Me edicionin e tretë, festivali ndërkombëtar i teatrit në ambient të hapur, “Prizren Fest”, ka nisur të dielën mbrëma maratonën e shfaqjeve. Në skenën jashtë kinemasë “Lumbardhi” është ngjitur trupa e teatrit “Migjeni” nga Shkodra me shfaqjen “Vizita”. Hapja e Festivalit me shfaqje shqiptare është konsideruar nga organizatorët si dëshmi për përkushtimin e ruajtjes dhe promovimit të vlerave të teatrit shqiptar. “Prizren Festi” sivjet sjell 22 shfaqje e emra të shquar botërorë
Është më shumë sesa festival i teatrit. “Prizren Festi” ka marrë vëmendjen e skenës artistike e kulturore qysh në edicionet e para. Konfirmim i kësaj ka qenë publiku i shumtë në hapje e tejkalimi i kapaciteteve në kinemanë “Lumbardhi” nën qiell të hapur.
Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Ambient të Hapur, ndryshe prej dy edicioneve të kaluara, këtë herë u hap me një shfaqje shqiptare. “Vizita” me autor anglezin George Wells, nën regji të italianit Davide Iodice, produksion i teatrit “Migjeni” të Shkodrës, të dielën mbrëma ka ngritur perden e maratonës së shfaqjeve me plot mesazhe.
Drejtori artistik i festivalit “Prizren Fest”, Adrian Morina, ka thënë se kjo është simbol për përkushtimin për ruajtjen dhe promovimin e vlerave të teatrit shqiptar.
“Hapja e festivalit ‘PrizrenFest’ me një shfaqje shqiptare për ne ka rëndësi shumë të madhe pasi shërben si një urë e fuqishme për të lidhur botën tonë teatrore me atë ndërkombëtare, dhe kjo zgjedhje e jona simbolizon përkushtimin për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë e pasur teatrore shqiptare”, ka thënë Morina.

Publikun e ka paralajmëruar për përjetime unike e të paharrueshme gjatë ditëve të Festivalit.
“Në këtë ambient të hapur, në liri, ku muret janë zëvendësuar nga qielli dhe skena është e rrethuar nga historia dhe natyra, teatri do të na falë një përvojë unike, të paharrueshme për të gjithë. Teatri është një medium që u flet të gjithëve, për të gjithë, vjen nga të gjithë. Ka ekzistuar para nesh dhe do të ekzistojë përjetësisht. Rroftë teatri!”, ka thënë ai.
Ceremonia modeste e hapjes i ka paraprirë shfaqjes. Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka thënë se “PrizrenFest” si festival i teatrit e plotëson mozaikun e ngjarjeve kulturore në këtë qytet.
“Prizreni po e konfirmon që është qendër e jetës kulturore në Kosovë. Teatri është si një manifestim i kreativitetit. Ka shumë talente këtu. Festivali Ndërkombëtar i Teatrove e ka kompletuar mozaikun që ndoshta i ka munguar jetës kulturore në Prizren. Bashkë me festivalet si ‘DokuFest’, ‘RockFest’ dhe të tjerë, Prizreni po shndërrohet në qendër të jetës kulturore. Përmes fuqisë së artit i promovojmë qytetin dhe Kosovën”, ka thënë Totaj nga skena e Festivalit.
Kino “Lumbardhi” ndër vite ka pritur ngjarje unike në fushën e artit e kulturës si një prej hapësirave me peshë për qytetin. Me “Prizren Fest” dritat janë ndezur edhe për shfaqje teatri. Për “Vizitën” e teatrit “Migjeni”.
Njeriu i katandisur në këtë botë, i prirë të reflektojë djallëzinë te një qenie krejt e re dhe e pazakontë, është kryefjala. Ai hyn krejtësisht i pastër në jetën e tyre, por antivlerat ndikojnë në transformimin e tij.

Tensioni është introja e shfaqjes. Publiku njoftohet menjëherë me kryepersonazhin, Engjëllin, që i flet botës së re e të panjohur midis njerëzish. Jeton në botën e ëndrrave të njeriut si qenie në kontrast me të. Bota e tij është e tillë ku nuk pushohet, sepse nuk ka lodhje, s’ka vuajtje, sepse nuk ka dhimbje e nuk ka gëzim, sepse nuk ka trishtim.
Tejet poetike ka qenë shfaqja e dramatizuar me tekst të shkrimtarit anglez George Wells. Aktorët shpesh kanë qenë edhe narratorë.
Engjëlli djallëzohet ngadalë. Petku i bullizimit nis ta mbulojë krijesën e veçantë të ngufatur nga paranojat e njeriut.
Fritz Selmani që e ka luajtur rolin ka thënë se secili prej aktorëve në shfaqje jep mesazhe.
“Engjëlli korr shumë mesazhe. Vjen shumë i pastër dhe ikën shumë i ndyrë. E ndyn qenia njeri. Engjëlli në këtë rast mund të jetë pasqyrë e çdo njeriu. Ndoshta ka momente ku sikurse Engjëlli mund të jenë ndier shumë njerëz në faza të caktuara të jetës. Mendoj se është përpjekur të japë mesazhe kjo shfaqje, paçka se secili personazh ka ardhur me mesazhe, ka përfaqësuar një grup të caktuar shoqëror”, ka thënë aktori Selmani, i cili ka luajtur rolin kryesor në shfaqjen “Vizita”.
Engjëlli nuk e kupton botën në të cilën jetojnë njerëzit. Rrobat janë të pazakonta për të e vetë fjala “e pazakontë” është e çuditshme.
Kur ftohet një mjek për mjekimin e krahëve të Engjëllit, atëherë nis drama ndërmjet atij dhe priftit. Ai kërcënohet se do të dërgohet në burg ose në një çmendinë. Derisa drama zhvillohet, bëhet e ditur se Engjëlli ka talent për të luajtur në violinë. Por kjo i vjen natyrshëm dhe jo sipas partiturave. Për të është e çuditshme të “lexohet” muzika.

Në shfaqje është vetëm njëri që e kupton kryepersonazhin. Konsiderohet i marrë.
Aktori Nikolin Ferketa që e luan këtë rol, ka thënë se shfaqja jep mesazhe sesi i largojmë njerëzit nga vetja.
“Roli im ka qenë ai i të marrit, një person me aftësi ndryshe dhe vetëm ky e kupton Engjëllin në të vërtetë, simbolikën e tij si njeri ndryshe prej tij. Është personazh për njeriun që rrallë haset, por rrallë edhe kuptohet. Ka një karakter ndryshe që nuk mund ta ketë dikush tjetër, por ka ndjesi shumë të fuqishme. Mesazhi i kësaj shfaqjeje është mënyra sesi ne i largojmë njerëzit. Është një botë kaq e ndyrë me shumë antivlera brenda dhe vlerat e njerëzve i zhbën, si ato shpirtërore, morale e fizike”, ka thënë aktori Ferketa.
Shfaqja e ka pasur premierën vitin e kaluar më 26 tetor në Shkodër. Në festivalin e teatrit shqiptar “Moisiu” ishte fitues i trefishtë, duke marrë çmimet: Shfaqja Më e Mirë, Skenografia Më e Mirë dhe Muzika Më e Mirë.
“Vizita” është veç një fragment i festivalit që do të zgjasë deri më 28 korrik. Janë 22 shfaqje për tetë ditë, dhe një listë e gjatë mysafirësh nga vendi dhe bota që do të sjellin vlerat e artit skenik.
E hëna, dita e dytë e Festivalit, ka në program hiç më pak se pesë shfaqje. “The Eccentrics” e Spanjës vjen në “Sheshin e Lidhjes” sikurse “Teatrosk” e Maqedonisë së Veriut. Shkolla “Loyola” është nikoqire e “DNA” po nga Maqedonia e Veriut e “Magjistari nga Ozi” e Kosovës si shfaqje për fëmijë në “Sheshin e Lidhjes”. Vendi nikoqir, Prizreni, prezantohet me “Audiencë” në “DestiLL Caffe”.
“Prizren Festi” ka ecur shpejt prej se u themelua, përderisa emrat e teatrove pjesëmarrëse dëshmojnë besimin që ka krijuar. Gjeografia e shfaqjeve shtrihet edhe në Spanjë, Greqi, Francë e deri në Iran. Në mesin e mysafirëve është edhe aktorja nga Franca e gjeneratës së artë të Brigitte Bardot. Bëhet fjalë për Marie-Christine Barrault, e njohur edhe për rolin në “Cousin Cousine” të vitit 1975 e nominuar hiç më pak sesa për çmimin “Oscar”. “Udhëtimi në Cyrih” e sjell këtë yll në Kosovë. Aty luan edhe aktori i njohur nga Kosova, Arben Bajraktaraj. Në listën e figurave të shquara është edhe regjisori italian Pippo Delbono me shfaqjen e njohur “La Gioia”. Teatri i Luftës i Sarajevës e rikthen aktorin e njohur Alban Ukaj para publikut në Kosovë. Luan në shfaqjen “Tramvaji i quajtur Dëshirë”
Pos shfaqjeve për të rritur janë edhe shfaqjet për fëmijë, sikurse edhe konferencat. Në njërën prej tyre, në përmbyllje të “Prizren Festit”, do të prezantohet fondi i përbashkët teatror midis Ministrisë së Kulturës në Kosovë dhe Ministrisë së Kulturës në Shqipëri.