Do të shtirej si arkeolog që të mund të hynte në Shqipëri, e cila ende s’e kishte çarë perden e izolimit. Fotografitë e britanikut Barry Lewis janë kryevepra të cilat përjetësojnë kohën e një vendi i cili ende s’kishte nisur të merrte ngjyrat e lirisë pas diktaturës komuniste. Nëpërmjet imazheve të tij shpaloset edhe një rrëfim e takim me Ismail Kadarenë. “Fotografitë i bëra bardhezi, sepse në të vërtetë Shqipëria në atë kohë nuk kishte shumë ngjyra, edhe në realitet ishte bardhezi”, ka thënë fotografi i shquar, thesari i të cilit shpaloset në edicionin e dytë të festivalit ndërkombëtar të fotografisë “Fotoist” me ekspozitën “Prapa perdes”
Në fillim të viteve ‘90, fotografi i shquar Barry Lewis do ta vizitonte Shqipërinë, ndonëse në rrethana jo të lehta e kur të huajt binin fort në sy. Duke pretenduar të ketë qenë një arkeolog, e eksploroi gjithë vendin. Veçmas Tiranën e Shkodrën. Por pos imazheve që kapte me fotoaparatin e tij, u desh ta ushtronte edhe profesionin prej “arkeologu”. Secila prej fotografive është rrëfim unik dhe ato janë shfaqur për herë të parë për publikun në Prishtinë, në festivalin “Fotoist”.
“Behind the veil” (Prapa perdes) e Lewisit shfaq Shqipërinë në izolim e më pas në transicion. Fillimisht ai e kishte vizituar vendin në vitin 1990 bashkë me 12 veta me atë që u prezantua si një ekspeditë arkeologjike. Aty ishte njohur me traditën e kulturën e vendit, me ligjet me të cilat rregullohej rendi shoqëror, me rituale dhe jo vetëm. Kjo mund të tregohet në fotografitë që ka shkrepur.
Aty janë dasma e festa të tjera, ndeja, ritualet fetare e ceremonitë e varrimit. Barry do të ndeshej me kortezhin e funeralit të një të riu dhe do të lejohej ta fotografonte këtë ritual të dhimbshëm që shfaqet në një prej 32 fotografive të ekspozuara në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës në ekspozitën e cila u hap solemnisht të shtunën mbrëma.

Disa prej njerëzve në turmë duken të zhytur në vuajtje e dhimbje. I gjatë është rendi i tyre dhe për fotografin Lewis kishte qenë e habitshme me traditën e shqiptarëve sesi i gjithë fshati e më gjerë bëhen bashkë për të ndarë dhimbjen me familjen.
Të tregosh me imazhe mund të jetë e vështirë. Por “Prapa perdes” është aq reprezentuese për periudhën e socializmit, ndonëse autori i ekspozitës e gjen vendin në fund të kësaj epoke për Shqipërinë. Ai kishte prekur fusha të ndryshme të asaj kohe dhe nuk mund të anashkalohej letërsia. Portreti i shkrimtarit Ismail Kadare – narrativi i shumë prej veprave të të cilit ka për bazë komunizmin – është një prej fotografive.
Fotografin Lewis e kishte tërhequr romani “Prilli i thyer” drejt takimit me shkrimtarin shqiptar të shquar në botën e letërsisë së sotme.
“Një nga gjërat që më solli në Shqipëri ishte romani i tij ‘Prilli i thyer’, një prej më të mirëve që ka shkruar”, ka thënë fotografi Lewis, derisa ka shpjeguar takimin me shkrimtarin e madh i cili vdiq në fillim të korrikut.
“Bashkë me ne ishte edhe një anëtar i Partisë dhe Kadare fliste sesa e mrekullueshme ishte Shqipëria dhe sesi nuk do ta linte kurrë, por ne vetëm po pretendonim ashtu, e dija këtë. Ishim në Tiranë dhe fotografia ishte shkrepur një muaj pasi ai u kthye nga Parisi”, ka thënë fotografi Lewis.
Ka treguar sesi kishte arritur të zbulonte vendin e mbyllur e të izoluar nga bota.
“Kam punuar në shumë vende të Evropës Lindore në vitet ’80 si në Serbi, Rumani, si dhe për shumë revista. Por gjithmonë doja të shihja se si ishte socializmi. Kisha dëgjuar për Shqipërinë se ishte një vend sekret, i mbyllur, se nuk ka turizëm, dhe ne e bëmë një hile. Unë pretendova se isha arkeolog bashkë me tre shkrimtarë dhe të tjerë njerëz. Të gjithë shkuam në Shqipëri dhe kësisoj si ‘arkeologë’ udhëtuam nëpër gjithë vendin. Shkuam në Shkodër, e zbuluam të tërën”, ka kujtuar fotografi i vlerësuar në fushën e fotografisë.
Të gjitha fotografitë janë në bardhezi. Ato tregojnë edhe jetën e varfër e mënyrën e jetesës, rojtarë në Liqenin e Shkodrës e në hapësira të tjera të shoqërisë e punimin e tokës pas një kohe të gjatë.

Fotografi fitues i çmimit “Vogue” në vitin 1976, revistë për të cilën kishte punuar për një vit, ka thënë se jo rastësisht imazhet vijnë bardhezi.
“Fotografitë i bëra bardhezi, sepse në të vërtetë Shqipëria në atë kohë nuk kishte shumë ngjyra, edhe në realitet ishte bardhezi, kishte shumë pak ngjyra. Një vit më pas po shikoja televizor dhe pashë demonstratat sesi po bëheshin ndryshime në Shqipëri, dhe e thirra një prej revistave për të cilat punoja. U thashë se do të dukej interesante të nxirrnim imazhet nga atje dhe e kisha me vete një gazetar. Në fakt, ne shkuam me qëllimin ta vizitonim veriun, sepse nuk ishte shumë i eksploruar në media”, ka thënë ai.
Ekspozita “Prapa perdes” përfshin pesë javë punë. Në vitin 1990 autori i tyre kishte qëndruar për dy javë, e një vit më pas për tri javë, kryesisht në Shkodër. Atje, siç ka treguar, ishin njoftuar me ligjin e Kanunit dhe me fenomenin e gjakmarrjes. Do të takonte edhe familje në hasmëri. Do të kalonte kohë të shkrihej bora në marsin e 1991-s për të takuar banorë të zonave malore. Ishte frymëzuar nga libri “Shqipëria e Epërme” e Edith Durham dhe ky qe shkasi që ai t’ia mësynte t’i takonte ata që në libër quhen “alpinistë” shqiptarë. Por i kishte gjetur shqiptarët me po të njëjtat cilësi për të cilat shquheshin edhe në veprat e shkrimtares britanike të fillimshekullit XX.
“Në fillim kur shkova isha i vëzhguar, por nuk u trajtova keq. Pasi kisha punuar për dhjetë vjet në Bashkimin Sovjetik e në Rumani e dija se si mund të ishte. Por kur shkova për herë të dytë ishte krejtësisht ndryshe dhe jam kënaqur më shumë. Për herë të parë çdoherë shqetësohesha nëse do të arrestohesha”, ka thënë fotografi që për 50 vjet kontribut në këtë fushë ka ekspozuar në mbarë botën dhe ka marrë shumë çmime, përfshirë edhe medaljen “Leica” për fotografi humanitare.
Në vitin 1977 ai ishte angazhuar për të fotografuar udhëtimin në Londër, i cili u ekspozua në Muzeun e Londrës. Në vitin 1981 dhe 1983 ai ekspozoi në Galerinë e Fotografëve me “New York on Britain” dhe ekspozitën personale “Një javë në Moskë”. Në vitin 1999 ai qe bashkëthemelues i agjencisë së fotografisë “Network”, e cila luajti një rol të rëndësishëm në foto-raportimin britanik për më shumë se 20 vjet. Është kontribuues i rregullt i “Life Magazine”, “National Geographic” dhe “Sunday Times”. Ka botuar mbi 20 libra, ndërsa nga viti 2015, për pesë vjet ka punuar kryesisht në filma dokumentarë, dhe në vitin 2021 i është rikthyer fotografisë.
Të shtunën, në hapje të ekspozitës, për KOHËN ka thënë se është hera e parë që fotografitë janë publikuar dhe se donte që ato së pari të shpaloseshin në Shqipëri. Ka treguar se kjo do të ndodhë.
Ekspozita “Prapa perdes” është kuruar nga drejtori i festivalit ndërkombëtar të fotografisë “Fotoist”, fotografi Burim Myftiu. Njëra prej fotografive të publikuara në rrjete sociale e kishte tërhequr drejt gjetjes së autorit. Ajo ka qenë edhe pjesë e ekspozitës. Imazhi shfaq një çift të sapomartuar në tavolinën me ushqim modest derisa një numër njerëzish shikojnë nga dritaret.
“Ishte një fotografi që e pashë, e kërkova autorin, e gjeta, ishte Barry Lewis. Më la përshtypje. Ishte fotografia e një dasme me faqe gazetash të shtruara në tavolinë, ushqim shumë modest dhe disa njerëz nga xhamat shikonin se çka hanin ata brenda. E kuptova se ishte fjala për një nga shtetet komuniste. Mund të ishte Bullgaria, Polonia, Rumania, por nuk më shkonte mendja se ishte në Shqipëri. Kur mora vesh, e ftova të ekspozojë fotografitë në ‘Fotoist’”, ka thënë Myftiu.
Ka treguar se ka përzgjedhur 32 fotografi nga gjithsej 141 të tilla.
“Ai m’i dërgoi fotografitë, unë i përzgjodha 32 fotografi prej 141 dhe kështu lindi kjo ekspozitë. Biseduam për muaj të tërë se cila të jetë, cila të mos jetë, dhe pse të mos jetë. Autori për fat të mirë erdhi për ta bërë hapjen. Fotografitë janë shumë reprezentuese të asaj kohe dhe është koha e izolimit dhe transicionit. Fotografitë publikohen për herë të parë, më pas do të bëjmë një ekspozitë edhe më të madhe në Shqipëri”, ka thënë Myftiu.
Lewis ka dy libra të botuar me fotografi nga Shqipëria, përfshirë ato në ekspozitën “Prapa perdes”. Njëri me titull “Shqipëria në izolim 1990” dhe tjetri “Shqipëria në transicion 1991”.