Kulturë

Pranvera e protestave të vitit 1981 dhe fillimi i fundit të Jugosllavisë 

Si në një histori tipike rebelimi, një rrapëllimë tabakësh në Mensën e Studentëve do të bëhej kryengjarje e viteve ‘80. Peng i hesapeve të bëra gabimisht pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova dhe viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi po gjëllinin brenda realiteteve ku mundësitë për zhvillim po ngushtoheshin gjithnjë e më shumë. Pranvera Shqiptare e vitit 1981 u bë fillimi i fundit për shtetin e sllavëve të jugut

Është një fushëtirë e rrafshët qindra këmbë e gjatë në një nga sukat e buta mbi lagjen e Sofalisë. Blegërimat dhe zilkat e dhive që bubërrojnë mes dushkut të njomë dimëror e bëjnë atë të ndihet si një raritet malësie i zbritur mbi kodrinat e parkut më të madh të Prishtinës. 

“Ktu e patën bá si fushë të helikopterave në tetëdhet e nítën kur u bâjshin protesta”, tregon plaku Selman, që mban në krah një kërrabë druri gjersa tufa e dhive ngarend një monopati që zdirgjet më poshtë. 

Edhe pse pushteti i natyrës ka bërë që “pista” e dikurshme e skuadroneve të helikopterëve të duket fantome, kjo është një nga mbetëzat e vetme të një ngjarjeje që kthehet dyzet vjet prapa në kohë. 

Kolona të tëra tankesh e autoblindash, pas të cilëve pasonin dhjetëra-mijëra ushtarë e milicë jugosllavë, nuk po marshonte kundër armiqve me mujshi të njëjtë në numër e armatime. 

Urdhri ishte t’i shtypej koka “separatizmit” dhe “irredentizmit” shqiptar. Ajo që kishte filluar si hakërrim studentor në Mensën e Studentëve tani po valëzohej nga qyteti në qytet. Kur u duk sikur skuadronet e policisë i shuan protestat nëpër rrugicat e ngushta të Prishtinës, eshka e zjarrit protestues u shpërhap edhe në Podujevë, Vushtrri, Viti, Lipjan, Ferizaj e Mitrovicë. Edhe Tetova, Gostivari e Shkupi do të hynin në vertigon e këtyre ngjarjeve.

Image

Urdhri ishte t’i shtypej koka “separatizmit” dhe “irredentizmit” shqiptar. Ajo që kishte filluar si hakërrim studentor në Mensën e Studentëve tani po valëzohej nga qyteti në qytet (Foto: Ilaz Bylykbashi)

“Incidenti” që e vrau frikën

Pasditja e 11 marsit 1981 me shumë gjasë do të përmbyllej si një ditë tjetër në të dalë të dimrit. Zhurmëria e zakonshme në Mensën e Studentëve do të pushonte prej një rrapëllime të plumbtë. Studenti 24-vjeçar nga Gjilani, Abdullah Tahiri, do ta përplaste tabakun e metaltë të ushqimit. Pezmi me kushtet e rënda në mensë e në universitet veç bashkëndihej te dhjetëra studentë. Nën shikimet e nemitura të stafit të mensës, grupi i studentëve sa çil e mbyll sytë u shtua në numër. Për pak orë ata kishin dalë jashtë mensës dhe milicë e forca të rendit po ngarendnin me shkopinj e armë drejt tyre. 

Pasditja e 11 marsit 1981 me shumë gjasë do të përmbyllej si një ditë tjetër në të dalë të dimrit. Zhurmëria e zakonshme në Mensën e Studentëve do të pushonte prej një rrapëllime të plumbtë. Studenti 24-vjeçar nga Gjilani, Abdullah Tahiri, do ta përplaste tabakun e metaltë të ushqimit

Të nesërmen, “Rilindja” afishoi në ballinë të saj njoftimin zyrtar që e kishte përkthyer fjalëpërfjalshëm nga agjencia e lajmeve “Tanjug”. Shkrimi, që përpiqej të dukej si një njoftim i zakonshëm gazetaresk, e përshkruante ngjarjen e një dite më parë vetëm si “veprim i dëmshëm shoqëror”. Por, gazetarë e korrespodentë të huaj do të përkapnin diçka që po heshtej në shtypin jugosllav: “Radio Londra” dhe “Zëri i Amerikës” ishin të parat media që njoftuan për trazirat që dukej se kërkonin më shumë sesa bukë e kushte më të mira në universitet. 

“Ky është incidenti i parë i këtillë që shpërtheu në publik në këta dhjetë vjetët e fundit, d.m.th. këto janë demonstratat e para të studentëve në Universitetin shqiptar të Prishtinës, në kryeqendrën autonome të Kosovës…”, shkruante një njoftim i shtypit të huaj. 

Thirrjet “Duam bukë, duam kushte” dëgjoheshin më pak e më zëshëm ato: “Jemi shqiptarë e jo jugosllavë”, “Duam Republikë”, “Rroftë vëllazërimi i popullit shqiptar”, e të tjera.

“Ky është incidenti i parë i këtillë që shpërtheu në publik në këta dhjetë vjetët e fundit, d.m.th. këto janë demonstratat e para të studentëve në Universitetin shqiptar të Prishtinës, në kryeqendrën autonome të Kosovës…”, shkruante një njoftim i shtypit të huaj

Image“Rilindja” afishoi në ballinën e saj njoftimin zyrtar që e kishte përkthyer fjalëpërfjalshëm nga agjencia e lajmeve “Tanjug”. Shkrimi, që përpiqej të dukej si një njoftim i zakonshëm gazetaresk, e përshkruante ngjarjen e një dite më parë vetëm si “veprim i dëmshëm shoqëror”

Nën shtetrrethim

Sprapsja e studentëve në mbrëmjen e 11 marsit veç sa e yshti zemëratën e përgjithshme. “Paqja” e arritur me anë të forcës do të kohëzgjaste fare pak: javët e ardhshme kërkesa gjithnjë e më të mprehta politike do t’i jepnin tonin karakterit të përgjithshëm të protestave. 

Më 26 mars, studentët dolën me kërkesën për t’i dhënë fund pozitës kushtetuese të papërcaktuar qartë të Kosovës. Refuzimi për t’u marrë në konsideratë e përshkallëzoi gjendjen edhe më. Kështu, më 1 prill, studentë, punëtorë e nxënës shkollash u grumbulluan në qendër të Prishtinës, gjersa repartet me milicë jugosllavë u ndërsyen kundër tyre. 

Sipas të dhënave të kohës, mobilizimi i forcave ushtarake dhe policore jugosllave arriti në përpjesëtime të pabesueshme: rreth 45 mijë ushtarë e 20 mijë milicë u vendosën në Kosovë në emër të gjendjes së jashtëzakonshme. Një epilog i frikshëm dhune: numri i të vrarëve varionte nga 9 shqiptarë dhe një polic, sipas pretendimeve zyrtare, deri në 1000 shqiptarë sipas pëshpëritjeve lokale (“Die Albaner im Kosovo” në Gesellschaft für Bedrohte Völker, Göttingen, 1988).

Më 26 mars, studentët dolën me kërkesën për t’i dhënë fund pozitës kushtetuese të papërcaktuar qartë të Kosovës. Refuzimi për t’u marrë në konsideratë e përshkallëzoi gjendjen edhe më

“Jam dakord që Kosova i takon Shqipërisë, por…”

311 ditë ishin bërë prej kur kishte vdekur udhëheqësi jugosllav Josif Broz Tito. Në përcjelljen funebër drejt varrezave në kodrinën në Dedinje qenë të pranishëm përfaqësues nga 128 shtete të botës, prej të dy anëve të Perdes së Hekurt. Ata po i jepnin lamtumirën e fundit njeriut që mitizohej gjithandej si emblema e kompromisit ideologjik mes Lindjes dhe Perëndimit.

Peng i hesapeve të bëra gabimisht pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova dhe vise të tëra shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi po i aviteshin dekadës së katërt si pjesë e Jugosllavisë socialiste. Rezoluta e Bujanit, ku në parim u vendos që Kosova të bashkohej me Shqipërinë, tashmë ishte invertarizuar si episod i një historie gati të harruar. Vetë Tito nuk e përmendte më premtimin e bërë kur një dërgatë shqiptare vizitoi Beogradin në gjysmën e vitit 1945. Asokohe, mareshali jugosllav kishte thënë se “shqiptarët në Jugosllavinë e re do t’i gëzojnë të gjitha të drejtat që një popull e bëjnë popull”. 

Për vite me radhë, Enver Hoxha do të evokonte copëza bisedash me homologun e tij jugosllav, kur këtij të fundit ia kishte shprehur mendimin që Kosova dhe viset e tjera në Jugosllavi të banuara nga shqiptarët duhej t’i riktheheshin Shqipërisë. 

“Jam dakord me pikëpamjen tuaj, por tash për tash nuk mund ta bëjmë dot këtë gjë, sepse serbët nuk do të na kuptojnë”, i kishte thënë Tito. 

Peng i hesapeve të bëra gabimisht pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova dhe vise të tëra shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi po i aviteshin dekadës së katërt si pjesë e Jugosllavisë socialiste

Autonomia e vitit 1974

Statusi i një krahine autonome nuk e solli stabilitetin e ëndërruar politik dhe ekonomik. Njëzet vjet pasi përfundoi Lufta e Dytë Botërore, pushteti jugosllav etabloi një politikë represive që i mëshonte projektit për turqizimin e shqiptarëve dhe largimin e tyre në Turqi. Krejt kjo përligjej në emër të marrëveshjes së nënshkruar më 1953 në Split, mes Titos dhe ministrit të Jashtëm turk, Mehmet Fuat Köprülü. Sipas vlerësimeve të ndryshme, numri i shqiptarëve që u larguan përfundimisht drejt Anadollit arriti shifrat deri në 200 mijë. 

Pas anashnxjerrjes nga loja të ministrit të Brendshëm jugosllav, Aleksandër Rankoviq, ekuilibrat në Jugosllavi do të përvijëzoheshin me disa lëshime të vogla në të mirë të shqiptarëve. Kjo filloi me disa ndryshime kushtetuese që më 1968 emërtimit zyrtar të Kosovës ia hoqën ndajshtimin “Metohija”. 

Statusi i një krahine autonome nuk solli stabilitetin e ëndërruar politik dhe ekonomik. Njëzet vjet pasi përfundoi Lufta e Dytë Botërore, pushteti jugosllav etabloi një politikë represive që i mëshonte projektit për turqizimin e shqiptarëve dhe largimin e tyre në Turqi

Pas përpjekjeve përgatitore që kishin zgjatur rreth gjysmë viti, Kuvendi Federativ i Jugosllavisë miratoi Kushtetutën e re. Sado që ky akt suprem nuk kishte kapituj të veçantë për krahinat autonome, Kosovën dhe Vojvodinën, ato e gjenin organikisht veten në mjaft prej neneve të saj, veçmas në parimin e pjesëmarrjes së barabartë e të drejtpërdrejtë në organet e Federatës Jugosllave. 

Në Kushtetutën jugosllave, republikat dhe krahinat kishin të drejtë të bashkëpunonin drejtpërdrejt me institucionet dhe organizatat e shteteve të tjera dhe me organizma të ndryshëm ndërkombëtarë.

Kuvendi i Kosovës shqyrtonte dhe jepte pëlqimin për çështjet konkrete nga fusha e politikës së jashtme, si dhe miratonte marrëveshjet që e lidhnin krahinën drejtpërdrejt me shtetet e huaja dhe organizatat ndërkombëtare. Sipas mendimit të përgjithshëm, veprimtaria e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSA) në fushën e politikës së jashtme ndikoi në afirmimin e saj në marrëdhëniet me vendet e huaja dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit, kulturës, shkencës dhe teknikës. 

Serbët – të mbipërfaqësuar kudo

Por, pavarësisht këtyre arritjeve, KSA e Kosovës në politikën e jashtme ishte në një masë të ndjeshme e varur nga RS e Serbisë. Kontrolli dhe diktati i saj në këtë fushë ishin të ndjeshëm.

Për çdo aktivitet kulturor ose shkencor me RPS të Shqipërisë do të lajmërohej qysh në fillim e të merrej pëlqimi i organeve përgjegjëse serbe.

Pyetjes së asokohshme nëse me kalimin e kohës Kosova do të fitonte status prej republike, njëri nga udhëheqësit e kohës, Mahmut Bakalli, i ishte përgjigjur në një mënyrë paksa të ndërdymtë. Ai, në vitin 1978, kishte thënë se krahina tani ishte një “element kushtetues” me të drejta të plota në Jugosllavi; rëndësi, sipas tij, kishte gjendja reale dhe jo formalitetitet dhe se “zhvillimet e mëtejshme le t’i liheshin të ardhmes”.

Në ndërmjetëzkohën prej ndryshimeve kushtetuese deri në suprimimin e autonomisë, përfaqësues politikë të shqiptarëve të Kosovës do të ngjiteshin në rangje siprane të hierarkisë federative të Jugosllavisë. Kështu, në vitet 1978-79 Fadil Hoxha u bë nënkryetar i shtetit, kurse Sinan Hasani shërbeu në vitet 1986/87 si kryetar i Kryesisë së Jugosllavisë.

Sado që policia, deri në atë kohë një institucion i mbizotëruar nga serbët, u bë gjithnjë e më shumë shqiptare në numër, sipas Oliver Schmittit, “numri i serbëve në administratën e ndërmarrjeve dhe përgjithësisht në rrafshin e kuadrove të nivelit të mesëm mbeti mbiproporcionalisht i lartë”. 

Kosova, më e varfra e Jugosllavisë

Sidoqoftë, këto avancime zbeheshin përballë realiteteve në terren. Kosova mbetej epiqendra e rajonit më të prapambetur të Jugosllavisë, ashtu sikundër edhe viset shqiptare të Maqedonisë dhe Malit të Zi. Ky disnivel do të thellohej edhe më shumë me fillimin e krizës që përshkoi ekonominë jugosllave. 

Sipas treguesve ekonomikë të kohës, KSA e Kosovës figuronte si bashkësia politike e shoqërore me zhvillimin më të paktë në gjithë shtetin që fillonte nga Trigllavi e mbaronte në Gjevgjeli. 

Në vitin 1979, përpjesëtimi i personave të punësuar në Kosovë ishte 107 për çdo 1000 banorë, përderisa mesatarja jugosllave ishte 253. Po kështu, për të njëjtin vit, kapaciteti prodhues për banorë në Kosovë ishte 7,2 herë nën nivelin federativ dhe 16 herë nën atë të Sllovenisë. Në vitin 1980, të ardhurat kombëtare për banorë në krahinë përbënin 28,1 për qind të mesatares jugosllave.

Në vitin 1979, përpjesëtimi i personave të punësuar në Kosovë ishte 107 për çdo 1000 banorë, përderisa mesatarja jugosllave ishte 253

Të diplomuar, të papunë

Një dekadë e ekzistencës së Universitetit të Prishtinës kishte prodhuar një “proletariat të diplomuarish” të cilin nuk mund ta absorbonte as për së afërmi tregu minimal i punës në Kosovë. Sipas vetë statistikave zyrtare jugosllave, në vitin 1981, në çdo 10 mijë banorë në Jugosllavi kishte mesatarisht 200 studentë, por në Kosovë ky numër arrinte në 299. 

Njohës të rrethanave të asokohshme pohojnë njëzëri se numri i lartë i studentëve në universitet ishte bërë si një “valvulë” për amortizimin e pakënaqësisë në rritje të të rinjve.
Për pak kohë, entuziazmi i modernizmit në vitet ‘70 krijoi në Prishtinë iluzionin e një kryeqyteti në të cilin po qendërzohej e gjithë jeta e shqiptarëve të Jugosllavisë. Sipas gazetarit zviceran Viktor Meyer, “në ndërtesat e saj të larta dhe ambicioze pasqyrohej e qartë dëshira e shtresës së re intelektuale të Kosovës për të krijuar, përkundrejt Tiranës, një qendër të paktën të barasvlershme të kombit shqiptar”. 

Sipas vetë statistikave zyrtare jugosllave, në vitin 1981, në çdo 10 mijë banorë në Jugosllavi kishte mesatarisht 200 studentë, por në Kosovë ky numër arrinte në 299

Pranvera e protestave

Me një impuls të përtërirë, protestat do të rifillonin në ditët e para të muajit prill. Pikërisht më datën 2 të këtij muaji, Sekretariati Krahinor i Punëve të Brendshme shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë, që do të zgjaste për disa muaj. Fillimisht, udhëheqja komuniste e Kosovës i vlerësoi protestat si revolta me karakter social dhe i dënoi ato vetëm si rrugë e papranueshme për zgjidhjen e problemeve sociale. Por, me kalimin e ditëve, forumet republikane e ato federative po e ashpërsonin gjuhën e tyre kundrejt protestave shqiptare, që u quajtën rregullisht si “armiqësore” dhe “kundërrevolucionare”. 

“Nga pikëpamja ligjore ky reagim nuk qëndron, pasi në bazë të parimeve themelore të së drejtës, kushtetuta e çdo shteti mund të rishikohet, përveç rastit kur aspekte të saj cilësohen tekstualisht si të patjetërsueshme. Nga pikëpamja politike reagimi nuk qëndron, sepse është e palogjikshme ta quash ilegal një postulat të konsideruar publikisht si objekt debati”, shkruan korrespodenti zviceran për Ballkanin, Viktor Meier, në librin e tij “Fundi i Jugosllavisë: goditja në Kosovë”. 

Me një impuls të përtërirë, protestat do të rifillonin në ditët e para të muajit prill. Pikërisht më datën 2 të këtij muaji, Sekretariati Krahinor i Punëve të Brendshme shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë, që do të zgjaste për disa muaj

Shpikja e armiqve 

Arrestimet e mijëra shqiptarëve vazhduan edhe në vitet në vazhdim: deri më 1986 numri i shqiptarëve të dënuar arrinte në rreth 4 mijë veta. Sipas Meierit, “krimet e tyre të pafalshme s’përbëheshin nga asgjë më tepër, sesa nga të shkruarit e parullave nëpër mure”. 

“Terrori i ushtruar kundër ‘nacionalistëve’ ishte i natyrës ofensive, që do të thotë se armiqtë e popullit jugosllav kërkoheshin në mënyrë aktive dhe aty ku nuk gjendeshin krijoheshin”. 

Arrestimet e mijëra shqiptarëve vazhduan edhe në vitet në vazhdim: deri më 1986, numri i shqiptarëve të dënuar arrinte në rreth 4 mijë veta

Në librin për Kosovën, të botuar më 2004 nga “Novosti”, akademiku dhe shkrimtari serb Dobrica Qosiq shkruante se demonstratat e shqiptarëve të vitit 1981 ishin të të gjithë popullit, ku në to merrnin pjesë fëmijë, nxënës, studentë dhe punëtorë, të cilët “i kundërvihen Jugosllavisë socialiste të Titos”.

Në librin për Kosovën, të botuar më 2004 nga “Novosti”, akademiku dhe shkrimtari serb Dobrica Qosiq shkruante se demonstratat e shqiptarëve të vitit 1981 ishin të të gjithë popullit, ku në to merrnin pjesë fëmijë, nxënës, studentë dhe punëtorë, të cilët “i kundërvihen Jugosllavisë socialiste të Titos”

“Në Kosovë, ose shtet jugosllav, ose shqiptar”

I njëjti, që njihet për qëndrimet e tij kundërthënëse për Kosovën dhe shqiptarët, në vitin 1986, kur po fliste para plenumit të LKJ-së mbi jotolerancën dhe urrejtjen që ekzistonte mes popujve, kishte thënë: “Në Kosovë mund të ketë ose shtet jugosllav, ose shqiptar. Të dyja variantet nuk qëndrojnë”. 

Pas arrestimeve masive, organet jugosllave detyruan të jepnin dorëheqje nga pozitat e tyre edhe funksionarë si Mahmut Bakalli, Xhavit Nimani etj., që u kritikuan për qëndrime të buta ndaj ngjarjeve.

I mbiemërzuar si “kështjellë e nacionalizmit shqiptar”, purgatori i diferencimeve do ta mësynte edhe Universitetin e Prishtinës. 

Arsimi në gjuhën shqipe, tekstet shqipe, planprogramet mësimore dhe ato kulturore e flamuri shqiptar, u bënë objekte debati edhe në forumet më të larta politike krahinore, republikane e federale. Diferencimi ideologjik e politik arriti përpjesëtime të gjera: mbi 300 intelektualë u izoluan nëpër qeli arresti. 

I mbiemërzuar si “kështjellë e nacionalizmit shqiptar”, purgatori i diferencimeve do ta mësynte edhe Universitetin e Prishtinës

“Dukej qartë se serbët synonin largimin nga Kosova të elitës së saj intelektuale dhe shkatërrimin e sistemit të saj arsimor”, shkruan Meier. 
Duke bërë bilancin e këtyre ngjarjeve, korrespodenti zviceran vlerëson se pasojat më negative i solli reagimi i udhëheqjes së atëhershme politike në fuqi të shqiptarëve të Kosovës. Sipas Meierit, funksionarët e asokohshëm komunistë karakterizoheshin nga “besimi i patundur në Jugosllavinë federale dhe socialiste, këmbëngulja kategorike se e ardhmja e Kosovës do të ishte vetëm në këtë fundit”. 

Diferencimi ideologjik e politik arriti përpjesëtime të gjera: mbi 300 intelektualë u izoluan nëpër qeli arresti.  Nëpërmjet artikujve të “Zërit të popullit”, që përfaqësonin qëndrimin zyrtar të udhëheqjes së PPSH-së, Shqipëria përkrahu të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosje në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi

Tytat kundër Shqipërisë

Qysh në dy muajt e parë të pranverës së vitit 1981, shtypi jugosllav do t’i drejtonte “tytat” nga Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë, me të cilën, pavarësisht një klime shtendosjeje gjatë viteve ‘70, shteti jugosllav përplasej. 

Duke u shkëputur nga qëndrimi shpërfillës që e kishte shquar politikën e saj të jashtme prej Luftës së Dytë Botërore, Tirana zyrtare doli në mbrojtje të protestuesve shqiptarë në ish-Jugosllavi.

Nëpërmjet artikujve të “Zërit të popullit”, që përfaqësonin qëndrimin zyrtar të udhëheqjes së PPSH-së, Shqipëria përkrahu të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosje në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. 

Megjithatë, edhe kjo përkrahje impaktoi gjendjen brenda Shqipërisë, çka shpjegon faktin se Tirana pati disa rezerva të fshehta. Sipas Meierit, një vit pas protestave të vitit ‘81, dukej qartë se në Shqipëri solidariteti i vetvetishëm kombëtar për Kosovën përzihej me mosbesim dhe frikë. 
Ish-kryeredaktori i “Zërit të popullit”, Sofokli Lazri, duke evokuar një bisedë me Mahmut Bakallin, shpjegonte se Tito qëllimisht u kishte lënë dorë të lirë shqiptarëve të Kosovës për thellimin e marrëdhënieve me Shqipërinë pas vitit 1968. 

“Kjo kishte bërë që në Tiranë të lindte dyshimi se Tito donte t’i përdorte shqiptarët e Kosovës për ta ‘zbutur’ regjimin në Shqipëri”, shkruan Meier. 
Kurse Oliver Schmitt, në librin e tij të fundit për Kosovën, shkruan se burimet ofrojnë “të dhëna kundërthënëse” për përfshirjen e Shqipërisë në ngjarjet e vitit 1981.

Oliver Schmitt, në librin e tij të fundit për Kosovën, shkruan se burimet ofrojnë “të dhëna kundërthënëse” për përfshirjen e Shqipërisë në ngjarjet e vitit 1981

E veja e diktatorit Enver Hoxha, në një intervistë dhënë në vitin 2012, kishte mohuar se burri i saj ka luajtur ndonjë rol aktiv në nxitjen e trazirave në Kosovë, por tha se disa udhëheqës komunistë nga rrethi i Kadri Hazbiut kishin qenë më shumë të përfshirë në ngjarjet e Kosovës më 1981 dhe kjo, sipas saj, kishte ndodhur pa dijen e diktatorit.