Kulturë

“PriGlobal” hap në Kosovë kapitullin e filmit të pavarur

Është festivali ndërkombëtar i filmit “PriFest” që sivjet vjen me edicionin e parë të “PriGloba”, duke synuar që për pesë ditë të shpalosë një kapitull temash, stilesh e qasjesh. Janë pesë filma të pavarur, që pos nivelit artistik, ofrojnë mundësi për të gjurmuar në shkolla të ndryshme kinematografike. “Our happiest days” nga Argjentina ka ndezur projektorin

“Kino Armata” është bërë vendtakim për adhurues filmash të pavarur, prej së hënës mbrëma kur “PriGlobal”, me filmin argjentinas “Our happiest days”, ka ndezur projektorin. Është festivali ndërkombëtar i filmit “PriFest” që sivjet vjen me edicionin e parë të kësaj ngjarjeje, duke synuar që për pesë ditë të shpalosë një kapitull temash, stilesh e qasjesh kinematografike. Janë pesë filma të metrazhit të gjatë që futen në garë, e në program i është bërë vend edhe një filmi vendor.

E gjithë kjo që “PriFest” ka bërë është një mundësi e dyfishtë për pjesëmarrësit e të gjitha formave: ata që marrin pjesë nëpërmjet filmit do të kenë mundësinë që ta prezantojnë punën e tyre në Kosovë, e shikuesit do të përballen me kinematografi të huaja, shkolla të ndryshme filmi.

Historia e 74-vjeçares të rikthyer në një trup të një vogëlusheje, ka qenë rrëfimi i parë që ka ardhur me “PriGlobal”. Agatha në ditëlindjen e saj të 74-t pëson ndryshme krejt të pazakonta për një të moshuar si ajo. Teksa bashkëmoshatarët e saj ditëlindjet e tilla i gjejnë me disa rrudha më shumë në fytyrë, fiziku i saj rikthehet 67 vjet prapa, në kohën kur ajo ishte shtatë vjeçe. Teksa kryesorja është Agatha, historia shtrohet edhe përtej saj për të prekur edhe dy personazhe të tjera me të cilët përjeton sfidat dhe mirësitë që i sjell transformimi fizik. Fëmijët e saj, Leonidas dhe Elisa, janë personat e tjerë që plotësojnë treshen me të cilën zbërthehet rrëfimi. Përmes këtij transformimi fizik, “Our happiest days”, nën regji të Sol Berruezo Pichon-Rivièrem, përcjell ndjenjat dhe aspektet shpirtërore të protagonistëve. Fëmijët e 74-vjeçares me pamje të një vogëlusheje bëjnë jetë brenda kornizave që shoqëria ua imponon, ndërsa ajo pajtohet me të gjitha këto. Zhvillimi i historinë në film nis kur treshja me lidhje të ngushtë familjare bën gjërat që më herët ishin të paprekshme në vizionin e tyre dhe krejt kjo falë transformimit fizik të Agathas. Kështu bëhet një me emrin që është pagëzuar filmi i 2021-s dhe protagonistët arrijnë t’i prekin ditët më të lumtura të jetës së tyre. Filmi në thelb ka guximin e njeriut, prek ndjenjat dhe dëshirat absurde të tij, përderisa publikun e bën të gjurmojë për gjërat që i bëjnë të lumtur.

“Our happiest days” është vetëm njëri nga pesëshja që është pjesë e garës. Programi koncentrohet te filmat e pavarur dhe synon që me “ProGlobal” të sjellë projekte që tashmë kanë korrur sukses në vende e festivale të ndryshme.

“Është konceptuar në atë mënyrë që të sjellim filmat e rinj të metrazhit të gjatë. Filmat e pavarur nga i gjithë globi. Prandaj edhe e kemi titulluar ‘PriGlobal’. Është një ‘showcase’ i filmave që janë shumë të mirë, që janë të rinj dhe të pavarur, por që janë të dëshmuar tashmë edhe në festivalet shumë të mirat ndërkombëtare. Për shembull filmi shfaqet sonte është një film i Argjentinës, i cili e ka pasur premierën në Festivalin e Venecias, pra njërin ndër festivalet më të mëdha në botë”, ka thënë Fatos Berisha, regjisori që është bashkëthemelues dhe organizator i “PriFestit” në kuadër të të cilit është duke u organizuar java.

Image
“PriGlobal” fut në garë pesë filma të huaj

Programi është selektuar nga programerja holandeze, Claudia Landsberger, dikur drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Holandës, e gjithashtu edhe programerja e festivaleve të tjera, si ai i Venecias. “PriGlobal”, pos filmit argjentinas, sjell edhe filma nga Republika Çeke me “Banger”, i shfaqur të martën mbrëma, nga Ukraina që përfaqësohet me “Luxembourg, Luxembourg”, Mbretëria e Bashkuar me “Kindling” e Izraeli vjen me “Ducks, an urban legend”. Kosova është jashtë garës dhe përfaqësohet me “Bartësit e betonit”.

“Do të ketë pesë filma të metrazhit të gjatë dhe do ta kemi një film mysafir të metrazhit të shkurtër. Është filmi i “Neo School” të ‘Armatës’. Këta pesë filma të gjatë do të jenë garues dhe juria do ta shpallë filmin më të mirë në ditën e fundit në të cilën do të shfaqet edhe filmi izraelit. Pra pas filmit izraelit do të jetë ceremonia e shpalljes së filmit fitues”, ka thënë Berisha.

Anëtarë jurie janë emra të njohur të kinematografisë si Ilire Vinca, Burim Mustafa e Visar Morina.

“Juria e sivjetme e ‘PriGlobal’ janë kinastë nga Kosova për të cilët jemi shumë të lumtur që i kemi. Edhe brenda ‘PriFestit’ gjithmonë kemi tentuar që filmat ndërkombëtarë të gjykohen nga kineastë vendorë apo ballkanikë. Dhe e kundërta. Kinemaja ballkanike të gjykohet nga kinasitë botërorë. Jemi të lumtur që i kemi sot Visar Morinën, si regjisor i mirënjohur; Ilire Vincën një aktore po ashtu e njohur dhe Burim Mustafën, që është regjisor i filmit dhe momentalisht është edhe drejtor i Teatrit të Qytetit të Prizrenit. Besoj që është një juri shumë e mirë, e cila do të ketë një punë goxha të vështirë në vlerësimin e këtyre filmave sepse janë filma vërtet të mirë dhe të rinj. Shpresoj që do ta zgjedhim më të mirin”, ka thënë regjisori në krye të këtij organizimi.

Profesoresha universitare Ilire Vinca, ndonëse me karrierë të kamotshme, të qenët anëtare e jurisë së “PriGlobal” ka thënë se e nderon. Të tillë e ka konsideruar edhe faktin që përkrah ka kolegë të zot në fushën e filmit.

“Kam besim të plotë që filmat pjesëmarrës në këtë kategori tashmë e kanë pasur një kriter përzgjedhës. Kështu që me siguri edhe katër filmat e tjerë që i shohim do të jenë përafërsisht të nivelit të njëjtë për nga prurja, për nga kulturat e ndryshme, vendet e ndryshme. Kam dëshirë që të vij pa shumë pritshmëri në kuptimin që të jem e hapur për të pranuar. Natyrisht që kriteret dihen. Filmi duhet të jetë për nga tregimi i veçantë, aktrimi e shumë të tjera. Duhet që të jetë estetikisht i bukur dhe të të marrë emocionalisht me vete. Mos të lë të të zë gjumi”, ka thënë Vinca.

Organizimin si “PriGlobal” e ka parë përtej një sfide. Lidhja e saj me “PriFestin” kalon profesionalizmin për të dalë shpesh në diçka emocionale.

“Sonte jemi vetëm në natën e parë. Për mua është festë që ‘PriFest’ po vazhdon, që jam bashkë me Fatosin. Me kujtimet e mija më të bukura për Vjosën. Me të gjithë kolegët e mi është një lloj feste që ne po mblidhemi, që rruga vazhdon, që festivali është në këmbët e veta”, ka thënë ajo në mbyllje të mbrëmjes, e cila nisi duke shfaqur në monitor emrin e tashmë të ndjerës Vjosa Berisha, themeluese e organizatore e “PriFestit”. Producentja e njohur vdiq më 23 qershor të vitit të kaluar.

“PriGlobal” vjen me “PriFestin”, i cili organizimet e tilla i shtrin gjatë gjithë vitit dhe i paraprijnë edicionit të 15-të në shtator, teksa i ngjashëm me këtë që nisi këtë të hëne, do të vijë në muajin qershor edhe “PriDocs” me filma dokumentarë.

Java e filmave artistikë ndërkombëtarë të metrazhit të gjatë do të mbahet deri të premten.