Kulturë

Portreti i presidentit të Ukrainës – nga Kosova nëpër botë

Sapo ia nisi punës për realizimin e portretit të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, artisti nga Gjakova, Alkent Pozhegu, sërish u bë sensacion botëror. Mozaiku që ka realizuar ai vazhdon të zërë vend në media të njohura botërore

Alkent Pozhegut, artistit që jeton në qytetin e Gjakovës, i mjafton hapësira në oborrin e tij për të reflektuar nëpërmjet artit që përdor. Pushtimi i Ukrainës nga Rusia dhe lajmet ngado kanë bërë që Pozhegu as kësaj radhe të mos qëndrojë pasiv.

Figura që e ka inspiruar kësaj radhe është presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy. Për këtë Pozhegu edhe një herë ka arritur të depërtojë në shumë media botërore. Në oborrin e tij janë krijuar mozaikë të ndryshëm të figurave që e kanë inspiruar. Nëpërmjet mozaikëve me kokrra e fara, ai në të kaluarën ka realizuar portretet e ish-presidentit amerikan Donald Trump, presidentit Joe Biden dhe ish- kancelares Angela Merkel. Përveç politikës e kanë inspiruar edhe këngëtaret kosovare me famë botërore si Rita Ora e Dua Lipa. Për këta mozaikë të veçantë të figurave botërore Pozhegu çdoherë është bërë lajm në mediat botërore në media si “The Guardian” dhe “The Telegraph”.

Image

Me mozaikët për presidentin Trump, këngëtaret Rita Ora e Dua Lipa, ai ka fituar edhe tri certifikata nga libri i rekordeve botërore “Guiness”. Kësaj radhe ka vendosur që nga shtëpia e tij të dërgojë një mesazh mbështetës për Ukrainën. Fotografia me veprën e tij është publikuar edhe nga gazeta prestigjioze britanike “The Independent”. Prej aty e kanë marrë edhe media të tjera gjithandej. Veprën e tij e kanë ilustruar kryesisht me fotografinë e fotografit të njohur kosovar Armend Nimani për agjencinë e njohur AFP.

Portreti i realizuar nga artisti që ka hyrë tri herë në librin e rekordeve “Guiness” është pjesë e artikullit të “The Independent”, që përfshin një intervistë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ku ai shpreh qëndrimet e tij lidhur me sulmin e Ukrainës nga Rusia. Pozhegu në një intervistë në emisionin “Express” ka thënë se vëmendja ndërkombëtare e gëzon pasi që e kthen vëmendjen nga vendi i tij.

“Është kënaqësi kur një vepër vlerësohet nga mediat ndërkombëtare. Për mua është një kënaqësi e madhe që kudo ceket emri i qytetit tim të Gjakovës, por edhe emri i shtetit të Kosovës”, ka thënë Pozhegu në emisionin “Express” të premten.

Për realizimin e portretit të presidentit ukrainas i shndërruar në ikonë botërore ka shfrytëzuar rreth 100 kilogramë kokrra të misrit me ngjyra të ndryshme, kokrra të fasules, grurit, oriz dhe fara të lulediellit. Për këtë atij i janë dashur rreth pesë orë punë intensive. Shtrihet në 7.5 metra katrorë. Pranë portretit të presidentit, Pozhegu ka vendosur edhe flamurin ukrainas dhe simbolin # me emrin e shtetit të Ukrainës.

“Më ka frymëzuar që me përkushtimin e tij ka arritur ta mobilizojë gjithë popullin e tij që sa më shpejt besoj të shuhet kjo luftë”, ka treguar tutje Pozhegu.

Artisti nga Gjakova ka zbuluar që së shpejti planifikon një ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Ai deri më tani ka ekspozuar në Gjakovë, Tiranë dhe Antwerp të Belgjikës. Deri më tani ka realizuar rreth 50 mozaikë me kokrra e fara.