Bashkëpunimin që ka për qëllim parësor mundësitë reale në fushën e muzikës, shkolla e mesme e lartë profesionale “Prenk Jakova” dhe Filharmonia e Kosovës e kanë hedhur në letër me nënshkrimin e memorandumit të martën. Drejtoresha e “Prenk Jakovës”, Jeta Dida-Bujari, dhe ushtruesi i detyrës i drejtorit të Filharmonisë, Dardan Selimaj, kanë vënë firmat e tyre në këtë dokument. Sipas një njoftimi të afishuar në profil të rrjeteve sociale të institucionit më të lartë të muzikës në vend, shkruhet se memorandumi, siç shkruhet në pikën e parë, synon “rregullimin e bashkëpunimit për ofrimin e mundësive të praktikës profesionale për nxënësit e shkollës në Filharmoninë e Kosovës”. Tri pika ka ky dokument. Në pikën e dytë shkruhet se synim është krijimi “i një platforme bashkëpunimi për zhvillimin e praktikave profesionale për nxënësit e shkollës, përmes angazhimit dhe përvojës në aktivitete dhe projekte”.
“Ngritje dhe përmirësim të cilësisë profesionale të nxënësve, duke ofruar mundësi praktike dhe përvojë të vlefshme në fushën e muzikës”, shkruhet në pikën e tretë. Në njoftim shkruhet se në përfundim të praktikës nxënësit do të pajisen me certifikatë vlerësimi për përvojën e fituar brenda institucionit të Filharmonisë së Kosovës.