Në shikim të parë është një adresë ueb-faqeje me dokumente të çmueshme për historinë e kryeqytetit, por në esencë – njashtu siç po ndërtohet kjo platformë – “Prishtina në histori” bashkon gurët e mozaikut për ta ngritur rrëfimin e këtij qyteti. Gjëllin në shekullin XIII, zbardhen faktet se qyteti lindi gati rastësisht, se fillimisht ishte një stacion tregtarësh, pastaj u zgjerua për t’u bërë sot një metropol. Por është pikërisht historia që i mungon këtij kryeqyteti e “Prishtina në histori” synon t’i japë formë duke gjurmuar arkivat e duke publikuar dokumente
Njëra prej shtëpive që ruan elementet tipike të periudhës osmane, dikur i përkiste familjes Koçadishi, e sot vazhdon të mbetet njëri prej thesaret e pakta të arkitekturës së vjetër të Prishtinës. U ka bërë ballë intervenimeve e turbullirave përgjatë historisë. Ka shërbyer edhe si qendër e administratës osmane, e prej mesit të viteve ‘50 të shekullit u bë seli institucionesh si tash që është konak i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Por të enjten mbrëma u bë vendtakimi i asaj që mund të quhet edhe si një homazh i identitetit të kryeqytetit.
“Prishtina në histori” është projekti i cili nëpërmjet diskutimit është prezantuar si faqe digjitale e qasshme nga të gjithë me qëllim për të grumbulluar të dhëna, dokumente, harta, gravura, fotografi, punime e shkrime që e ndërtojnë historinë e qytetit të Prishtinës, duke qartësuar disa nga mjegullnajat rreth saj.
Kjo platformë interaktive e lansuar si ueb-faqe muajin e kaluar, ngërthen informacione të ndryshme mbi kryeqytetin që shtrihen prej fundit të shekullit XIII deri në vitet e para të shekullit XX. Vetë platforma si e tillë identifikohet sikur “një qerthull digjital të dhënash në rrjet për masivizimin e trashëgimisë kulturore të kryeqytetit”. Si iniciativë vjen nga kolektivi “Trembelat” në mbështetjen e Komunës së Prishtinës në partneritet me Arkivin e Prishtinës. Nën hijen e trungut qindravjeçar dhe aromës të mprehtë të manit, u zhvillua biseda në panelin e përbërë nga kontribuuesit direktë të kësaj iniciative dhe njohës të strukturës historike të kryeqytetit.
Paneli i udhëhequr nga Yll Rugova – redaktor i platformës dhe autor i disa teksteve në të – u paraqit si një diskutim interaktiv me inkurajimin që të ndërveprohet dhe me audiencën e pranishme e cila përbëhej nga njerëz me fusha të interesit të njëjta dhe entuziastë të historisë së kryeqytetit.
Si ide kishte nisur qysh në vitin 2018, kishte qenë rezultat i një nevoje që të identifikoheshin disa elemente të kryeqytetit që nuk ishin ditur më parë. I kishte shërbyer shenjëzimit të disa pikave kryesore nëpër rrugët e vjetra të qytetit.
“Atë kohë është parë nevoja që me u mbledhë disa nga historianët e autorët dhe me e realizu njëfarë përafrimi të ideve rreth këtyre lagjeve e hapësirave të qytetit. Atëherë e kemi pas prodhuar një fletushkë të quajtur ‘Histori koncize e Prishtinës’, e cila është përdorur pastaj në disa shenja nëpër pika të ndryshme të qytetit. Por ajo nuk mjaftoi, nuk ka qenë mjaftueshëm shkencore dhe andaj kemi nisë edhe me këtë projektin tash. Ne e kemi quajt si ‘qerthull digjital’, është edhe si njëfarë monografie digjitale ku jemi mundu me i mbledhë dokumentet dhe rreth tyre me ndërtu dhe me paraqit historinë e qytetit asisoj që me qenë e hapur, dhe e qasshme nga të gjithë”, ka thënë Rugova, i cili ka pasur pyetje konkrete të drejtuara për folësit në panel, Florina Jerliun, Agron Islamin dhe Durim Abdullahun.
Në diskutimin gati dyorësh u shpalos një lloj retrospektive e cila shtrihet shekuj më herët. U zbërthye e kaluara e Prishtinës, por duke evidentuar vazhdimisht hendeqet e kohës së tashme në trajtimin e kësaj trashëgimie të qytetit. Nisi me një reflektim rreth mungesës së studimeve shkencore të shkruara për Prishtinën.
Autori i disa teksteve në qerthullin “Prishtina...”, historiani Durim Abdullahu, ka përmendur se pavarësisht botimeve të cilat më shumë i ngjajnë memoaristikës, studime të mirëfillta nuk ka pasur asnjëherë.
“Besoj që njëri nga kontributet që gjithë kjo punë jona ka dhënë është se kemi treguar që historia e Prishtinës mund të gjurmohet shumë më mbrapa në histori, përtej kujtesës kolektive të njerëzve dhe se kjo histori jo pak është e dëshmuar qoftë me dokumente, gravura, vepra, gazeta e kështu me radhë”, ka thënë ai.
Mes tjerash ai ka ndarë dhe dy pikëpamje kryesore rreth origjinës së Prishtinës dhe etimologjisë së emrit. Sipas punës hulumtuese të tij, Prishtina duket të ketë nisur si një vend-stacion në shekullin XIII, ku takoheshin tregtarët për të shkëmbyer informacione me njeri-tjetrin për rrugën kur kalonin karvanët tregtare.
“Bota në të cilën themelohet Prishtina është Mesjeta e vonë, dhe si në kuptimin kulturor të fjalës kemi të bëjmë me atë që paraqitet si bota bizantine e mesjetës. Me sa duket mes tri qendrave të minierave si Novobërda, Trepça e Janjeva nevoja për një pikë ndalesë për këto karvane tregtare është shkaku kryesor që bën me u ngjizë Prishtina. Natyrisht jo menjëherë si qytet, në përmendjet e para njihet vetëm si një vendbanim përgjatë një rruge. Ndërkaq për emrin Eric Hamp një linguist amerikan, njëri ndër indoevropianologët më të njohur në botë, jep një shpjegim për etimologjinë e emrit Prishtinë. Ai thotë që është një fjalë që krijohet nga bashkimi i dy fjalëve që dalin nga nënshtrati i gjuhëve indoevropiane. ‘Pri’ për me tregu cekëtinën ku kalohet lumi nëpër këtë zonë dhe ‘Septim’ si një variant për gurin, ndryshe ai e përkthen si një ‘va i gurit’”, kanë qenë hipotezat që ka ndarë Abdullahu me të pranishmit.
Profili i një historiani urban i cili idealisht do të merrej me studimin e kryeqytetit, në gjenezë nuk duket të ketë qenë dhe aq i zhvilluar në Kosovë. Por, arkitektja dhe profesoresha e UP-së, Florina Jerliu, është njëra nga ato profesioniste që veprimtarinë e saj si arkitekte e pedagoge e ka zhvilluar pikërisht në njohjen e trashëgimisë komplekse të Prishtinës. Në panelin për “Prishtina...” ajo është shprehur se mbi këtë trashëgimi ka pasur qasje të gabuar.
“Vërejmë se kemi interpretime të mangëta apo të tjetërsuara, ka raste ku s’kemi fare interpretim apo histori të caktuara për ndërtesa të cilat mbase dhe nuk janë më por kanë rendësi të jashtëzakonshme. Në këta 20 vjetët e pasluftës ka pasur përpjekje, por nuk ka pasur një vullnet institucional që të stimulohen apo të ndihmohen studiues që hulumtimet e tyre të arrijë t’i vendosin në njëfarë dokumenti”, ka thënë Jerliu, duke zbërthyer dhe më tej këndvështrimin e një arkitekti mbi historinë e një qyteti.
Sipas saj qasja e arkitektit luan rol në rindërtimin e një qyteti se si është dukur dikur, e një përpjekje e tillë duhet realizuar edhe tash.
“Ne si arkitektë e shohim qytetin më tepër vizuelisht dhe gjithmonë synojmë dhe kemi kërshërinë për të bërë njëfarë restituimi ideal se si është shtrirë qyteti, si ka qenë, ku janë zhvilluar praktikat e ndryshme, ku ka qenë qendra, cilat ndërtesa kanë qenë të rëndësishme. Me ndihmën e këtyre dokumenteve përshkrimore dhe me anë të disa hartave, ka potencial për ta realizuar këtë rikrijim të imazhit të qytetit të vjetër”, ka shtuar Jerliu.
Në këtë platformë në mënyrë ekskluzive gjenden dhe materiale të ndryshme arkivore të një rëndësie të lartë kur bëhet fjalë për njohjen e historisë së kryeqytetit. Kështu paraqitet mundësia e krijimit të një baze, e cila lejon rindërtimin e narrativit historik të Prishtinës. Dokumentet në “Prishtina...” vijnë prej arkivave të ndryshme, përfshirë ato raguzane, serbe, osmane, veneciane, romane, dhe austriake.
Studiuesi Agron Islami, veç tjerash me njohuritë e tij në gjuhën osmanishte ka kontribuar që ky qerthull të pasurohet me referenca të ndryshme nga dokumentet e periudhës osmane. Ka treguar se në arkivat e dokumenteve osmane periudha e shekullit XIX, është më e pasura sa u përket dokumenteve që i shërbejnë njohjes së historisë së Prishtinës. Bëhet fjalë për fonde arkivore të cilat përmbajnë elemente të jetës sociale në Prishtinë.
“Konsideroj që një gjurmim më i theluar në shekullin XIX mund të japë shumë informacione dhe për çështjet e ndërtimeve. Pastaj pjesë e këtyre fondeve padyshim që janë dhe defterët, pavarësisht se janë me karakter ekonomik. Rëndësia e tyre qëndron, sepse përveç pronave aty janë të regjistruar dhe kryefamiljari dhe anëtarët e familjes e kështu me radhë”, ka thënë ai.
Në mesin e 38 mijë kopjeve digjitale të dokumenteve arkivore nga periudha osmane që tashmë i posedon Arkivi i Qytetit, sipas Islamit mund të deshifrohen shumë elemente të jetës së përditshme në Prishtinë, por që për to duhen projekte dhe mbështetje serioze institucionale. Ka potencuar se në to zbërthehet qartë dhe roli i gruas shqiptare në atë periudhë në Prishtinë, fakti se ato kanë njohur të drejtat e tyre dhe mbështetja ligjore që u është garantuar.
“Në shekullin XIX ka dosje të veçantë për burokratët, për shembull për familjen Gjinolli, dhe para dy-tre ditëve e pashë që kisha një dosje dhe të Abdurrahman Pashës, i gjithë rrugëtimi i tij, shkollimi, dhe familja e tij që konsiderohet nga familjet hanedane që kanë themeluar qytetin dhe shumë shpejt do të publikojmë diçka nga kjo edhe në platformën tonë”, ka njoftuar Islami.
Përgjatë diskutimit mes shpalosjes së informacioneve që nuk ishin ditur me parë, bëheshin edhe apele të vazhdueshme. Vizioni i deritanishëm për Prishtinën sipas panelistëve, u konsiderua si shkurtpamës dhe joadekuat. U pohua dhe nevoja urgjente që të punohet në këtë aspekt në nivele institucionale.
“Prishtina nuk duhet me u pa më si një komunë që e ka një zonë urbane që në plan e ka një kufi urban, duhet të shihet përtej asaj, është një kryeqytet por edhe rrëfimi për të është i mangët, i cungët nëse nuk mendohet si zonë metropolitane. Është momenti i fundit që të mendohet në kuptimin e zonës metropolitane, fatkeqësisht edhe kjo qeverisje është e kthyer kah vetja, kah investimet kapitale. Janë vizione të fragmentuara që zgjasin katër vjet e mandej katër vjet të tjera kinse po investohet dhe ja, jemi këtu ku jemi”, ka thënë Florina Jerliu.
Krejt në fund, Yll Rugova njoftoi se platforma “Prishtina...” është e hapur për punime të tjera shkencore dhe se një pjesë e materialeve veçse të publikuara online në platformë do të botohen dhe në format të librit, në fund të këtij viti.
E gjithë kjo punë synohet të shërbejë si hapësirë nxitëse që të studiohet dhe më tej në këtë fushë dhe të risjellë vëmendjen te rëndësia e trashëgimisë së kryeqytetit.
Luan Kantarxhiu, entuziast i historisë së Prishtinës dhe koleksionues i qindra fotografive të kryeqyteti ka përshëndetur këtë iniciativë.
“Ky projekt është i domosdoshëm dhe i qëlluar. Shpresoj që nuk do të ngelet me kaq dhe institucionet ta marrin më seriozisht dhe ta përkrahin financiarisht që të zgjerohet, përditësohet e të mirëmbahet. Projektet po përfundojnë, fondet po përfundojnë dhe po mbesin histori. Në të ardhmen Komuna e Prishtinës duhet që ta mbështesë këtë projekt, ta marrë nën sqetull të vet dhe ta vazhdojë bashkëpunimin me të nderurit që kanë punuar në këtë projekt”, ka thënë ai për KOHË-n, duke e cilësuar qerthullin “Prishtina...” si një nismë të qëlluar.