Kulturë

“Prishtina Music Conference” bashkon profesionistët si platformë promovuese

Si konferenca e parë e muzikës në Kosovë dhe rajon, “Prishtina Music Conference” mbledh ekspertë të industrisë muzikore nga vendi e bota për të edukuar, inspiruar, dhe për t'u takuar me entuziastë të muzikës.

Edhe këtë vit, “Prishtina Music Conference” rikthehet si një ngjarje dyditore që do të mbahet prej sot në kino “Armata” në Prishtinë. Kjo konferencë e muzikës, e para e karakterit të tillë në Kosovë dhe rajon, synon që përmes këtyre dy ditëve të ofrojë për të interesuarit një platformë edukative e cila ka rol edhe promovues. Kjo ngjarje gjithashtu ofrohet si një mundësi e mirë për t’u rrjetëzuar, dhe si frymëzim përmes diskutimeve në panel, prezantimeve, ekspozitave, seminareve e masterklasave rreth muzikës dhe kompleksiteti të saj si veprimtari.

Themeluesi dhe drejtor i “Prishtina Music Conference”, Kushtrim Dushi, tha se këtë edicion do të jenë prezentë mbi 25 panelistë vendorë dhe të huaj të cilët do të mblidhen për të shkëmbyer njohuritë e tyre me artistët dhe të interesuarit në industrinë muzikore. Kjo konferencë dyditore do të kurorëzohet me “Rave Festival” më datë 4 nëntor, e cila fton të gjithë entuziastët e muzikës elektronike të marrin pjesë. “Në ‘Rave Festival’ do të performojnë 6 artistë ndërkombëtarë të përzgjedhur si ndër artistët më të kërkuar të industrisë në fjalë”, ka treguar Dushi

Si synim kryesor të PMC-së Rrezarta Gashi, drejtoreshë e komunikimit në “Prishtina Music Conference”, e konsideron përpjekjen për të afruar vetë industrinë me artistin ose pasionues të muzikës.

“Çdokush që në një pikë ka menduar të lidhet me muzikë, ka mundësi ta gjejë veten pa pagesë. Ne na vjen shumë mirë që me secilin edicion audienca po vetëdijesohet më shumë, dhe na shtyn si ekip që të sjellim çdoherë diçka të re”, ka thënë Gashi.

Nevoja për një konferencë muzikore siç është “Prishitna Music Conference” llogaritej e shumanshme. Në nivel lokal, Kosova ka potencialin të jetë një terren pjellor për artistë të talentuar dhe të ketë një ndikim të rëndësishëm në industrinë botërore të muzikës, dhe ngjarjet si PMC mund të ofrojnë mundësi të vlefshme rrjetëzimi, promovimi dhe edukimi për artistët dhe profesionistët e industrisë në rajon. Në nivel global, industria e muzikës po zhvillohet vazhdimisht dhe konferencat si PMC-ja mund të ofrojnë një platformë për profesionistë të industrisë që të bashkohen dhe të diskutojnë trendet, sfidat dhe mundësitë më të fundit në këtë fushë.

Se nevoja e ngjarjeve me karakter të tillë është evidente e tregon dhe Diellza Gosalci, drejtoreshë kreative e “Prishitna Music Conference”. Ajo ka treguar rreth interesimit të madh që është treguar për këtë edicion.

“Prej hapjes së regjistrimeve një muaj më parë deri më tash janë regjistruar rreth 800 entuziastë dhe artistë të muzikës. Prej tyre ka edhe plot të regjistruar që do të udhëtojnë nga Evropa dhe Turqia për të marrë pjesë në ‘Prishtina Music Conference’. Na vjen mirë që impakti i PMC-së po tejkalon kufijtë e Kosovës”, ka shtuar ajo.

Programi do të hapet sot (e premte) me një diskutim me temën “Tingulli dhe Praktikat e Ndryshme të Artit Bashkëkohor” nga Fitore Isufi-Shukriu, drejtore artistike në “Fondacioni17” dhe Sihana Klisurica, menaxhere për komunikim në “Fondacioni17”. Për të vazhduar me një sërë panelesh e prezantimesh të tjera gjatë ditës, duke përfunduar pastaj me “Një Bisedë me Zërin e Rezistencës”, një diskutim ky me Adelina Ismailin, këngëtare, rreth veprimtarisë artistike të saj dhe rezistencës që ka treguar ndaj problematikave politike e shoqërore në Kosovë përmes këngës.

Ndërkaq dita e dytë e “Prishtina Music Conference” fillon me një bisedë me Visar Kuçin e titulluar “Brenda violinës”. Pjesë e programit të këtij edicioni janë dhe tema të cilat përbëjnë aktualitet, njëra ndër to është dhe diskutimi me Besa Luzhën, Edon Ramadanin, Hajrulla Çekun e Rreze Kryeziun rreth institucionit të operës në Kosovë, e titulluar “Ku janë institucionet? Inskenimi i parë i operës kosovare”. Diskutimet e ditës së dytë të Konferencës do të përfundojnë me bisedën e Elena Orës, “Throw Your Hands in the Air If You Want it Right Now - and Forever”.

Konferenca do të përmbyllet fillimisht me performancën e mjeshtrit të perkusioneve, marokienit Rhani Krija, për t’i hapur rrugë pastaj “RAVE Festival” i cili fillon të shtunën në mbrëmje e vazhdon deri në orët e mëngjesit të së dielës me artistët e kërkuar të industrisë ndërkombëtare si “Quest”, “Gabbs”, “Studio17” dhe “Dajku Twins” dhe artisti i mirënjohur lokal “Pumio Space”.