Prishtinë, 1 tetor – Duke parë nevojën e ngjalljes së komunitetit muzikor në vend dhe ofrimit të një platforme ku të rinjtë mund ta zhvillojnë kreativitetin e tyre, është krijuar një ansambël i ri. Quhet “Post-Chestra”.
Është pjesë e platformës “KOMELA- Kosovo Medialogy Lab”, organizatës që kompozitori dhe pianisti i njohur kosovar Liburn Jupolli e kishte themeluar para më shumë se dy vjetësh, e që asokohe quhej “KSMT-Kosovo Society of Music and Technology”. Tash, me emër të ri dhe bashkë me jazz- pianistin e njohur Ilir Bajri, Jupolli ka nisur një iniciativë tjetër. Ideja për ta krijuar një hapësirë dhe mundësi për të ushtruar, mësuar dhe avancuar muzikantët profesionistë e amatorë, ka ardhur pas një turneu që e pati këtë muaj. Jupolli thotë se gjatë masterklaseve dhe koncerteve që pati në disa vende të Kosovës, por edhe në Shqipëri e ka parë edhe një herë kapacitetin e të rinjve të cilëve u mungon forma e prezantimit (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).