Kulturë

“Prenk Jakova” tek oborri i Komunës “i këndon” objektit që s’e ka

Ka 72 vjet histori, alamet emrash kanë dalë prej aty, por shkolla e muzikës “Prenk Jakova” s’ka objekt të vetin. Muzika i ka bashkuar nxënësit edhe të premten – para Komunës së Prishtinës, te sheshi “Adem Jashari”, që ka afër edhe Kuvendin – me një performancë muzikore si protestë për realizimin e kërkesave të tyre. Ka vite që kjo shkollë bartet nga njëri objekt në tjetrin, e ai që është i domosdoshëm për ta, nuk është askund. Shkolla me nam, aktualisht është qiraxhi

Me fotografi të objekteve të shkollave të muzikës në Pejë, Prizren, Mitrovicë e Gjakovë, nxënësit e shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë pasditen e së premtes kanë pyetur se kur mund ta kenë një të tillë. Në këtë mënyrë e kanë përsëritur kërkesën e kamotshme për objekt të shkollës së muzikës dhe, sipas tyre, kjo protestë paqësore është vetëm nismë e organizimeve të tilla për të kërkuar të drejtën e tyre për objekt shkolle.

Këtë kanë zgjedhur ta bëjnë në simbolikën e Ditës Ndërkombëtare të Korit me një performancë para Komunës së Prishtinës. Këngën “O shpirt sa të du”, Kori i shkollës e ka kënduar me pankartat, ku janë shkruar mesazhe si “Duam objekt shkollor”, “Muzika është e rëndësishme sa politika”, “Arti duhet të vlerësohet”, “Ndërtoni shkollën, ndërtoni ardhmërinë tonë”, “Na mundësoni hapësirën për zhvillim, ne iu tregojmë çka mujmë më mrri me art” e “72 vjet ekzistencë”.

Elona Alshiqi, e cila është nxënëse e klasës së 12-të në solokëndim, ka thënë se e ka të vështirë koncentrimin gjatë orëve mësimore.

“Në objektin në të cilin jemi është e vështirë të mbahet mësimi, sepse ajo çfarë mësohet në klasën tjetër, dëgjohet në klasën tonë. Kjo protestë paqësore shpresoj që do të na ndihmojë që të ndërtohet objekti, sepse është shumë e vështirë aktualisht”, ka thënë Alshiqi.

Tash e pesë vjet, shkolla e muzikës është zhvendosur nga ish-objekti i shkollës së ekonomisë “Hoxhë Kadri Prishtina”, në objektin e shkollës së mesme të mjekësisë “Ali Sokoli”. Sipas tyre, edhe ky objekt është i papërshtatshëm për nevojat mësimore. Nxënësit kanë thënë se bartja nga një objekt në tjetrin dhe mungesa e hapësirës në objektin e tanishëm po e pengojnë zhvillimin e tyre profesional, por po shihen edhe si pengesë në mësimin e nxënësve të shkollës së mjekësisë.

{gallery}

“O shpirt sa të du”, ka qenë kënga që ka kënduar Kori i shkollës me traditë 72-vjaçare, pa objekt e kushte bazike për një institucion të tillë


Nxënësja Rinesa Veseli, e cila deri më tani e ka vijuar mësimin në tri objekte shkollore, ka thënë se mësimi i saj është përcjellë vazhdimisht me vështirësi.

“Tash jemi në një moment kur janë shfaqur disa problematika të reja për shkak të hapësirës dhe nevojitet urgjentisht që ta kemi një objekt tonin. Neve na nevojitet hapësirë që ta zhvillojmë mësimin individual, në mënyrë që ta bëjmë sa më të përpiktë mësimin dhe të jetë më efektiv”, ka thënë Veseli për KOHËN gjatë kohës kur ka protestuar.

Fiks 317 fëmijë kanë konkurruar vetëm këtë vit për të ndjekur mësimet në shkollën e ulët të muzikës, “Prenk Jakova”.

Jeta Dita-Bujari, drejtoreshë e shkollës, ka thënë se nxjerrja e kuadrove që janë dëshmuar në skenën e muzikës klasike dhe tradita 72-vjeçare e shkollës “Prenk Jakova”, si një ndër shkollat e para profesionale në Kosovë e bëjnë të domosdoshëm ndërtimin e një objekti. Ajo po ashtu tha se si udhëheqësi e shkollës e kanë mbështetur pa ngurrim protestën e nxënësve për një nevojë elementare të tyre.

“Gjithmonë qiraxhinj nëpër objekte të huaja, më të vërtetë jemi lodhur. Janë ato sukseset tona që na bëjnë të jemi këtu dhe të jemi faqebardhë që t’i tregojmë publikut që nga kjo shkollë e muzikës është themeluar edhe Filharmonia e Kosovës si institucioni më i lart muzikor në vend. Unë i bashkohem thirrjes së nxënësve, sepse këta janë e ardhmja jonë, nëse këta kërkojnë diçka, emocionohem shumë”, ka thënë Dida-Bujari për KOHËN.

Përkundër që gjatë viteve kanë marrë premtime për ndërtimin e objektit, Dida-Bujari ka thënë se asnjëherë ato nuk kanë qenë konkrete.

“Tani ka ardhur koha për premtime konkrete, sepse jemi në një moment kur edhe nxënësit janë shumë të vetëdijesuar për këtë nevojë dhe mendoj që kjo është mrekulli”, ka shtuar tutje Dida-Bujari.

Nxënësit kanë thënë se do të vazhdojnë protestën e tyre përsëri brenda këtij muaji, derisa të marrin premtime konkrete për ndërtimin e objektit. Shkolla “Prenk Jakova” vite më parë e ka lënë objektin e vjetër të shkollës afër shkollës “Elena Gjika”, me premtimin se do t’u ndërtohet objekti i ri në të njëjtin vend. Punimet për shkollë ishin ndërprerë me arsyetimin e Komunës se nuk ka filluar të ndërtohet sipas planit të parashikuar. Siç e ka nënvizuar Dida-Bujari, jo pak nxënës të “Prenk Jakovës” janë pjesëtarë të Filharmonisë së Kosovës, e që ky institucion nuk ka objekt të vetin. Ai për Operën, të themeluar në letra sivjet e të inauguruar me koncert, nuk duket as në horizont.