Kur e kishte dëgjuar për herë të parë polifoninë shqiptare, ka thënë se kishte mbetur pa fjalë. Por Eriks Esenvaldit nuk i kishte mjaftuar vetëm impresionimi me të. Kompozitori me prejardhje nga Letonia, i njohur botërisht, do të niste edhe të kompozonte bazuar në motivet e saj. Ansambli “Argjiro” i Gjirokastrës ka sjellë magjinë e iso-polifonisë, e njohur tashmë si trashëgimi botërore
Nga një student në kompozitor botëror, që më pas do ta aranzhonte këngën polifonike shqipe. Eriks Esenvalds ka prezantuar veprën “Legjenda e gruas së murosur”, që ndërtohet mbi motivet e muzikës së Shqipërisë së Jugut. Atë që ai e ka qëmtuar si temë, e ka praktikuar grupi iso-polifonik “Argjiro” nga Gjirokastra. Këngët epike, lirike, dashurie e trimërie kanë qenë hapje e rrugëtimit të festivalit ndërkombëtar të vokalit në Prishtinë “PriVocalFest”.
Magjia e thesarit të trashëgimisë shpirtërore shqiptare ka qenë kryefjala e natës së parë, të enjten mbrëma, në hapjen e edicionit të pestë të “PriVocalFest” në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës në kryeqytet. Edhe këtë vit, Festivali ka pikësynim promovimin e muzikës vokale në vend e më gjerë. Qëllimi i krejt kësaj është të afirmohen vlerat krijuese të kompozitorëve shqiptarë përmes interpretimit të veprave të tyre nga artistë të ndryshëm.
Ky edicion është hapur me panel diskutimi për krijimtarinë e kompozitorit botëror me prejardhje nga Letonia, Eriks Esenvald. Biseda ka qenë e karakterit informues, ku kompozitori lituan ka ndarë përvojat e tij, që nga kontakti i parë me një këngë polifonike tradicionale shqiptare e deri te kompozimi i saj. Këngët shqipe i ka vlerësuar si tejet të bukura dhe që ka pasur ndjesinë se do të merret me to që ditën e parë kur i ka dëgjuar. Ai kishte gjetur legjendën e gruas që muroset në kalanë e Rozafës në Shkodër për ta mbajtur në këmbë atë. Një mike ia kishte shpjeguar kuptimin e saj dhe kishte vendosur ta aranzhonte këtë vepër.
“Pastaj pashë se kjo ishte një storie aq dramatike, emocionale, e fuqishme që nuk është pjesë treminutëshe, duhet të jetë rreth nëntë dhe kam filluar ta kompozoj. Teksti nuk ka qenë shumë i pasur, nuk ka pasur shumë fjalë dhe natyrisht se e kam ndier se nuk mund të kompozoj, nuk mund të bëj aranzhime të asaj këngë folklorike, por mendova se mund të bëj diçka më tepër”, ka thënë ai.

Premierat e fundit të Eriks Esenvalds përfshijnë krijime si “Lakes Awake at Dawn” për Orkestrën Simfonike të Bostonit dhe atë të Birminghamit, “The Pleiades” për “Grand Park Music Festival Chicago”, “Whispers on Prairie Wind” për vokalistët Utah Simphony dhe Salt Lake e shumë të tjera. Në vitin 2016 u shfaq premierë opera e Esenvalds me titull “The Immured”, e cila mori vlerësime të mëdha.
Motivuese për të krijuar vepra të reja thotë të kenë qenë fjalët e Nënës Terezë, e sidomos kur citon thënien “e gjithë puna ime është veç një pikë në oqean, por nëse nuk e kisha vendosur atë pikë në oqean, do të ishte një pikë më pak”. Lëvdatat e kompozitorit lituan kanë qenë të adresuara për popullin shqiptar, në veçanti, për trashëgiminë kulturore e artistike.
“Nuk është edhe aq e lehtë të jetë në mënyrë harmonike kaq e bukur dhe kaq e pasur, diçka që nuk e kam dëgjuar më parë. Madje kam qenë student i masterit në kompozim dhe kemi pasur ligjërata për kombe të ndryshme, por asnjëherë nuk kam pasur rastin të dëgjoj diçka për trashëgiminë shqiptare dhe jam mahnitur nga bukuria e këngëve folklorike. Ka qenë polifoni, ka qenë harmoni, një gjuhë mjaft e bukur dhe gjithashtu dinamika ka qenë pianistike tërë kohën. Ka qenë tejet e bukur sa e kam ditur se do të qëndroj me këto këngë popullore”, është shprehur Eriksen Esenvalds.
Panelin diskutues e ka moderuar producenti Dardan Selimaj i cili veprën për gruan e murosur në kalanë e Shkodrës e ka vlerësuar si tregim kontraversal. “Një tregim që është i popullarizuar në veriun e Shqipërisë dhe është mjaft kontraversale edhe për mua pasi nuk kam pasur rastin të përballem me material të tillë. Madje edhe për ne ndoshta do të ishte një moment mjaft i mirë të fillojmë të zbulojmë, të hulumtojmë më tepër këto këngë specifike”, është shprehur ai.
Më pas në skenë janë shfaqur anëtarët e ansamblit të këngëve iso-polifonike “Argjiro” nga Gjirokastra, që kanë këngët të cilat prej vitit 2005 mbrohen prej UNESCO-s si kryevepër të trashëgimisë gojore të njerëzimit. Pesë vokalistë të veshur me veshjet e Labërisë, mjeshtërisht, kanë interpretuar perlat e muzikës karakteristike labe, trashëgiminë dhe pasurinë e muzikës vokale shqiptare.
Udhëheqësi i grupit “Argjiro”, Roland Çenko, është shprehur i lumtur me hapësirën që Festivali ia ka dhënë këtij lloji të muzikës.
“Ishte një pjesë që unë e prita me shumë gëzim. Më pëlqeu jashtë mase edhe kur kuptova se kjo ishte për një studim për folklorin tonë. Janë këngë shumë me vlerë, sidomos polifonia që ka vlera të mëdha. Ne patëm këngë kurbeti, këngë dashurie, dasme, këngë lirie. Menduam t’i kombinonim të gjitha, ato që ne sot e kësaj dite po i jetojmë dhe ato që i shprehim shpesh me këngë”, është shprehur ai.
Në vazhdën e Festivalit, këtë edicion do të jenë pesë net me koncerte të pasura me vokale të ndryshme, laramani veprash e kompozitorësh vendorë dhe të huaj. Programi përfshin Korin e fëmijëve të shkollës së muzikës së Gjilanit, të udhëhequr nga Artan Jerliu dhe sopranot Martina Lekaj dhe Ylberinë Avdyli, në natën e dytë. Nata e tretë e Festivalit sjell ansamblin me renome botërore “The Swingle Singers”, fitues i pesë çmimeve “Grammy”. Për herë të parë në Kosovë sjell programin atraktiv nëpërmjet këndimit me efekte vokale dhe program të përzgjedhur me pjesë mjaft interesante. Nata e katërt do të vazhdojë me koncert koral nga Arta Jashari, në shoqëri të pianistes Pranvera Hoxha-Bryma në interpretim të programit të quajtur “Mbi re”.
Drejtori artistik i Festivalit, Hajrullah Syla, ka thënë se vetë ideja e programit ka qenë që Esenvalds të jetë në hapje dhe mbyllje të “PriVocalFest” si kompozitor që ka bashkëdyzuar këngën bashkëkohore dhe atë iso-polifonike labe.
“Ne kemi menduar se hapja të jetë pikërisht për të biseduar rreth mënyrës së kombinimit të tij e më pas edhe për ta dëgjuar. Veçoria e këtij edicioni është ngase kemi menduar ta kemi në fokus muzikën shqiptare, por gjithsesi në program kemi edhe kompozitorë të huaj të muzikës botërore. Plani ka qenë që hapja e Festivalit të jetë me Esenvalds dhe mbyllja me të”, ka thënë Syla.
Veçanti e këtij edicioni është edhe koncerti i grupit amerikan “The Swingle Singers” si një nga grupet vokale më të admiruara dhe të dashura në botë. Hajrullah Syla që është edhe dirigjent asistues në Filharmoninë e Kosovës, ka treguar se nuk ka qenë e lehtë të sigurohet pjesëmarrja e tyre në Festival. “Por ne kemi qenë të kujdesshëm që aranzhimin e tyre ta bëjmë më herët dhe besoj se kemi arritur ta bëjmë një gjë mjaft të duhur, pasi besoj se ia vlen t’i kemi pjesë të programit”, është shprehur ai.
Mysafiri special, Eriks Esenvalds, do të rikthehet para publikut edhe në natën përmbyllëse të Festivalit, bashkë me Korin e Filharmonisë së Kosovës.
Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, ka thënë se viteve të kaluara, sikurse me “PriVocalFest”, edhe me festivale të tjera, bashkëpunimi kishte rënë për shkak të pandemisë.
“Besoj se me këtë sezon, me festivalet në përgjithësi, Filharmonia do të jetë partnere siç ka qenë zakonisht. Ajo që e veçon këtë Festival sivjet është pikërisht në sjelljen e kompozitorit dhe dirigjentit nga Letonia. Ai aktualisht është duke punuar me Korin dhe dihet se më 12 tetor është koncerti, jo vetëm veprat e autorit, por edhe me disa vepra të autorëve kosovarë. Do të jetë shumë interesante qasja e një dirigjenti të huaj ndaj veprave tona”, ka thënë Jashari.
Përgjatë pesë vjetëve, Festivali ka mbledhur në skenë ansamble, kore e artistë të shquar me renome ndërkombëtare. Përmes këtyre prurjeve, Festivali është po ashtu i karakterit motivues për artistë të rinj në promovim të këngës vokale, ndër të tjera, edhe me përmbajtje kombëtare.
Edicionit të këtij viti i kishte paraprirë koncerti i mbajtur në muajin maj, ku kishte interpretuar mezosopranoja Elikonë Hysaj-Shala, nën shoqërimin e pianistes Pranvera Hoxha-Bryma, si dhe kori i fëmijëve dhe grave “Okarina”.