Janë 80 portretet e po aq veprimtarëve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit që janë bashkuar në 80-vjetorin e kësaj ngjarjeje historike si një shenjë përkujtimi të idealit të tyre për Shqipërinë. U bënë tok në qytetin i cili këtu e tetë dekada më parë u ngrit në këmbë për t’i pritur delegatët nga të gjitha viset, që u angazhuan për vazhdimin e aspiratave të Lidhjes së Prizrenit. Ekspozita – kushtuar një ngjarjeje e konsideruar edhe si temë tabu për gati gjysmëshekulli – vjen edhe me dokumente të tjera arkivore si shkrimet e gazetave të kohës
Me rastin e shënimit të 80-vjetorit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, në qytetin e vjetër, është hapur ekspozita me fotografi e 80 veprimtarëve të kësaj ngjarjeje historike. Autorët e ekspozitës kanë vënë në pah rëndësinë e angazhimit të këtyre atdhedashësve për çlirimin e viseve shqiptare, sendërtimin e bashkimit kombëtar. Sipas tyre, 80 vjet më parë i gjithë qyteti ishte ngritur në këmbë për t’i pritur delegatët nga të gjitha viset që u angazhuan për vazhdimin e aspiratave të Lidhjes së Prizrenit. Krahas fotografive në ekspozitë, vend i rëndësishëm u është dhënë edhe artikujve të asaj kohe, nëpërmjet të të cilëve shpalosen veprimtaria dhe programi i Lidhjes së Dytë të Prizrenit.
Hulumtuesi Nexhat Çoçaj ka përkujtuar se veprimtaria e këtij brezi të atdhetarëve ka frymëzuar gjenerata të tëra për t’u angazhuar për lirinë e Kosovës, e që sipas tij ka kulmuar me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Pas një pune disamujore, të anëtarëve dhe Këshillit Organizativ të kësaj ekspozite, sot me rastin e 80-vjetorit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, kemi arritur që me fotografi t’i paraqesim në këtë ekspozitë 80 veprimtarë nga e gjithë hapësira e tokave të liruara, përfshirë këtu Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë, Pazarin e Ri, dhe të gjitha viset të cilat nuk patën fatin që të jenë me Shqipërinë administrative”, ka thënë Çoçaj.
Historiani dhe njëri prej autorëve të kësaj ekspozite, Parim Kosova, ka shprehur qëndrimin se për herë të parë është punuar një ekspozitë për këtë ngjarje madhore të historisë kombëtare, që sipas tij ka qenë një temë tabu për afro gjysmëshekulli nën administrimin jugosllav. Ka theksuar se bashkë me fotografitë e veprimtarëve prezantohen edhe artikujt e shtypit të kohës, ku pasqyrohen aktivitetet e Lidhjes së Dytë të Prizrenit.
“Ekspozitë e punuar me plot përkushtim e profesionalizëm që përmban fotografitë e ideologëve, udhëheqësve, klerikëve, dëshmorëve, luftëtarëve dhe veprimtarëve të shumtë të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, të cilët nuk kursyen asgjë që Kosova me tokat e liruara të mbesin në kuadër të mëmës Shqipëri. Në ekspozitë janë paraqitur edhe artikujt e shtypit të kohës që botoheshin në Tiranë dhe në disa qendra të tjera të hapësirës shqiptare”, ka deklaruar Kosova.
Sipas tij, sjellja në kujtesë e veprimtarisë së këtyre patriotëve është obligim ndaj gjeneratave të reja.
kujtojmë me pietet edhe sot kontributin e këtyre atdhedashësve e dëshmorëve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit që nuk kursyen asgjë, madje as jetën e tyre, vetëm që të realizohet programi kombëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i vitit 1878, e cila u shoqërua edhe me një mbështetje të madhe popullore”, është shprehur Kosova.
Në hapje të ekspozitës, në “Qendrën Evropa”, të pranishëm kanë qenë edhe familjarët e veprimtarëve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Porosia e tyre ka qenë që ideali për bashkim kombëtar të mos harrohet.
“Ende jemi larg nga realizimi i idealeve të këtyre brezave. Prandaj është mirë që edhe tani e tutje ta kemi parasysh dhe të angazhohemi që atë ideal të përpiqemi ta realizojmë ashtu siç e kanë ëndërruar dhe projektuar edhe ata”, ka thënë Binak Ulaj, familjar i Rexhë Ulajt.
Realizimi i kësaj ekspozite, sikurse edhe i konferencës shkencore dedikuar Lidhjes së Dytë të Prizrenit, është mundësuar falë përkrahjes së Komunës së Prizrenit.
Drejtori për Kulturë, Adem Morina, ka vlerësuar se këto aktivitete sjellin në vëmendje veprimtarët e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, si ngjarje që kanë lënë gjurmë në historinë kombëtare.
si institucione nuk kemi se si mos t’i përkrahim ngjarjet e tilla, sepse ngjarjet e tilla historike na kanë mundësuar që përmes intelektualëve të shquar, përmes veprimtarëve, që ne ta gëzojmë këtë ditë që jemi këtu, dhe Lidhja e Dytë e Prizrenit ka qenë njëra prej lidhjeve më të rëndësishme të kombit tonë që ka qenë edhe pararendëse e UÇK-së", ka thënë Morina.
Tetë dekada më parë, në datat 16 deri më 20 shtator, ishte mbajtur mbledhja e Kuvendit në Prizren, ku ishte vendosur për formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, si organizatë politike kombëtare, e cila do të angazhohej për bashkimin dhe mbrojtjen e trojeve etnike. Lidhja e Dytë e Prizrenit në shtator të vitit 1943 u themelua në ndërtesën e sotme të shkollës “Lidhja e Prizrenit”.