Kulturë

“Prenk Jakova” me koncert e gjashtë instrumente të reja shënon Ditën Ndërkombëtare të Muzikës

Një Waltz në C-sharp minor i kompozitorit emërmadh polak, Frédéric Chopin, i ka të gjithë përbërësit për të sjellë paqe edhe në një ditë të nxehtë e të zhurmshme qershori.

Kompozuar në vitin e largët 1847, kjo pjesëz subtile për piano rrëshqet butësisht nëpërmjet harmonive të ndryshme që përdorin ritme nga muzika e valleve polake.

E interpretuar nga nxënësja Marigona Hamiti, kjo ishte vetëm një nga nëntë veprat e interpretuara në programin e koncertit të organizuar nga shkolla e muzikës “Prenk Jakova” në kryeqytet.

Derisa në këtë mënyrë është shënuar Dita Ndërkombëtare e Muzikës, nxënësit e kësaj shkolle kanë pasur edhe një tjetër sebep për koncertin: Ambasada franceze në Prishtinë ka dhuruar 6 kitara klasike për nxënësit e kësaj shkolle.

Në praninë edhe të ambasadores franceze, Marie-Christine Butel, të hënën në mesditë, për më shumë se një orë nxënës të kësaj shkolle kanë interpretuar shkëputje të ndryshme veprash muzikore.

Duke e vlerësuar si befasi të bukur dhuratën e kitarave klasike, drejtoresha e kësaj shkolle, Jeda Dida-Bujari, ka falënderuar ambasadoren Butel.
“E falënderojmë përzemërsisht ambasadoren franceze për përkrahjen dhe fillimin e një bashkëpunimi të rëndësishëm me shkollën tonë”, ka thënë ajo.

Me korepetitore Njomza Kastratin, sipari i programit të “Prenk Jakovës” është hapur me një interpretim të nxënësit Antonio Juçaj të veprës së Beethovenit, “Sonata Op. 13 ‘Pathétique’ I”.

Buron Ademi dhe Altin Tërdevci kanë interpretuar veprën e Schubertit “Ave Maria”, kurse Marigona Hamiti ka sjellë “Vals Op. 64. Nr. 2” të Chopinit.

Me një interpretim të përbashkët, Gresa Uka (violinë), Nita Rugova (violë) dhe Anjeza Namligjiu (piano) kanë sjellë veprën e Shostakovichit “Prelude”.

Nëpërmjet pianos edhe nxënësja Viola Rrecaj ka sjellë veprën “Rêverie” të Debussyt.

Derisa minutat rridhnin njëra pas tjetrës, programi është pasuar me interpretimin e veprës së Astor Piazzollas “Libertango” nga nxënësit Erika Sinani (flaut) dhe Diar Aliu (kitarë). Tutje, Vesa Berisha ka sjellë veprën e Chopinit “Étude Op. 25 nr. 7” në piano, kurse Jon Rrecaj veprën e Gabriel Pierné “Canzonetta”. Programi është mbyllur me interpretimin e veprës së Schumannit dhe Lisztit “Wildmung”.