Kulturë

“PriFest” në Tiranë e “Tulla” në Prishtinë me program shkëmbimesh për industrinë e filmit

Pas rrugëtimit gjashtëditor të festivalit më të madh të filmit të gjatë artistik në vend në kuadër të edicionit të 14-të, “PriFest” sjell një linjë të veçantë programore edhe në Tiranë. Aktivitetet që vijnë në bashkëpunim me qendrën kulturore “Tulla” nga Tirana do të mbahen në Tiranë nga 28 deri me 30 tetor.

Pas përfundimit të një edicioni tjetër të Festivalit, ku imazhet e themelueses e drejtueses së ndjerë Vjosa Berisha kishin zënë vend në ekranet e hapësirave të “Kino Armatës” në Prishtinë gjatë shtatorit, një pjesë e programit do të bartet në kryeqytetin shqiptar. Aktivitetet e radhës, që vijnë si shkëmbime kulturore mes dy shteteve, e sjellin në Prishtinë qendrën kulturore “Tulla” me projektin “NoiseLab”, ku do të mbahen masterklasa për të rinjtë në fushën e arteve figurative dhe dramatike. Të tilla do të mbahen edhe në Tiranë, në partneritet me “PriForum” si vazhdimësi e traditës që nga edicioni i shtatë i Festivalit në vitin 2015, kur ishte mbajtur në kryeqytetin shqiptar.

Alban Nimani, bashkëthemelues e drejtor në qendrën “Tulla”, ka thënë se dëshira ka qenë që të ndërlidhen programet kulturore të të dy institucioneve, ku do të përfshihen artistët që jetojnë në Tiranë dhe Prishtinë. “Qëllimi i programit arsimor joformal është të specializojë të rinjtë në rrugën dinamike të karrierës në arte, muzikë, teknologji dhe për një jetë të qëndrueshme miqësore me ambientin. Po në Tiranë do të mbahen masterklasa mbi ‘Intermedia Performance’”, ka thënë Nimani përmes një përgjigjeje me shkrim. Ai ka qenë edhe pjesë e jurisë për vlerësimin e filmave në kategorinë e dokumentarëve. Çmimi për këtë kategori ishte ndarë për “Come on Time”.

Nimani për KOHËN e ka vlerësuar të rëndësishëm bashkëpunimin që mundëson shkëmbimin e artistëve ndërmjet dy kryeqyteteve në fushën e kulturës.

“Këtë e kemi forcuar edhe kur e shënuam më 17 shkurt 2022 Ditën e Pavarësisë së Kosovës me ‘KS Showcase - Java e Kulturës së Kosovës’ me prezantimin e kinematografisë, muzikës, teatrit dhe fotografisë, që u mbështet nga të dy komunat: Prishtinës dhe Tiranës”, ka thënë ai, duke theksuar se qëllimi është që këto aktivitete të rriten çdo vit dhe të pasurohen.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, festivali ndërkombëtar i filmit, “PriFest” ka bërë të ditur se në kuadër të asaj që e kanë quajtur “PriFest në Tiranë – ‘Tulla’ në Prishtinë”, do të shfaqet program i larmishëm artistik, program argëtues dhe një panel diskutimi mbi gjendjen e industrisë filmike shqiptare. “Fundjava e fundit e muajit tetor sjell ‘PriFest-in’ në Tiranë. Projekti i përbashkët i ‘Tulla’ Tiranë dhe ‘PriFest’ Prishtinë sjell një pjesë të festës filmike të edicionit të 14-të që u mbajt kohë më parë në Prishtinë, duke shfaqur filmat fitues në Tiranë”, është shkruar në faqen e Festivalit në Facebook.

Numri i pjesëmarrësve në masterklasat e organizuara në Tiranë dhe Prishtinë është i kufizuar, ku parashihet të marrin pjesë tetë deri dhjetë persona. Në Prishtinë ato kanë të bëjnë konkretisht me të bërit film dhe ndikimi i tyre në bashkëpunim rajonal.

Hapja solemne bëhet me shfaqjen e filmit “Klondike” me regji të ukrainases Maryna Er Gorbach, fituese e çmimeve “Best Global” dhe “Media Jury Prize”, më 28 tetor në ora 19:00. Një ditë më pas, në të njëjtin orar, shfaqet filmi “North Pole” me regji të maqedonases Marija Apcevska dhe “Vancouver” me regji të Artemis Anastasiadou nga Greqia, i shpërblyer si filmi më i mirë i shkurtër. Gjatë këtyre dy netëve do të ketë muzikë argëtuese.

Në ditën e fundit, më 30 tetor, programi vazhdon me panel diskutimi nën temën “Kinematografia në gjuhën shqipe: sfidat dhe mundësitë” në ora 12:00. Në mbrëmje shfaqet filmi “Cow Bells” me regji të belgut Charles Habib-Drouot, fitues i çmimit “Best Medium Length Film” në edicionin e 14-të të “PriFest-it”.

“PriFest” është ngjarja më e madhe dhe më e rëndësishme e industrisë së filmit në Kosovë. Ajo doli si një nevojë për të rikthyer dhe ndërtuar kulturën e kinemasë të humbur gjatë shumë vjetëve të represionit dhe luftës.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë i ofron publikut çdo vit filmat më të rinj nga Evropa, Ballkani dhe bota, me programe të veçanta që promovojnë të drejtat e njeriut, tolerancën dhe pranimin për grupet e margjinalizuara të shoqërisë. Edicioni i sivjetmë i është dedikuar themeluese Vjosa Berisha. Motoja e sivjetme ka qenë “For her” (Për të) dhe fotografitë e producentes kanë qenë kudo. Për gjashtë ditë radhazi “PriFest” e ka bërë Prishtinën qytet të filmit. Sivjet edhe Festivali i Filmit të Odesës ka qenë i pranishëm në Prishtinë, duke shfaqur një program filmash në kuadër të programit “Odesa përtej kufijve”.

Ndërsa qendra kulturore “Tulla” që do të sjellë aktivitetet e saj në Prishtinë është institucioni që lidh artin dhe kulturën me aktivizmin shoqëror si një formë efikase e krijimit të kohezionit më të lartë shoqëror. Për qëllim ka që grupet e margjinalizuara të kenë qasje në art, kulturë dhe teknologji të reja. Ndër të tjera, njihet si platformë unike në Tiranë, pasi modeli i saj përcaktohet nga programi kulturor, konteksti dhe komuniteti i saj.

Pjesëmarrësit në kuadër të “NoiseLab”, që tashmë është punëtori tradicionale e “Tulla”, do të kenë mundësi të krijojnë një performancë të përbashkët me elemente të ndryshme në fushat e artit. Aktivitetet e të dy institucioneve mbështeten nga Bashkia e Tiranës dhe nga organizata “Western Balkan Fund”.