Sezoni i fundit i “Game of Thrones” ka përftuar një zemëratë publike dhe ka kulmuar me një peticion (të nënshkruar nga thuajse 1 milionë shikues të hakërryer) për të skualifikuar krejt sezonin dhe për të xhiruar një të ri nga e para. Ashpërsia e debatit është në vetvete një provë që bastet ideologjike duhet të jenë të larta. Pakënaqësia u kthye në një grusht pikash: skenar i keq (nën trysninë për t’i përfunduar sa më parë seritë, kompleksiviteti i narrativës u thjeshtëzua), psikologjia e ligshtë (kthimi i Denerisit në “Mbretëreshë të Çmendur” nuk përligjet nga zhvillimi i karakterit të saj), etj, shkruan sot Koha Ditore.
Një nga pak zërat intelegjentë në debat ishte ai i autorit Stephen King që vërejti se pakënaqësia nuk u përftua nga përfundimi i keq por nga vetë fakti i përfundimit. Në epokën tonë të serive që parimisht mund të zgjaten deri në paskajësi, idea e mbylljes së narrativës bëhet e padurueshme. Është e vërtetë që, në finalet e shpejta të serive, një logjikë e përçudtë zë vend, një logjikë që nuk cenon psikologjinë e besueshme por më tepër pre-hamendësimet e narrativës së serive televizive.
Në sezonin e fundit, është thjesht përgatitja për betejë, vajtimi dhe shkatërrimi pas betejës, dhe nga vetë luftëtari në krejt çkuptimshmërinë e vet – fort më realiste për mua sesa përbetimet e zakonshme gotike melodramatike. Sezoni i tetë paraqet tri përpjekje të njëpasnjëshme. E para është mes njerëzimit dhe ‘të tjerëve’ jonjerëzorë (Ushtria e Natës nga Veriu e udhëhequr prej Mbretit të Natës); ndërmjet dy grupeve kryesore të njerëzve (Lanisterët e ligj dhe koalicioni kundër tyre i udhëhequr nga Denerisi dhe Starkët); dhe lufta e brendshme mes Denerisit dhe Starkëve. Kjo është arsyeja pse betejat në sezonin e tetë e përvijojnë një rrugë logjike nga një kundërshtim i jashtëm drejt një plasaritje të brendshme: disfata e çnjerëzores Ushtri e Natës, shpartallimi i Lanisterëve dhe shkatërrimi i “Zbarkimit të Mbretit”; e fundit betejë ndërmjet Starkëve dhe Denerisit – përfundimisht mes fisnikërisë së “mire” tradicionale (Starkët) që i mbrojnë me besnikëri vartësit e tyre nga tiranët e ligj, dhe Denerisi si një lloj i ri i udhëheqësit të fortë, njëfarë bonopartiste përparimtare që vepron në emër të joprivilegjuarve. Ndërdyshjet në konfliktin e fundmë janë kësisoj: a duhet kryengritja kundër tiranisë të jetë vetëm një luftë për kthimin e një lloji të vjetër të mirë të të njëjtit rend hierarkik, apo ajo duhet të zhvillohet në kërkim të një rendi të ri që nevojitet?
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)