Kulturë

Prezantohen projektet ideore për sallë koncertale në ish-objektin e “Gërmisë”

Me juri ndërkombëtare me profesorë nga Harvardi, Zagrebi e Stambolli, Komuna e Prishtinës është në përfundim e sipër të përzgjedhjes së projektit që do të shndërrojë ish-shtëpinë e mallrave “Gërmia” në sallë koncertale në kryeqytet.

Të premten pasdite, në një konferencë për media, janë shpalosur tri projektet ideore që janë në garë për përzgjedhjen përfundimtare. Pa i përmendur emrat e kompanive, Komuna ka shpalosur me video dhe makete projektet me kode, ndërkohë që për të katërtin të ardhur nga Zvicra është kërkuar interpretim nga Komisioni i Prokurimit Publik. Në bazë të paraqitjeve vizuale, të tri projektet synojnë shndërrimin e godinës 49-vjeçare në një sallë moderne koncertale.

“Mendoj se të tria janë zgjidhje fenomenale të para nga një vëzhgim laik”, ka thënë kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, gjatë prezantimit të premten.

Në konkursin ndërkombëtar të Komunës që ka qenë i hapur për 75 ditë, deri më 22 shkurt propozimet e tyre i kishin dorëzuar tri konsorciumet.

Shpërblimi i parë do të jetë 50 mijë euro për shtëpinë arkitektonike fituese, që do ta ketë të drejtën e dizajnimit të projektit të detajuar.

Në fillim të muajit, KOHA kishte raportuar për garën dhe detajet tjera të këtij projekti. Ishte bërë e ditur se propozimi fitues nuk nënkupton që domosdo do të zgjidhet për t’u ndërtuar nëse ai i tejkalon mundësitë financiare.

Sa u përket financave, Komuna e Prishtinës për këtë vit ka ndarë 900 mijë euro për sallë koncertale.

Si pasojë e mosmarrëveshjeve ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror, Komuna e Prishtinës më 2019 kishte humbur mundësinë që të përfitonte 11.4 milionë euro për këtë projekt në kuadër të fondeve të Komisionit Evropian, “IPA 2019”. Ato ishin ridestinuar për dekomisionimin e termocentralit “Kosova A”.

Në nëntor të vitit të kaluar Ahmeti kishte thënë që në rast se ndërtesa e adaptuar do të kushtojë 10 milionë euro, do ta kenë të nevojshme ndihmën e Këshillit të Evropës, por nëse ka kosto prej 5 milionë eurosh, Komuna do ta financojë vetë.