Kulturë

“Prishtina Jazz Orchestra” bashkon maestrot në harmoninë e jazzit standard

Koncerti i natës së dytë të “Prishtina Jazz Festival” i ka ngjarë një udhëtimi nëpër historinë e jazz-muzikës. “Prishtina Jazz Orchestra”, një rrugëtimi që niset nga Kosova, ndalet në Maqedoninë e Veriut, në Shqipëri, Bullgari, fluturon deri në Spanjë dhe kur grumbullon emrat më të shquar të këtij zhanri, rikthehet në Prishtinë për ta shkundur skenën. E kur ata interpretojnë bashkë, harmonia është kryefjalë. Të tjerat janë ngjyrat e jazzit

Gjashtëmbëdhjetë artistë nga vendi, rajoni e më gjerë janë bërë bashkë për të sjellë në Prishtinë një rrugëtim në historinë e jazzit. “Prishtina Jazz Orchestra”, themeluar para pak muajsh, argëtoi publikun në natën e dytë të “Prishtina Jazz Festival”, i cili që në hapja dëshmoi rikthimin e fuqishëm pas një pauze gati prej një dekade. Por jazz-muzikantët nuk janë ndalur. Kanë sjellë një paletë jazzi-standardi dhe harmonia ka që në kryefjalë e koncertit. Publiku, po ashtu ka qenë në krye të “detyrës”. Karriget e teatrit “Oda” nuk kanë mjaftuar dhe diversiteti në moshë ka edhe tjetër peshë: e konfirmon se jazzi në Kosovë e ka publikun e vet. E mbushur plot ka qenë edhe skena dhe “Prishtina Jazz Orchestra” ka një shtrirje të gjerë gjeografike. Aty janë Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Spanja. Në anën e majtë të sallës ishte maestroja i pianos, Ilir Bajri, kitaristi Armend Xhaferi, bateristi Nesim Maxhuni dhe kontrabasisti, Kiril Tufekqievski. Ana e djathtë i takonte orkestrës frymore e vendosur në tri rreshta. Rendi i parë u takonte saksofonistëve: Kiril Kuzmanov, Arian Randobrava, Ivan Ivanov, Arnau Garoffe dhe Ivan Yordanov; Rendi i dytë trombonëve: Saško Nikolovski, Vladislav Mičev, Ilir Vorpsi dhe Nikola Ristevski, ndërsa rendi i tretë borive me Todor Bakarijevin, Trajče Velkovin, Aleksandar Milanovin dhe Rajkard Bardhin.

“Señor Blues” e Horace Silver, “Spain” e kompozitorit e jazz-pianistit të njohur amerikan Chick Corea, “How insensitive” e brazilianit Antonio Carlos Jobim, “Lingus” e Snarky Puppy ishin vetëm disa nga veprat që u interpretuan. Secila prej tyre ka vend për individualitetin e secilit muzikant. Armend Xhaferi, pos me lojën mjeshtërore në “Ibanezin” e tij, ka marrë edhe rolin e dirigjentit. Pas secilës pikë, përveç duartrokitjeve në sallë shpesh u dëgjuan edhe “bravot”.

“Prishtina Jazz Orchestra” qe themeluar me iniciativë të vetë Xhaferit që ka marrë përsipër rikthimin e “Prishtina Jazz Festival”. Kishte debutuar në 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë. Teksa ka folur për bashkimin e një numri kaq të madh artistësh, Xhaferi ka theksuar se puna është e lehtë kur ke të bësh me artistë të këtij kalibri.

“Këtë bend e kemi formuar në shkurt kur performuam koncertin e parë më 17 shkurt dhe anëtarët janë nga i gjithë Ballkani. Nuk ka pasur prova. Për Ditën e Pavarësisë e kemi mbajtur një provë me të 16-in dhe drejt kemi ardhur këtu. Është bend i atillë që nuk ka nevojë për prova, sepse janë profesionistë që lexojnë me të parën. Lezeti është kur punon me njerëz të tillë. Prandaj edhe i kemi marrë disa nga më të mirët e Ballkanit”, ka thënë Xhaferi.

Bashkëpunimin me një numër kaq të madh artistësh e ka vlerësuar edhe bateristi i bendit Nesim Maxhuni. Ka thënë se ndihet i nderuar të jetë në mesin e artistëve të tillë.

“Natyrisht prej gjashtëmbëdhjetë vetash nuk është e lehtë të koordinohemi së pari për me dalë me ngrënë drekë, e lëre më për të bërë muzikë. Por, ata janë të gjithë muzikantë profesionistë. Prej më të mirëve të rajonit dhe jo vetëm nga rajoni, sepse njëri nga saksofonistët vjen nga Spanja kështu që janë mbledhur ajka e jazzit kur krejt kanë studiuar dhe kanë kontribuar duke lënë gjurmë të mëdha në këtë muzikë. Për mua veçanërisht është nder ta ndaj skenën me ta, dhe të ndajë edhe momente të bukura”, ka thënë ai.

Kjo nuk është hera e parë që trumpetisti Trajče Velkov performon në Kosovë. Duke qenë se i njeh muzikantët bullgarë, Velkov e kishte ndihmuar Xhaferin që të binte në kontakt me ta. Nisur nga eksperienca me koncertet në Prishtinë, ai pati fjalë të mira për publikun.

“Është një nder i madh të jesh këtu dhe që të luaj me një bend të tillë. Të gjithë anëtarët e bendit janë tejet profesionistë. E shijuam shumë interpretimin këtu dhe gjithashtu u kënaqëm shumë edhe me audiencën që patëm sepse publiku ishte i etur për një event të tillë. Kam qenë edhe më herët në Prishtinë dhe publiku ishte tepër i mirë dhe për këtë ne ishim befasuar. Mendoj që Prishtinës i duhen më shumë ngjarje si kjo”, ka thënë ai.

Për të performuar në këtë festival, saksofonisti Arnau Garoffe ka ardhur nga Spanja. Në Kosovë ai kishte qenë edhe në koncertin e shkurtit dhe rikthimi e bashkëpunimi me muzikantët e ka gëzuar.

“Kjo është në fakt hera e dytë që po luajmë këtu. Ne kemi luajtur kah mesi i muajit shkurt dhe unë u ndjeva shumë mirë. Ndihem shumë mirë sa herë që vij në Ballkan, sepse takoj shumë njerëz si nga Bullgaria, Maqedonia, Shqipëria apo edhe Kosova. Kështu që për mua është shumë interesante dhe natyrisht të takoj edhe të punoj me muzikantë vendesh të ndryshme, për çka ndihem gjithmonë mirë”, ka thënë Garoffe.

Në mungesë të “Prishtina Jazz Festival”, Nesim Maxhuni kishte organizuar për tre vjet “Prishtina Jazz Week”. Megjithatë, si artist i cili kishte marrë pjesë në secili edicion të këtij festivali, ai është shprehur i lumtur për rikthimin e tij dhe për këtë falënderon organizatorin Armend Xhaferi.

“Është ndjenjë shumë e mirë. Qysh prej edicionit të parë të ‘Prishtina Jazz Festival’ unë kam qenë pjesë e bordit. Mungesa e disa vjetëve na ka lënë skenën pak mbrapa në disa aspekte, kështu që pas ndërprerjes unë kam qenë edhe vetë organizator i tri edicioneve të ‘Prishtina Jazz Week’. Pas pauzës së pandemisë ishte një situatë paksa e vështirë për secilin që ta marrë veten dhe për të krijuar gjëra të reja, kështu që e përgëzoj Armendin për këtë iniciativë dhe këtë nivel që e ka sjellë në Prishtinë”, ka thënë ai.

Image
Prishtina Jazz Orchestra” qe themeluar me iniciativë të Armend Xhaferit që ka marrë përsipër rikthimin e “Prishtina Jazz Festival”. Kishte debutuar në 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, e koncerti në teatrin “Oda” ka qenë një rikthim i fuqishëm, ashtu sikurse “Prishtina Jazz Festival”

Pjesë e bendit ishte edhe saksofonisti Arian Randobrava. Teksa ka folur për rikthimin e festivalit, Randobrava ka theksuar se Kosova ka artistë të shquar të jazz muzikës.

“Unë nuk e kam besuar në fakt. Ilir Bajri që është themeluesi i festivalit dhe njëri prej kontribuuesve më të mëdhenj ka pasur suksesin e vet, por disa rrethane, ka mbetur disa vjet pa u organizuar. Befasia ishte që Armendi mori iniciativën, përgjegjësinë për me e përgatitë krejt këtë që e përjetuam sonte. Është ndjenjë e mirë, sepse me thënë që nuk kemi muzicientë dhe njerëz që bashkëpunojnë e që kanë qejf të bëjnë muzikë me ne atëherë edhe mund të kishim thënë: çka na duhet një jazz festival? Por nuk mund të mos e mbajmë duke i pasur muzicientët. Muzicientët e Kosovës janë njerëz që janë shkolluar nëpër shkolla të njohura nëpër Evropë e gjetiu”, ka thënë ai. “Prishtina Jazz Orchestra” njësoj sikurse “Prishtina Jazz Festival” dhe jo vetëm, e kanë dëshmuar këtë.