Veprat e akademik Zeqirja Ballatës kanë qenë kryefjalë e koncertit të shkollës së muzikës “Prenk Jakova”, me të cilin është festuar 80-vjetori i lindjes së tij. Pos nderimit nëpërmjet veprave, ka qenë i tillë edhe duke dëshmuar përkushtimin e nxënësve. E “Prenk Jakova” e ka rikonfirmuar misionin që e ka tash e 74 vjet: nxjerrjen e gjeneratave të reja të muzikantëve
Kanë qenë mbi të gjitha veprat e Zeqirja Ballatës që i kanë bashkuar në një koncert nxënësit e shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë. E me të është festuar 80-vjetori i lindjes së kompozitorit të shquar. Në krye të programit kanë qenë veprat e Ballatës, njërit prej muzikantëve më të shquar të vendit, për të vazhduar edhe me ato të kompozitorëve të njohur botërorë.
Lir Hajrizi e ka hapur koncertin në Bibliotekën Universitare të Kosovës teksa në violinë solli “Marcia” të Ballatës. Mbrëmja më pas ka vazhduar me nxënësit e shkollës fillore Knesa Bajrami, Ema Sefa, Lea Ballata, Princ Fanaj e Yll Haliti, të cilën nëpërmjet performancave individuale sollën edhe veprat e tjera të kompozitorit si “Këngë”, “Caprice”, “Plaku i Maleve” e të tjera.
Në kapitullin e dytë koncerti i së martës mbrëma mori natyrë tjetër teksa në skenë u ngjitën një numër më i madh nxënësish, përfshirë edhe orkestrën e harkorëve dhe atë të frymorëve. Në formacione të ndryshme e në kombinim me tingujt e pianos nxënësit, tani në përzierje edhe me ata të shkollave të mesme, sollën disa nga veprat e kompozitorit të shquar italian Antonio Vivaldi dhe atij francez, Camille Saint Saëns. Koncerti, pos nderimit nëpërmjet veprave të tij, ka qenë i tillë edhe duke dëshmuar përkushtimin e nxënësve. E “Prenk Jakova” e ka rikonfirmuar misionin që e ka tash e 74 vjet: nxjerrjen e gjeneratave të reja të muzikantëve.
Për t’i dhënë hijeshi, në fund të koncertit, bashkë më orkestrën performoi edhe Kori i shkollës, nën dirigjimin e Lirjona Sylejmanit. Ishte një numër tejet i madh i nxënësve aq sa për pak arrinte t’i nxinte salla e vogël e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare. Interpretimi i tyre qe në harmoni me njëri-tjetrin e bukuria vokale ka shpërfaqur potencialin e zërave të rinj tok me instrumentistët.
Jeta Dida-Bujari, drejtoreshë e “Prenk Jakovës”, ka thënë se është krenare me interpretimin e nxënësve. Ka kujtuar punën dhe përkushtimin e pafundmë të mësimdhënësve, të cilët ndihmuan në organizimin e këtij koncerti.
“Jo krenare, por çdo moment të këtij koncerti e kam përjetuar me një emocion të veçantë duke e ditur punën paraprake që është bërë për ta realizuar këtë koncert. Me të vërtetë është mahnitëse çfarë është bërë në këta muajt e fundit në shkollën e muzikës, dhe ju e keni parë që ky koncert me të vërtetë ka shkëlqyer sonte. Nxënësit e shkollës sonë me profesorët e tyre dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm për të sjellë në skenë një repertor të tillë, i cili ishte mjaft kërkues dhe mjaft i vështirë për këta fëmijë, por ia arritëm. Jam shumë e lumtur që shkolla si shkollë ka iniciativa të vazhdueshme që të realizojë projekte të tilla”, ka thënë ajo.
Me pak fjalë gëzimin dhe falënderimin për këtë koncert e ka shprehur edhe kompozitori Zeqirja Ballata, të cilit i është dedikuar koncerti.
“S’ka se si bëhet më mirë, por aq më tepër se ishin të pranishëm të gjithë brezat, pastaj këngët dhe këngëtarët ishin të shkëlqyeshëm”, ka thënë ai me jo pak emocione.
Mësimdhënësja e violinës Shqipe Bajraktari ka thënë se përveç ditëlindjes së Ballatës, koncerti ka si qëllim edhe afirmimin e talenteve të reja të kësaj shkolle. Ka përmendur edhe punën e palodhshme të kolegëve të saj.
“Ideja ka ardhur nga fakti që në shkollën tonë kanë ardhur fytyra të reja si Bardh Dubova, Lirjona Sylejmani, pastaj edhe ne si pedagogë duke pasur nxënës, fryte, siç edhe u dëshmuan. Duke qenë se triumfojmë nëpër gara në botë me çmime të para dhe absolute, kemi ardhur së bashku si staf në një ide që të marrim dhe të bëjmë diçka me tepër sesa që kemi bërë deri më tash”, ka thënë Bajraktari.
Zeqirja Ballata është njëri prej kompozitorëve më të shquar shqiptarë. I lindur më 1943, ka përfunduar studimet e magjistraturës për kompozitor në Akademinë e Muzikës në Lubjanë, ndërsa ka studiuar edhe muzikologjinë në Fakultetin Filozofik në Universitetit e Lubjanës. Është specializuar në Venecie te Virgilio Mortari, në Accademia Musicale Chigiana në Sienë dhe te Gofredo Petrassi në Romë.
Akademik Ballata është kompozitor me opus bashkëkohor prej më se 160 veprash pianistike, korale, solistike-instrumentale, kamertale, vokalo-instrumentale e simfonike të botuara në Slloveni, Kosovë, Holandë e të interpretuara në festivale e koncerte vendore e ndërkombëtare. Ka punuar si pedagog në shkollën muzikore “F. Shturm” në Lubjanë dhe në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë. Ballata ishte edhe koautor i Elaboratit për themelimin e Degës së Muzikës të Fakultetit të Arteve. Në vitet 1991-2007 ishte këshilltar në Liceun Artistik – Konservatorin Muzikor në Maribor. Më pas punoi përsëri si profesor për lëndët Kompozicion e Orkestracion në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Gjatë viteve 1977-79 ka qenë prodekan e më pas, në vitet 1979-81, dekan i Fakultetit. Ballata është edhe bashkëthemelues i Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës. Që nga viti 2000 është anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Ka marrë disa çmime, përfshirë çmimin për vepër jetësore “Dr. Roman Klasinc” nga Konservatori Muzikor në Maribor të Sllovenisë, Mirënjohje nga Ministria e Kulturës e Kosovës e të tjerë.