Kulturë

“PriFest” mbyllet me triumfin e filmit që ndez sirenat kundër korrupsionit

Prifilmfest

Një piramidë korrupsioni zbulohet gradualisht, ndërsa pozita e mediave aty është lloj veglash për ta çorientuar vëmendjen nga kjo ngjarje është rrëfimi triumfues i “PriFilmFest”. Festivali sikurse në edicionet e kaluara, e ka kujtuar themeluesen Vjosa Berisha, si ideatoren dhe njeriun që ia ka lënë Prishtinës një festival ndërkombëtar

Festivalit ndërkombëtar i filmit në Prishtinë, “PriFilmFest”, mbrëmë e ka mbyllur edicionin e 16-të me ndarjen e çmimeve. Ka triumfuar filmi “Heshtja e sirenave” me regjisor e skenarist Gazmend Nelën. Protagonisti kryesor në këtë film, aktori Sunaj Raça është shpallur Aktori më i Mirë, ndërsa sivjet veçanti ka qenë Çmimi për Arritje Jetësore në Kinematografi i festivalit, i cili i është dhënë regjisorit, aktorit e dramaturgut Enver Petrovci.

Rrugëtimi gjashtëditor kinematografik i edicionit të 16-të të festivalit ndërkombëtar të filmit në Prishtinë “Pri Film Fest” është mbyllur me ndarjen e çmimeve të dielën mbrëma. Filmi “Heshtja e sirenave” me regjisor e skenarist Gazmend Nelën, që trajton një lloj piramide të korrupsionit është shpallur fitues i edicionit të 16-të të festivalit.

Çmimi për Filmin më të Mirë Ballkanik iu dha projektit që shfaq premierë vendore të premten në “Kino Armata”. Aty është prapavija e krijimit të një lëmshi ngjarjesh, që zanafillën e ka te një devijim i çastit. Kur puna pa nder për një moment vihet në binarë për t’i ndëshkuar të fuqishmit, rezulton me fundosjen e vetvetes. Një piramidë korrupsioni zbulohet gradualisht, ndërsa pozita e mediave aty është lloj veglash për ta çorientuar vëmendjen nga kjo ngjarje. Dhe ajo që dihet është se i njëjti shkak i hesht sirenat dhe u jep jehonë.

Bashkëproducenti i filmit Valon Bajgora, ka thënë se filmi ka pasur rrugëtim të gjatë e të vështirë.

“Po flas në emër të regjisorit, i cili këtë projekt e ka pasur për shumë gjatë dhe si punë të cilën gjithsesi donte ta realizonte edhe pse kanë qenë kohëra shumë të vështira për ta realizuar këtë projekt. Unë mendoj se filmi vlerësohet nga publiku dhe ju e vlerësuat, kështu që ne jemi falënderues ndaj juve dhe vetëm për ju punojmë”, ka thënë Bajgora në skenë.

“Heshtja e sirenave” ka dalë fitues i dyfishtë nga “PriFesti”. Aktori Sunaj Raça, kryepersonazh në film, ka fituar Çmimi për Aktorin më të Mirë.

“I falënderoj anëtarët e jurisë, publikun që e ka mirëpritur këtë projekt filmik. Më falënderues për këtë çmim i jam profesorit tim, Enver Petrovci, i cili më ka dhënë hapat e parë në botën e kinematografisë”, ka thënë aktori Raça.

Kryepersonazhi, që e luan Raça, vihet në misionin e pamundur: ta gjejë fajtorin duke qenë vetë ai. Është edhe një lloj rebelimi i tij si shërbyes në pozitën, në të cilën është i angazhuar për 20 vjet, pa u graduar. Kthesa në jetën e tij vjen në një natë të zakonshme kur përplasen me një njeri të pushtetshëm.

Skema e korrupsionit është zinxhir. Kur kryepersonazhi –  lakmitar në para, mbase edhe për shkak të jetës së vështirë – vendos që këtë person të pushtetshëm ta vërë para ligjit duke e barazuar me çdokënd tjetër, i kushton me vendin e tij të punës.

Çmimin për Filmin më të Mirë të Metrazhit të Mesëm e ka marrë “And the wind weeps” i Aulona Selmanit.

“Faleminderit Fatos për mbështetjen dhe mundësinë për të shfaqur filmat në një ambient shumë të mirë dhe shumë mikpritës. Faleminderit jurisë për çmimin dhe atyre që kanë gjetur kohën të vijnë ta shohin filmin dhe të ndjekin të gjitha emocionet me neve. Faleminderit aktorëve që ma kanë besuar punën, që kanë ardhur deri në Zvicër, për dy javë nuk janë lodhur asnjëherë dhe ma ka dhënë ndjesinë si të jenë familje e dytë”, ka thënë Selmani.

Çmimi për Filmin më të Mirë të Shkurtër i është dhënë filmit “Highway of a broken heart” nën regji të grekut Nikos Kyritsis.

Regjisorja më e mirë është vlerësuar boshnjakja Una Gunjak për filmin “Excursion” ndërsa aktorja më e mirë kroatja Lana Bariq për rolin e saj në filmin “This is not a love song”.

Veçantia e ceremonisë së çmimeve të sivjetme ka qenë rikthimi i Çmimit për Arritje Jetësore. Me të është nderuar vepra e regjisorit, dramaturgut e aktorit Enver Petrovci. Ai në skenë ka thënë se më shumë se çmimi, vlerë ka pasur takimi me audiencën e komunitetin artistik.

“Faleminderit për këtë çmim. Kur më thanë a mund të vij thashë mundem sepse më besoni, çmimi është me vlerë për mua por më me vlerë ka qenë të dal pak jashtë të ju shoh, dhe kjo më dha forcë”, ka thënë Petrovci.

Çmimin e ka ndarë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili ka kujtuar se në maj të vitit 2021 e kishte ndarë Çmimin e Institucionit për Arritje Jetësore në Teatër për Petrovcin.

“E kam privilegjin ta ndajë këtë çmim të veçantë për kontribut jetësor, por thanë se nuk kanë përgatitur asgjë dhe se unë duhet ta bëjë një fjalim. Besoj se unë nuk kam fort çfarë të them sepse është e vështirë të thuhet por edhe është thënë shumë, sepse e ka merituar gjithmonë. Unë vetëm mundem ta personalizoj ndoshta, por në fillim të marrjes së detyrës e kam pasur edhe atëherë privilegjin ta ndajë një çmim për veprimtari jetësore ndërsa sot po e mbylli mandatin, prapë duke e ndarë një çmim për kontribut jetësor, kush tjetër pos Enver Petrovcit”, ka thënë ministri Çeku.

Çmimi Vjetor për Arritje në Kinematografi i është dhënë aktores e regjisores Luana Bajrami.

“Është nder, sidomos pas eksperiencës me ‘Luaneshat…’ te edicioni i ‘PriFestit’ ka qenë emocion shumë i madh, kështu që nuk kam fjalë. Faleminderit të gjithëve që më kanë ndihmuar në arritjen e ecjen në rrugën e madhe të kinematografisë”, ka thënë ajo pasi ka pranuar çmimin.

Qendra Kinematografike ka ndarë çmime për projektet filmike në proces për filmat “Nora’s music house” dhe “Vestige”. Ndërsa në kuadër të festivalit janë përkrahur edhe filmat “The Consequences Of Freedom”, “As Long As There Is Sea” dhe “The Pigeons”.

Festivali tradicional edhe sivjet nën moton “For Her” dedikuar producentes së ndjerë, bashkëthemelueses së festivalit, Vjosa Berisha, ka gjurmuar nëpër kinematografinë vendore e rajonale. Në kuadër të festivalit është vërejtur dukshëm shtim i interesimit për festivalin.

“Ka pasur interesim të shtuar në krahasim me edicionet e tjera. Kjo na bën të lumtur. Mandej ka të bëjë me programin. Sivjet kemi pasur prezencë më të madhe të filmave të Kosovës në kuptimin e prodhimit ose bashkëprodhime me Kosovën. Pra vetëm në kategorinë e filmave të gjatë prej gjashtë filmave, katër kanë qenë në bashkëprodhim me Kosovën, filmi i hapjes ka qenë prodhim i Kosovës – ‘Lejleku’ i Isa Qosjes, ndërsa është mbyllur me filmin e Luana Bajramit”, ka thënë drejtori i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, Fatos Berisha.

“PriFest” sikurse në edicionet e kaluara, e ka kujtuar themeluesen Vjosa Berisha, si ideatoren dhe njeriun që ia ka lënë Prishtinës një festival ndërkombëtar.