Kulturë

“Portrait of a Lady” e Klimtit ekspozohet për herë të parë pas rizbulimit

Piktura e Gustav Klimtit “Portrait of a Lady” (1917) do të ekspozohet për herë të parë pas zbulimit të saj dramatik brenda mureve të galerisë nga e cila u vodh gati 23 vjet më parë. Piktura u gjet në vitin 2019, kur një kopshtar që punonte për galerinë e artit modern “Ricci-Oddi” në Piacenza, Itali, hoqi një panel metalik në pjesën e jashtme të vendit të ngjarjes, duke zbuluar pikturën e Klimtit, e cila me sa duket ishte fshehur në vjedhjen në tentativë.

Portreti fillimisht ishte vendosur të ekspozohej në galerinë veriore italiane në vitin 2020 si pjesë e një serie ekspozitash kushtuar piktorit të Secesionit të Vjenës, por hapja u vonua për shkak të pandemisë. Organizatorët njoftuan se piktura më në fund do të zbulohet për publikun këtë tetor në Muzeun e Romës në Palazzo Braschi në një ekspozitë që eksploron periudhën e Klimtit në Itali, e cila la një përshtypje të thellë në veprat e tij artistike. Përdorimi i tij i shpeshtë dhe i veçantë i fletës së arit thuhet se është frymëzuar nga një vizitë në Bazilikën e Shën Markut në Venecie.

Vepra do të shfaqet për pesë muaj para se të kthehet në “Ricci-Oddi Modern”, e cila gjithashtu ka plane për ta ekspozuar portretin. Klimt e përfundoi pikturën në vitin 1917, një vit para se të vdiste, dhe ajo u ble nga galeria “Ricci Oddi” në vitin 1925. Ajo paraqet një grua të re që besohet se është e dashura e artistit. Ajo shfaqet para një sfondi jeshil, duke hedhur një vështrim mbi shpatullën e saj.

Në 1997, dhjetë muaj para vjedhjes, një analizë me rreze X zbuloi se Klimt kishte pikturuar “Portrait of a Lady” mbi pjesën e mëparshme të pikturës. U organizua një ekspozitë e fokusuar në zbulimin e “pikturës së dyfishtë” dhe portreti u zhduk në mes të përgatitjeve të ekspozitës. Korniza e saj e thyer u zbulua në çatinë e galerisë, duke bërë që hetuesit të besojnë se vepra mund të jetë hequr nga muri dhe u zhvendos përmes një dritareje të hapur nga dikush i lidhur dhe i afërt me galerinë.

Pas rizbulimit në dhjetor te vitit 2019, Jonathan Papamerenghi, anëtar i Këshillit të Piacenzas, i tha “La Repubblicas” se ishte “piktura më e kërkuar e vjedhur në botë pas ‘Nativity with St.Francis and St.Lawrence’ të Caravaggios”. Është vlerësuar të jetë me vlerë rreth 70 milionë dollarë.

Në mars, botimi italian “Arts Culture & Style” raportoi se prokurorët kishin hequr akuzat kundër tre personave që pretendonin se ishin dyshuar se ishin përfshirë në vjedhjen e vitit 1997. Të dyshuarit thanë se ata e kishin kthyer pikturën në murin e galerisë si një “dhuratë” për qytetin, por prokurorët nuk ishin të bindur nga historia e tyre.

“Ata kanë qenë të paqartë në lidhje me detajet, por gjithmonë kanë pohuar se piktura nuk ishte në “gropë” gjatë gjithë asaj kohe”, ka thënë Ermanno Mariani, një gazetar italian i kontaktuar së pari nga hajdutët e supozuar, për “The Guardian” në janar. “Unë nuk jam ekspert teknik, por piktura do të ishte dëmtuar nëse do të kishte qenë atje për gjithë ato vite”. \ ArtNews

Marrë nga ARTNews. Përktheu: Rina Krasniqi

Image