“Prishtinë 2002”, nën regji të Trëndelinë Halilit, tashmë ka nisur rrugëtimin nëpër festivale dhe shenjat e para janë për fillim të mbarë: në festivalin e filmit të shkurtër, “Clermont-Ferrand” në Francë, i konsideruar si njëri prej festivaleve më të mëdha ndërkombëtare të filmit të shkurtër në botë dhe festival i kategorisë A, i dyti në Francë pas Festivalit të Filmit në Cannes sa i përket audiencës. Garon për çmimin e filmit më të mirë ndërkombëtar.
Të mërkurën, nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, ekipi i filmit ka përshkruar emocionet e premierës.
“Ishte një ndjenjë shumë e mirë të përjetoj një gjë të tillë para një audience të madhe si kjo e ‘Clermont’. Filmi u prit shumë mirë dhe kjo gjë po hap mundësi të reja bashkëpunimi edhe për projektet e radhës”, citohet të ketë thënë regjisorja Halili pas premierës.
Në edicionin e sivjetmë të festivalit me traditë 45-vjeçare, “Festival du court métrage de Clermont-Ferrand”, i cili ka nisur prej 27 janarit dhe zgjat deri më 4 shkurt, “Prishtinë 2002” është në mesin e 78 filmave garues nga vende të ndryshme të botës.

Teksa ka vlerësuar nivelin e kineastëve të Kosovës, zëvendësuesi i drejtorit të QKK-së, Lum Çitaku, e ka çmuar pjesëmarrjen në festivalin “Clermont-Ferrand”
“Është një sukses jashtëzakonisht i rëndësishëm i radhës për kinematografinë dhe filmin tonë të shkurtër. Njëkohësisht edhe dëshmi për nivelin dhe kulturën e arritur nga kineastët tanë në tregimin e copëzave të jetës përmes mediumit të kinemasë”, ka shkruar në Facebook drejtuesi i QKK-së, Lum Çitaku.
“Prishtinë 2002” rrëfen historinë e një adoleshenteje, e cila priret ta transformojë vetveten për t’i bërë përshtypje shoqes së saj të ngushtë. Gjatë tërë këtij rrugëtimi personazhi kryesor ndeshet me të papriturën.
Realizimi i filmit me producent Genc Gërdovcin është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës, dhe prodhuar nga shtëpia e filmit “Kandërr”.
Për “Festival du court métrage de Clermont-Ferrand” është përzgjedhur në konkurrencë me 7 mijë filma nga të katër anët e botës. “Më ka ardhur mirë, pasi prej rreth 7 mijë filmave në botë që kanë aplikuar prej 52 shteteve, veç 76 janë zgjedhur dhe ata e kanë audiencën e madhe”, kishte thënë për KOHËN regjisorja Trëndelinë Halili, në dhjetor të vitit të kaluar, kur u bë publik lajmi për premierën botërore në festivalin prestigjioz. Halili kishte thënë së “Prishtina 2002” synon festivale të tjera në radhë, ndërsa në Kosovë premierën mund ta ketë verën e ardhshme. Fill pas lajmit për premierën në festivalin francez erdhi edhe konfirmimi për pjesëmarrjen në edicionin e 20-të të Festivalin e Filmit të Shkurtër në Londër i mbajtur në janar.
Rolin kryesor, atë të Letit, e luan Hana Limani, ndërsa karakterin e Donës e konkretizon Rrezarta Haziraj. Xhirimet e filmit ishin zhvilluar gjatë verës së vitit të kaluar të cilat, sipas regjisores Halili, ishin karakterizuar me vështirësi të vazhdueshme për shkak të situatës me pandeminë.
“Njëra nga personazhet kryesore është më në linjë të fëmijërisë, ndërsa tjetra ka marrë hapa më të mëdhenj të adoleshencës dhe mundohet t’i imponojë gjërat te tjetra si shoqe të ngushta. Të dyja janë shumë të afërta me njëra-tjetrën, mirëpo ndryshimi mes tyre i bën dy personazhet të hyjnë në një lojë, në një të papritur”, kishte thënë Halili në një përgjigje për KOHËN.