Kulturë

“Pragu” në kapërcim emocionesh e hapësirash 

Kapërcim i pragut është edhe vetë ekspozita e saj. Është e para personale e Renea Begollit. Me të zbërthen kapërcimin nga një gjendje emocionale në tjetrën, prej hapësirës në tjetrën, apo edhe nga një nivel artistik në tjetrin. Motivi ekologjik dhe lidhja e njeriut me natyrën artisten e re e kanë preokupuar për një kohë të gjatë, duke e shndërruar në njërin prej motiveve kryesore të veprimtarisë së saj

“Pragu” vjen si një lloj metafore e kapërcimit. Në rastin e Renea Begollit, e cila kësisoj e pagëzuar ekspozitën e saj të parë personale, ka të bëjë me  hapësira e gjendje emocionale. Periudha e pandemisë, hapësira individuale, kapërcimi nga një gjendje emocionale në tjetrën apo edhe nga një nivel artistik në tjetrin, është ajo që e karakterizon ekspozitën e hapur të mërkurën mbrëma në galerinë “Qahili”. Ka kapërcyer një prag, teksa ka vendosur që për herë të parë t’i bashkojë veprat në një vend. Ngjyrat e ndezura në veprat e saj janë kontrasti i parë i ndjeshëm në raport me temperaturat jashtë. Muret e bardhë të sallës ekspozuese janë veshur me piktura që kryesisht kanë dimensione të mëdha e që shpesh janë kuruar në atë formë që të zënë dy faqe muresh. Madje, me ndihmën e një kornize të fortë, që i ngjan një muri të vendosur në mes të sallë, skica e veprës së titulluar “Poza e fëmijës” është vënë tejpërtej dy anëve të kundërta të atij muri. Për ta parë komplet skicën, vizitorët duhet t’i sillen përreth, teksa kopja përfundimtare e saj qëndron në trajtë normale, e mbështetur përskaj saj.   

Nëpër pikturat e saj abstrakte, fshihen figura njerëzish që Begolli ka zgjedhur t’i ngjyrosë me të gjelbër. Ata qëndrojnë nëpër pozita të ndryshme, herë ulur në hapësira të rrafshëta, herë të shtrirë barkas, teksa mënyra se si ata i mbajnë duart, këmbët apo komplet trupin, jep ndjenjën e ca trupave të brishtë e lehtësisht të thyeshëm. 
Teksa ka folur për titullin e ekspozitës, autorja Begolli ka shpjeguar edhe ecurinë e realizimit të këtyre veprave. 

“Vendosja e titullit ka qenë në komunikim me kuratorin e ekspozitës, Yll Xhaferi. E kam përdorë ‘pragun’ më shumë si një element që simbolizon një fizik, një kalim nga një hapësirë në tjetrën, nga një gjendje emocionale në tjetrën, prej një mënyrë se si kam krijuar veprat në tjetrën. Ekspozita është e ndarë në dy pjesë, janë disa punë pak më të vjetra që i kam bërë dhe disa më të reja, kështu që është edhe ky kalimi dhe zhvillimi im si artiste”, ka thënë Begolli.

Motivi ekologjik dhe lidhja e njeriut me natyrën është diçka që artisten e re e ka preokupuar për një kohë të gjatë, duke e shndërruar atë në njërin prej motiveve kryesore të krijimtarisë së saj. 

Veprat janë realizuar brenda një periudhe katërvjeçare dhe shumica kanë nisur në studion në Fakultetin e Arteve në  Prishtinë, aty ku Begolli ndjek studimet master.
“Në përgjithësi idetë fillojnë prej perceptimeve dhe emocioneve personale që unë i përjetoj. Konceptet brenda punës janë të lidhura me njëra-tjetrën, trajtohen shumë hapësirat e ndërmjetme dhe vihen në komunikim e pyetje rreth aspekteve sociale dhe ekologjike. Sidomos ndryshimet ekologjike kanë qenë diçka që unë e kam trajtuar shumë dy vjetët e fundit. Ndryshimet në trup dhe raporti midis natyrës dhe njeriut jo si diçka e ndarë, por si diçka që komunikojnë me njëra-tjetrën dhe si ato komunikojnë në ekosistem”, ka thënë ajo. 

Kuratori i ekspozitës, Yll Xhaferi, ka treguar se si ishte njohur me Renean e bashkë me këtë edhe me artin e saj. 

“Edhe pse me moshë Renea është shumë më e re, ne njihemi, kemi punuar në një studio bashkë, kur unë kam qenë duke studiuar master, ajo ishte në fillimet e bachelorit. Kështu si rastësisht duke e ndarë hapësirën e punës, duke biseduar, duke e parë zhvillimin e krijimtarisë së njëri-tjetrit e kemi krijuar një shoqëri dhe vendosëm që pas një periudhe, kur Renea vendosi t’i ekspozonte punët, më ka ftuar të jem kurator i ekspozitës”, ka treguar ai, teksa ka thënë se kjo ishte hera e parë si kurator. 

Image
Veprat e Renea Begollit janë perceptime dhe emocione personale. Konceptet janë të lidhura me njëra-tjetrën, trajtohen hapësirat e ndërmjetme dhe vihen në komunikim rreth aspekteve sociale dhe ekologjike

Meqë krijimtarinë e saj e kishte njohur që në zanafillë, Xhaferi ka folur edhe për zhvillimin në rrugëtimin e saj. 

“Ka pasur edhe një progres interesant prej një faze kur ka qenë njëfarë abstrakti, si pop-abstrakt, duke i zbërthyer format figurative reale. Pastaj ka arritur me një cikël shumë interesant, ku i përdor disa trupa imagjinarë, ku ato janë duke pushuar në hapësirën ku gjenden. Domethënë duket sikur graviteti i thith shumë më shumë. Gjithashtu i ka intime, i ka në pozita shumë fragjile dhe tregon storie shumë personale qysh këto piktura e tregojnë një gjendje emocionale të Reneas, që e ka pasur sidomos gjatë periudhës së pandemisë”, ka vlerësuar Xhaferi.  

Piktorja Zake Prelvukaj ka vlerësuar faktin se qysh herët Renea Begolli ka arritur të shkëputet nga mundimet që secili artist i ka në rini.  

“Secili nga ne si artist së pari në Fakultetin e Arteve bartim diçka me vete, një përvojë ndryshe dhe është shumë vështirë të kalosh në atë profesionalizëm sepse atëherë vërehet çka është vlera, çka s’është vlera, por Renea është shkëputur menjëherë nga disa gjëra, të cilat e mundojnë artistin në fillim dhe ka ditur të krijojë koncepte”, ka thënë Prelvukaj.

Ka theksuar edhe faktin se Begolli tashmë ka krijuar identitetin e saj artistik dhe se ajo shquhet për origjinalitet.  

“Të gjitha këto punë i kanë fillesat në studio, domethënë ka ditë ta gjejë origjinalitetin e vet, rrugën e vet edhe konceptualen fluide, domethënë ka lëvizë ndër vite, në kohë. Sot mendoj që ajo është një artiste që emri do t’i mbahet mend sepse përveç punës praktike që ka, ajo ka me qenë edhe një analiste dhe një grua edhe përtej kësaj Kosove”, ka thënë ajo.  

Ekspozita “Pragu” do të qëndrojë e hapur deri më 4 mars.