Realitetet e reja të pandemisë, bashkë me adresimin e nevojave të komuniteteve të ndryshme të njerëzve të kryeqytetit, do të jenë në fokusin e bienales evropiane nomade “Manifesta 14”. Eventi shëtitës kulturor pritet ta nyjëtojë Prishtinën me kryeqendrat e rajonit në dialogun mes artit dhe komunitetit, në përpjekje për të gjetur përgjigje, ide e zgjidhje për problemet e njëjta. Në procesin e aktiviteteve të “parabienales”, siç u quajt nga ekipi i “Manifestas”, janë përfshirë hapësirat publike në Prishtinë, biblioteka “Hivzi Sulejmani”, Fabrika e Tullave, si dhe kërkimet për vizione afatgjata për gjelbërim
Bota që doli pas Luftës së Ftohtë ishte e tillë që ngrinte gjithfarë pikëpyetjesh. Kur në gjysmën e vendeve të Evropës po trokisnin vizione për të ardhmen, bienalja evropiane e artit bashkëkohor “Manifesta” provoi të jepte përgjigjen e saj nëpërmjet artit për hapat e mëtejmë.
Në ecejaket e saj prej “nomadeje” në dhjetëra qytete të Evropës Perëndimore e asaj Qendrore, “Manifesta 14” zbarkon për të parën herë në hapësirat e Ballkanit Perëndimor. Është bash Prishtina që i bën konak ngjarjes “nomade” të artit bashkëkohor në përpjekje për të zhvilluar ide e dialog mes artit dhe shoqërisë.
Me synimin për ta bërë zërin e komunitetit më të dëgjueshëm brenda ekosistemit artistik, bienalja e njohur ka ravijëzuar disa nga planet për edicionin e saj që vitin e ardhshëm do ta mbajë në Prishtinë.
Për udhëheqësit e qeverisë së kryeqytetit, pritjet janë që Prishtinën ta mësyjnë rreth 200 mijë vizitorë gjatë muajve të Bienales së artit në udhëtim.
Organizatorë të “Manifestas”, si dhe ekipi lokal në Prishtinë kanë shpalosur të premten në “Kino Armata” disa nga synimet kryesore për vitin e ardhshëm.
Para dhjetëra të pranishmëve në sallë, bashkë edhe me pjesëmarrës online, drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha, ka thënë se “Manifesta 14” është një prej projekteve më të rëndësishme kulturore që zë vend në rajon.
Sipas tij, pritjet e Komunës janë që produktet e kësaj ngjarjeje të mbesin në Prishtinë e t’u shërbejnë brezave të ardhshëm.
“Fokusi duhet të jetë në fushën e edukimit dhe kulturës, si dhe në atë që të ketë sienergji mes tyre”, ka thënë Berisha.
Nëpërmjet një videolidhjeje, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se është i lumtur që kryeqyteti u përzgjodh si nikoqir i Bienales së njohur duke pasur në garë konkurrentë seriozë, si Vjena e Kievi.
“Shpresoj që këtë edicion do ta përdorim për të ndërtuar ura me të gjitha kryeqytetet e Ballkanit, si dhe me organizata e arkitektë të ndryshëm për problemet dhe sfidat e njëjta që i kemi kudo”, ka thënë ai.
Qëllimi i Komunës, ka vijuar Ahmeti, është të provokohen diskutime të qytetarëve mbi atë se si e duan qytetin në të ardhmen.
“Gjatë këtyre njëzet vjetëve të fundit kemi humbur shumë beteja përballë të këqijave”, ka thënë kreu i Komunës së Prishtinës teksa e ka quajtur si pozitiv blerjen e objektit të ish-Gërmisë, si dhe të Fabrikës së Tulltores.
Prezantimi është vijuar me një lidhje të drejtpërdrejtë me “zoom” me drejtoreshën themeluese të “Manifestas”, Hedwig Fijen.
Ajo ka përkujtuar se si vitin e kaluar edicioni i mbajtur në Marsejë ishte nga të vetmet ngjarje kulturore që u zhvillua në rrethanat e pandemisë.
Sipas drejtoreshës së Bienales evropiane të artit, Prishtina ofron një prospekt interesant për të trajtuar sfida nga e kaluara, por edhe konsekuencat e pandemisë.
“Ne do të punojmë ngushtësisht me komunitetet e qytetarëve që na orientojnë me ide të reja”, ka thënë Fijen.
Ajo ka përmendur edhe edicionet e mëhershme të “Manifestas”, veçmas atë në Palermo, ku ngrehina e teatrit “Garibaldi” ishte shndërruar në një log takimi për të dhënë alternativa të ndryshme për hapësirat publike.
“Asokohe ishte thënë që këto hapësira po bëheshin si inkubatorë për ndryshime sociale dhe mundësi që njerëzit të thoshin fjalën e tyre”, ka shtuar Fijen.
Në vazhdim, përgjegjësja për edukim dhe ndërmjetësim në “Manifesta”, Yana Klichuk, ka thënë se kjo bienale në secilin qytet merr forma të ndryshme.
“Çdo edicion fillon me biseda që na mundësojnë të kuptojmë sienergjinë e aktivizmit lokal”, ka thënë Klichuk teksa ka shprehur keqardhjen që gjendja momentale e pandemisë ka pamundësuar deri më tani hulumtimet në terren.
Përndryshe, sipas një komunikate të “Manifesta 14”, të enjten është bërë përzgjedhja e dy studiove arkitekturale që do të shqyrtojnë përbërjen e kryeqytetit të Kosovës dhe të komuniteteve të tij. Bëhet fjalë për zyrën arkitekturale në Torino – Carlo Ratti Associati – në bashkëpunim me MIT Senseable City Lab, që do të zhvillojnë vizionin urban të qytetit të Prishtinës për edicionin e radhës të “Manifestas”.
I nënshkruar në maj të vitit 2019 midis Komunës së Prishtinës dhe bienales evropiane të artit “Manifesta 14”, protokolli i bashkëpunimit parasheh që Prishtina të jetë nikoqire e këtij organizimi, për të cilin aplikojnë e garojnë shumë qytete evropiane. Kështu, kryeqyteti i Kosovës pritet të jetë kryeqendra evropiane e kulturës më 2022, ku emrat më të njohur të artit dhe të arkitekturës do të realizojnë projekte enkas për qytetin, kurse urbanistë të njohur si Renzo Piano, Rem Koolhaas, Winy Maas e të tjerë do të jenë pjesë e ekipit.