhe materialeve duke i animuar ato. Përtej kësaj teknike manipuluese, për të ushtruar këtë art, kukullisti niset nga imagjinata e vet. Kjo punëtori do t’i vendosë pjesëmarrësit para një detyre konkrete: si të mishërojmë një pemë? Çfarë imagjinate duhet të ketë një kukullist duhet për të arritur këtë gjë? Për t’ju përgjigjur kësaj pyetjeje, përgjatë punëtorisë do të punojmë me poezi, pikturë, lëvizje dhe forma të tjera të arteve performative”, shkruhet në faqen zyrtare të “Prizrenfestit” në Facebook. Mentor i kësaj punëtorie do të jetë Clément Peretjatko nga Franca.

“Për dallim prej vitit të kaluar, festivali ka risi në të gjitha aspektet. Përveç shfaqjeve që janë në skenën e natës, janë shfaqje për fëmijë që janë me shumicë. Domethënë ‘Prizrenfest’ ka menduar edhe për fëmijë këtë vit. Ka punëtori me profesionistë nga Evropa, ka konferenca të cilat trajtojnë tema të rëndësishme. Përveç teatrit ka punëtori edhe të vallëzimit. Pra, ka risi goxha të mëdha për dallim nga viti i kaluar”, ka thënë Kryeziu.

Është shprehur e lumtur me interesimin e të rinjve teksa ka përmendur edhe mungesën e punëtorive të tilla.

“Natyrisht, jemi shumë të lumtur për këtë duke e pasur parasysh se kemi mungesë të punëtorive, kemi mungesë të teatrit ku trajtohen këto punëtori.”, është shprehur ajo.

Përgjatë ditëve të aktiviteteve, për shkak të numrit të madh të shfaqjeve do të ketë edhe nga dy e më shumë ngjarje për ditë “Prizrenfesti”. Njëra prej ngjarjeve është edhe konferenca me titull “Teatri si mjet për ndryshim dhe transformim shoqëror”, që do të mbahet në ditën e katërt të Festivalit më 26 korrik në Shtëpinë e Shani Efendisë. Vetëm një ditë më pas pjesëmarrësit do të bëhen bashkë në konferencën, “Bashkëpunimi ndërmjet teatrove shqiptare – përparësitë, sfidat dhe mundësitë”, e cila vjen si organizim i përbashkët midis Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatrit Kombëtar të Shqipërisë dhe Teatrit Shqiptar në Shkup.

“Prizrenfesti“ pritet të mbyllet me shfaqje “Jeta është ëndërr” nga Bullgaria.

Në kuadër të edicionit të parë të “Prizrenfestit” ishin paraqitur nëntë shfaqje teatrale nga Kosova, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Rumania dhe Italia, në ambiente të hapura. Ndërsa në kuadër të programit plotësues janë realizuar edhe dy punëtori, një performancë, një konferencë dhe një ekspozitë.