“Kino Armata” ka ndezur projektorët për dokumentarin e fundit në kuadër të programit “PriDox” të festivalit ndërkombëtar të filmit “Pri Film Fest”. “My worst enemy” me regjisor Mehran Tamadon ka dokumentuar edhe para publikut vendës autorët e torturës dhe viktimat në duart e regjimit iranian. Dokumentari vjen edhe në një dimension të filmit artistik, kur viktimat demonstrojnë maltretimin e dhunën. Në ceremoninë e mbylljes është shpallur edhe fituesi i edicionit të parë të “PriDox”, që ka qenë dokumentari “Paved Paradise” i regjisorit holandez Karsten de Vreugd.
Te “My worst...” në fillim, regjisori shpjegon se pasaporta i ishte konfiskuar nga autoritetet dhe se ai “kishte hartuar planin” për t’u kthyer në vend. Nga aty edhe nis krejt rrugëtimi i tij nëpër dokumentar. Vendos të bëjë një film dokumentar duke intervistuar ish-të burgosurit në Iran gjatë viteve ’80. Që në nisje të filmit, regjisori u kërkon dy të intervistuarve që të marrin rolin e intervistuesve, por ata nuk pranojnë të shkojnë aq larg. Prej tyre kërkohet të përdorin dhunën që ishte ushtruar ndaj tyre.
Janë rrëfime të të burgosurve për eksperiencën në burg, kufizimin maksimal të lëvizjes e mënyrat e paimagjinuara të gjykimit, si ajo kur u ishte kërkuar të gënjenin për t’u liruar, janë prej shpjegimeve për sistemin zinxhiror në Iranin e asaj kohe.
Megjithëse aktorja Zar Amir Ebrahimi nuk ishte burgosur kurrë, ishte marrë në pyetje çdo ditë për një vit.
Ajo fillon ta pyesë atë për punën e tij si regjisor dhe lidhjen e tij me një filmbërës. Atij i bëhen pyetje krejt personale që shkojnë deri në ato më intimet. E urdhëron madje të zhvishet e të dalë në publik. Ngjarja zhvillohet në Paris dhe e drejton atë për në varreza, duke i improvizuar ato si varrezat në Teheran të Iranit, ku regjisori Tamadon kishte intervistuar nënat e të vrarëve atje për një dokumentar të mëparshëm. Aktorja Ebrahimi futet krejtësisht në rolin e hetuesit duke dhënë përshtypjet se krejt ngjarja që luhej nuk ka qenë improvizim. Ajo është e njohur për rolin e saj në filmin “Holy Spider”. Pikërisht me këtë rol kishte marrë Çmimin për Aktoren më të mirë në edicion e vjetme të Festivalit të Filmin në Cannes.
Në mot të ftoftë e detyron regjisorin të dalë i zhveshur e me pantallona të shkurtra të lagura. Ai detyrohet gjithashtu të ecë lart e poshtë shkallëve në një shtëpi derisa edhe Ebrahimi e bën rolin e saj çdoherë më intensiv. Aty shpaloset se si nëpërmjet kësaj loje arrihet të zbulohen mënyrat përmes të cilave torturuesit humbasin humanitetin. Krejt kjo i përgjigjet pyetjes që regjisori i bën një prej ish të burgosurve.
Është pikërisht dokumentari “My worst enemy” në të cilin improvizohet historia e aktores iraniane Ebrahimi, derisa filmoheshin skenat që janë shfaqur të shtunën para publikut. Me të edhe është mbyllur edicioni i parë i “PriDox”. Themeluesi i programit, Fatos Berisha, e ka vlerësuar atë si test të suksesshëm për të vazhduar me edicionet e ardhshme.
“Realisht edicioni i parë i ‘PriDox’ ka qenë në një mënyrë testues dhe mendoj se ka qenë shumë i mirë për nga përzgjedhja e filmave, kanë qenë shumë të ndryshëm. Dokumentarët nuk e kanë fort audiencën e gjerë, të gjithë kanë qenë të metrazhit të gjatë dhe kur i merr parasysh krejt këto, mendoj se puna e selektorit Alush Gashi ka qenë shumë e mirë. Kemi pasur një laramani temash që më ka pëlqyer shumë”, ka thënë Berisha pas përfundimit të dokumentarit. Sipas tij, “PriDox” ka qenë “mundësi e mirë për komunitetin të shohë filma të rinj, të gjithë kanë qenë premiera në Kosovë”.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka vlerësuar si reflektim për të dokumentuar në formë të tillë edhe historinë e vendit.
“Një film interesant iranian, një dimension ndryshe prej filmave dokumentarë. Mendoj se e prezantonte shumë mundësinë për të shprehur atë që janë detyruar ta bëjnë, për të defiluar në ndjenjat e të torturuarve. Dokumentar interesant, ndoshta pak amatoresk, por prapë me impakte në mbrojtjen e të drejtave”, ka thënë Rama.
Pas rreth një ore, juria në përbërje prej regjisorëve Zana Hoxha e Kushtrim Koliqi dhe artistes Agnes Nokshiqi ka shpallur edhe fituesin e edicionit të parë të programit. Ka qenë filmi dokumentar “Paved Paradise” i regjisorit holandez Karsten de Vreugd. Me të edhe është hapur edicioni i parë i “PriDox”.
vjen me mesazhin për ruajtjen e tokës. Teksa Bashkimi Evropian promovon bujqësinë organike në vend të asaj intensive, miku i ngushtë i regjisorit De Vreugd, e njëherësh biologu Hidde Boersma, thotë krejt të kundërtën. Për të shpjeguar këtë ai jep shembuj të ndryshëm: me gotat e mbushura me topa të vegjël, ku e kuqja dhe e gjelbra tregojnë se si me kalimin e viteve toka ka humbur natyrën e saj të virgjër. Shpalos diagrame dhe interviston biologë, studiues të biodiversitetit e shkencëtarë nga Holanda, Britania e Madhe dhe Kostarika. Për këtë problem ai madje i drejtohet edhe Parlamentit Evropian, si dhe shkon të vizitojë disa fermerë të cilët përdorin forma të ndryshme të prodhimit.
Regjisori i filmit ka qenë i pranishëm derisa me publikun vendës ka ndarë eksperiencat e tij në filmbërje në kuadër të programit të “PriDox”. “Faleminderit të gjithëve, dua që edhe ky çmim t’i atribuohet Vjosës e edhe sloganit ‘Vjosa forever’. Kjo është për të. Faleminderit që e keni bërë këtë ngjarje, mendoj se duhet të ketë më shumë. Jam shumë kureshtar të shoh dokumentarët e filmbërësve këtu”, ka thënë Karsten de Vreugd pasi ka pranuar çmimin.
Në 91 minuta “Paved Paradise” e çon publikun nëpër disa nga peizazhet më të bukura natyrore, duke pasqyruar njëherësh edhe dallimin midis një natyre të paprekur dhe asaj ku njerëzit kanë vënë këmbët. Ai flet edhe për atë se si një tokë mund të rikthehet në gjendjen e mëparshme dhe për këtë jep edhe shembuj të ndryshëm në botë, megjithatë një gjë e tillë nuk është fare e lehtë.
Në ekranin e “Kino Armatës” që për pesë ditë u bë nikoqir i “PriDox” janë shfaqur edhe filmat “A life on the farm”, “Dear memories” dhe “Calls from Moscoë”, prodhime e bashkëprodhime që vijnë nga Gjermania, Kosova, SHBA-ja e Holanda.