Kulturë

Prishtina e panjohur e viteve ’90 zbardhet në kronikën bardhezi

Janë foto bardhezi, por në esencë i japin ngjyra përditshmërisë, jetës reale. Afrim Hajrullahu depërton në skuta e rrugica të Prishtinës, aty dokumenton dhe prej aty nëpërmjet imazheve shkruan rrëfimin e tij, të panjohur, për vitet ’90. Bëhet kronist unik i një periudhe me plot ngjarje e drama, por ato nuk janë subjekt i Hajrullahut. Ai kërkon dhe gjen diçka tjetër, larg pamjeve të njohura të asaj periudhe

Kur përmenden vitet ‘90 në Kosovë, rëndom ato lidhen me demonstrata, përndjekje, arrestime, gjendje të jashtëzakonshme. Ishte kohë e zymtë për shqiptarët, vite kthesash të mëdha deri te lufta.

Por syri i fotografit Afrim Hajrullahu sheh diçka përtej këtyre që shënuan atë periudhë. Ai do të futej nëpër rrugicat dhe pjesën ku zhvillohej përditshmëria e prishtinasve. Do të kapte diçka nga gjallëria e atyre viteve. Megjithatë, jetohej. Fëmijët e viteve ‘90 në objektivin e Hajrullahut shihen duke luajtur nëpër mëhallë, nëpër parqe lodrash, duke shkarravitur nëpër mure, duke shitur a duke tymosur cigare.

Mbi një derë është vendosur një dërrasë ku shkruan “Mathëtar – Potkivač” dhe poshtë këtij mbishkrimi emri i zanatliut Rrahman Ismaili. Anash derës gjenden dy dritare, njëra e mbyllur tjetra e hapur. Në të parën ca patkonj të renditur nëpër tre tela. Nga dera e hapur, në pjesën e brendshme të errët shihet tre burra. I pari një plak me kapele të zezë, pastaj një burrë pak më i ri dhe në fund një fëmijë. Që të tre janë të renditur në atë formë që asnjëri nuk ia zë pamjen tjetrit. Para këtij dyqani, në rrugën prej dheu shihet duke kaluar një burrë me shkop në dorë, me plis të bardhë e shall rreth koke. Kjo fotografi, së bashku edhe me mbi 20 të tjera, janë pjesë e ekspozitës “Prishtina në vitet e 90-ta” të Afrim Hajrullahut. Fotografitë të cilat janë vendosur në dy dhomat e katit të dytë të Muzeut Kombëtar të Kosovës kanë formate të ndryshme, por që të gjitha janë bardhezi. Me imazhe si këto, mundësohet një shëtitje prapa në kohë, rrugicave të Prishtinës së Vjetër. Ka edhe imazhe të tilla që zbërthejnë kontekste historike e ekonomike si ai me posterë me portretin e Titos, te pazari ku qytetarët shisnin rroba, rrugët e zbrazëta nga makinat, njerëz duke bartur dru në shpinë, gra të veshura me mantele të gjata e shami në kokë, e shumëçka tjetër. Një ekspozitë e tillë, përveç anës artistike në mënyrën se si Hajrullahu ka arritur t’i kapë këto momente krejt të zakonshme në shikim të parë, është edhe një dëshmi e kulturës, traditave dhe mënyrë së jetesës të atyre viteve. Në anën tjetër ato janë dëshmi edhe e arkitekturës dhe urbanizmit të Prishtinës.

Ka qenë mu kjo, mjeshtëria për të kapur të përditshmen, ajo që i ka lënë më së shumti përshtypje publicistit Shkëlzen Maliqi, i cili gjithashtu është personazh i njërës prej fotografive të Hajrullahut.

ditë para ekspozitës i kam parë këto fotografi, por ndryshe është përshtypja në ekran e ndryshe kështu të aranzhuara mirë. Janë fotografi të viteve ’90, por pak më ndryshe prej atyre që jemi mësuar t’i shohim me shumicë rreth protestave e atyre ngjarjeve dramatike që kanë ndodhur në ato kohë. Ndërkaq Afrim Hajrullahu në atë kohe, ndër të tjera, ka pasur edhe një prirje për ta regjistruar jetën e përditshme, në skutat, në skajet e Prishtinës, te Prishtina e Vjetër, aty ku ka ndodhur jeta e vërtetë. Jo vetëm lagjet e Prishtinës së Vjetër, por edhe do ngjarje që i kemi pas bërë si protesta kulturore apo shtëpitë-shkolla”, ka thënë Maliqi në ekspozitën e hapur të mërkurën mbrëma, pa ceremoni e fjalime. Nuk ka folur as autori i saj. I lindur në Prishtinë, Afrim Hajrullahu u diplomua në Akademinë e Arteve, Dega e Pikturës. Qysh prej viti 1989 Hajrullahu ka punuar si fotograf profesionist në revista ditore dhe javore të Kosovës. Puna e tij është botuar edhe në mediume botërore si “Paris Match”, “Liberation”, “El Pais”, “New Yorker”, “Photo District News”, “La Republica” e të tjera. Ka marrë pjesë në shumë ekspozita individuale dhe kolektive brenda dhe jashtë vendit, si në Galerinë e Parlamentit Rinor Evropian në Strasburg, në Sallonin e 17-të Pranveror në Galerinë e Arteve në Prishtinë, në Galerinë e Muzeut të Qytetit në Zagreb të Kroacisë e të tjera. Hajrullahu ka realizuar dokumentarë për kanalin “Arte” në Francë, “Channel 4” në Mbretëri e Bashkuar dhe “TV Net” në Greqi.

Është edhe fitues i disa çmimeve. Në vitin 2000 nga “World Press Photo” është vlerësuar me Çmimin e Dytë në kategorinë “Spot News Single”. Fotografia që u shpërblye titullohej “Policia serbe grumbullon shqiptarët” dhe u publikua në “US News & World Report”.

Shkëlzen Maliqi ka thënë se kjo është njëra ndër ekspozitat më të arrira artistike të kohës. Ndërkaq mënyrën e krijimit të imazheve ai e lidh me traditën e fotografëve të njohur të Shkodrës, atë të familjes Marubi.

“Më duket se është njëra prej ekspozitave më të përmbledhura dhe artistikisht më e arrirë. Sigurisht se ka edhe ekspozita të tjera kushtuar viteve ‘90, ka shumë fotografi të bukura, dramatike me përmbajtje, por kjo ka një shikim shumë subjektiv por edhe lidhet me një traditë shumë të vjetër të fotografisë shqiptare, ballkanike, sidomos me Marubin e Shkodrës dhe Manakin e Manastirit, që ka qenë më shumë xhirues. Por këto pamje të trishtueshme deri diku, që kanë vazhduar deri sot. Gjithë prezencën e Prishtinës orientale që po transformohej, ende edhe sot e kësaj dite nuk është transformuar komplet, por këtu është e dokumentuar në mënyrë shumë mjeshtërore”, ka vlerësuar ai.

Skulptori, njëherësh kritiku i artit Skënder Boshtrakaj është ndalur te krijimi në bardhezi i fotografive dhe te ekskluziviteti i saj. Sipas tij, fotografia bardhezi është bërë pjesë e identitetit të Hajrullahut.

“Së pari, kur fotografia me ngjyra ka nisur të hyjë në jetën tonë ka qenë një frikë e madhe që fotografia bardhezi do të humbasë në rëndësi, se po del prej tregu, e të tjera. Them unë që fotografia me ngjyra, asaj bardhezi ia rriti ekskluzivitetin. Ashtu siç ka qenë droja kur ka dalë kitara elektrike e rockut, ishte droja se çfarë do të ndodhë me kitarën akustike. Nuk e hoqi prej dorës së artistit, por ia shtoi ekskluzivitetin. Në të njëjtën mënyrë them edhe për fotografinë e Afrimit, fotografinë bardhezi, tash është bërë një pjesë e letërnjoftimit të tij si shprehje, e mos të hyjmë tash shumë në interpretim të teknikave e ndjeshmërisë së tij e të asaj që e bën mjeshtër të vërtetë jo vetëm në nivel kombëtar”, ka thënë Boshtrakaj.

Mjeshtërinë e Hajrullahut, Boshtrakaj ka thënë se e sheh veçmas te mënyra se si ai arrin t’i kapë momentet. Sipas tij, autori bëhet inekzistent përpara subjekteve të tij.

“Afrimi së paku në këtë ekspozitë, por edhe në përgjithësi në jetën e tij prej fotografi, artisti, kronisti, e ka një respekt të hatashëm për subjektin, për temën. Ka aq konsideratë sa është e admirueshme me sa dashuri dhe respekt e konsideron temën e subjektit që ka përballë. Por në anën tjetër, e ka edhe një aftësi tjetër, që e shuan veten para subjektit. Në temat e tij, subjektet nuk e shohin Afrimin. Ai nuk është aty. Vjen vetëm imazhi i ngjarjes, i subjektit që e trajton”, ka thënë ai.

Nën titullin “Kronist i jetës së përditshme” një vlerësim për punën e Hajrullahut ka dhënë edhe fotografi i njohur britanik, njëherësh regjisori Nick Danziger. Në shkrimin e shkurtër, të botuar në fletushkën e ekspozitës, Danziger vlerëson aftësinë që Hajrullahu ka për të kapur momentin, me ç’rast punën e tij e krahason me atë të një kronisti të viteve ‘90.

“Afrim Hajrullahu ka shumë shigjeta për harkun e tij: ai është një artist që tregon në inkuadrimin e punës së tij dhe në aftësinë e tij për të kapur çastin, ai është kronist i jetës së përditshme dhe na çon në një udhëtim të viteve ‘90 të tokës së tij të dashur, dhe humanist që jo vetëm po përpiqet të kuptojë botën përmes imazheve të tij, por duke punuar me Afrimin e kam parë se ai i trajton me ngrohtësi, mirëkuptim dhe respekt ata që e rrethojnë”, shkruan ai.

Dramaturgu e regjisori britanik David Gothard ka vlerësuar, po ashtu, lart fotografitë e Hajrullahut teksa natyrën e krijimit të tyre e ka lidhur me dadaizmin. Gjatë viteve 1998-1999 Gothard kishte dhënë mësime skenari për fondacionin “Soros” në Lubjanë. Drama e Hamletit e më pas ajo e Makbethit, të cilat rikthyen punën në Teatrin Kombëtar të Kosovës, u iniciuan nën regjinë e Gothardit. Ai ishte edhe drejtor i Bordit në Festivalin e Filmit në Prishtinë.

“Janë të nëntëdhjetat e prapështa si për artistin ashtu edhe për pjesëmarrësit e subjektit, pavarësisht nëse e dinë apo jo. Megjithatë, ato janë vëzhgimet e një dadaisti kosovar me vetë objektet që na befasojnë dhe provokojnë mister dhe argëtim. Mbi të gjitha, ata janë njerëzit e përditshëm të rrugëve. Ata janë të njohur, ama kur kapen në perceptimin tonë janë, po ashtu, edhe një arratisje. Fotografi na jep shenjë, ne spiunojmë dhe qeshim me zë të lartë”, thuhet në shkrimin e titulluar “Poezi virtuale”.

Një përshtypje të mirë, e një rikthim prapa në kohë mbase edhe të panjohura ka pasur edhe për gjeneratën e re si puna e DJ të njohur të Prishtinës, Adrian Berisha. Ai ka thënë të ketë dëgjuar histori të ndryshme lidhur me këto vite, por se kjo ekspozitë është dëshmia e vërtetë e asaj periudhe.

“Përshtypje e jashtëzakonshme për shkak se unë jam i lindur pikërisht në vitin 1990, e këtu kemi të bëjmë kryesisht me vitet ‘90 në qytetin e Prishtinës. Gjatë gjithë kohës në jetën time kam dëgjuar histori të ndryshme për vitet ’90, si nga familjarë, si nga miq të ndryshëm, se qysh kanë jetuar shqiptarët kryesisht në atë periudhë kohore. Një lloj diversiteti i jashtëzakonshëm, duke marrë parasysh që jeta është përbërë nga halle të ndryshme dhe ka qenë diçka e jashtëzakonshme me i përmend për shembull ‘Kurrizin’ e viteve ‘90 e pamje të ndryshme ku po vërehet që ka qenë një gjendje jo aq e mirë ekonomike e shqiptarëve në atë kohë. Nganjëherë na mbesin vetëm kujtime dhe është shumë e rëndësishme si medium që me na dhënë një pamje të tillë ku në e shohim se si kanë jetuar në vitet ‘90”, është shprehur Berisha.

Ekspozita “Prishtina në vitet e 90-ta” do të qëndrojë e hapur edhe gjatë muajit maj.

Image
Me imazhe si këto, mundësohet një shëtitje prapa në kohë rrugicave të Prishtinës. Ka edhe imazhe të tilla që zbërthejnë kontekste historike e ekonomike