Me filmin dokumentar në të cilin dëshmohet përjashtimi dhe diskriminimi aq brutal sa detyron një familje të zhvendoset në shtet tjetër, është shënuar Dita Ndërkombëtare e Romëve, ani pse me pesë ditë vonesë. “Pongo Calling” ndjek Stefan Pongon, shoferin rom që jetën ua dedikon të drejtave të komunitetit. Organizimet e njëpasnjëshme për të drejtat e komunitetit dhe për të ndihmuar romët në varfëri të skajshme synojnë ngritjen e ndërgjegjësimit te publiku. Kjo është edhe vetë esenca e filmit – trokitja në ndërgjegjen e secilit.
Para hyrjes e korridori i “Kino Armatës” ka qenë plot shikues, të enjten mbrëma. Bisedat e njerëzve jashtë dëgjoheshin të çakorduara, e brenda është krijuar ambient i ngrohtë me ca drita të lehta me ngjyra dhe orendi antike. Publiku ka zënë vendet çdoherë më shumë sa shkonte e afrohej koha e paraparë për shfaqjen e filmit. Flamuri rom ka qenë i projektuar në ekranin e kinemasë, ndërsa anash janë vendosur ai i Gjermanisë, Bashkimit Evropian dhe i Kosovës. Me t’u fikur dritat ka nisur të zbardhet imazhi i kryepersonazhit, Stefan Pongos, dhe veprimtaria e tij për komunitetin rom.
Pongo larg shtëpisë dhe familjes së tij zhvendoset në Angli, i zemëruar nga fyerjet raciste të bëra prej presidentit çek, Milosh Zeman, në vitin 2018, se ai, si të gjithë romët, ishte dembel. Historia e mëtejshme shpaloset në filmin dokumentar.
“Deri në atë kohë, unë isha identifikuar vetëm si fëmijë”, është vetëm një prej frazave më prekëse nga Pongo, derisa shpalos momentin kur në njërën prej dhomave të shkollës jeta e tij ndryshoi, duke gjetur hijen e paragjykimit për tërë pjesën tjetër të mbetur të tij. Aty ishte momenti kur vendos të lërë pafajësinë që të humbë betejën. Duke mos dashur të lejojë fëmijët e tij të durojnë të njëjtat fyerje dhe padrejtësi të hedhura mbi komunitetin rom, Pongo u zhvendos në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2006. Pasi kishte punuar pa u lodhur në rrugë dhe duke parë dy fëmijët e tij në universitet, shpifjet e pajustifikuara të shoqërisë kishin ndezur zjarrin brenda Pongos.
Filmi i regjisorit çek Tomas Kratochvil pati premierën botërore në festivalin “Sheffield Doc/Fest” në Angli më 24 qershor 2022. Aty tregohet historia sesi Pongo me sjelljen e tij të butë fillon fushatën ndërkombëtare për t’i inkurajuar romët në gjithë botën për t’u dëgjuar zëri i tyre. Ajo që nënkuptohet në mënyrë të trishtë është se sa imun është bërë Stefan Pongo, edhe ndaj diskriminimit dhe fyerjeve më të vrazhda për t’u dëgjuar.
Për më shumë se 13 vjet ka që ishte zhvendosur në Angli. Kishte konsideruar se aty gjëra të tilla nuk pranohen dhe se fëmijët e tij do të rriteshin ashtu siç u rrit ai deri sa nisi shkollën fillore. Jetë më normale duket të jetë atje. Fëmijët e tij aty argëtohen e performojnë artet skenike si të gjithë të tjerët, me të gjithë.
Rrjedha e dokumentarit vijon me organizimin e protestës për të drejtat e romëve para Parlamentit Evropian në Bruksel. Në rutinën e tij të përditshme të dëgjimit të radios teksa vozit, kap edhe kritikat e fyerjet publike ndaj komunitetit. Çuditërisht kanali prej nga më së shumti denigrohet komuniteti është media. Pongo themelon edhe një shoqatë humanitare në ndihmë të familjeve rome. Në Sllovaki, komuniteti jeton në varfëri të skajshme, prej nga shpërfaqet jeta e vështirë e komunitetit rom në përgjithësi. Vetë pamjet që i përcillen publikut nëpërmjet ekranit të madh janë të vështira për t’u parë. Historia e Pongos kishte filluar me një incizim të thjeshtë në Facebook, por që fushata e tij bëhet burim frymëzimi, ngushëllimi dhe veprimi për njerëzit që i rëndon i njëjti paragjykim.
Është një histori në kohë moderne, ku rrjetet sociale mund të ketë efektet e dyanshme, por edhe histori e vjetër e mirësjelljes. Në zemër të tregimit janë Pongo dhe familja e tij – gruaja Iveta dhe dy djemtë e tij që luajnë rolet mbështetëse e shpeshherë si kritikë të planeve të tij.
Skenat e kthimit të familjes në Çeki ua kthejnë atyre ndjesinë e qëndresës ndaj paragjykimeve dhe kushtet dëshpëruese të jetesës, atë ndjesi që në Angli nuk u duhej ta ngjallnin. Nga veprimtaria e pandalshme, krejt papritur i jepet publikut kumti për vdekjen e Pongos. Më 18 shkurt të vitit të kaluar u shua veprimtaria e tij, por jo edhe organizata e tij bamirëse që vazhdon aktivitetin e saj. Ai vdiq pas një sëmundjeje të shkurtër nga e cila po vuante edhe gjatë xhirimeve të filmit dokumentar, por që nuk u përmend në asnjë skenë. Organizata e themeluar prej tij sot mbështet edhe refugjatët që kanë ikur nga lufta në Ukrainë dhe vepron si mbrojtëse e të drejtave të tyre kundër zërave kundërshtues në Çeki dhe Sllovaki.
Ngjarja e së enjtes mbrëma është organizuar prej Ambasadës së Gjermanisë dhe zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë. Ka ardhur pas asaj që ishte organizuar me rastin e njëvjetorit të pushtimit të Ukrainës, ku ishte shfaqur filmi “A house made of splinters” dhe “Backlash” në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Gruas.
“Ne të gjithë e dimë shumë mirë se histori të tilla të diskriminimit dhe paragjykimeve të romëve janë gjithkund. Të bëhemi së bashku sonte. Shënimi i Ditës Ndërkombëtare të Romëve është i rëndësishëm për të shpërfaqur dhe rritur ndërgjegjësimin për ata që përballen me gjëra të tilla. Duke e shfaqur filmin sonte, ne gjithashtu nderojmë Stefan Pongon, anëtarin e komunitetit rom dhe aktivistin e shoqërisë”, është shprehur zëvendësambasadori gjerman, Matthias Conrad.
Kryetari i degës së komuniteteve pakicë, trashëgimisë fetare dhe kulturore në kuadër të zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Stefano Gnocchi, është shprehur se është e rëndësishme të rritet ndërgjegjësimi në lidhje me diskriminimin që i bëhet komunitetit rom. Ka ndarë një histori konkrete të tij me publikun.
“Kam pasur rastin të bisedoj me njerëz të Evropës Lindore dhe për rastësi, njëri prej tyre ishte rom në një udhëtim me aeroplan. Ai tregonte për vështirësitë, për abuzimet, për dallimet në borde, për të gjitha telashet me të cilat është përballur. Por ai nuk e përdorte termin ‘diskriminim’, që fliste edhe për personalitetin e tij se kush ai ishte. Kjo bisedë filloi prej meje dhe pashë frikën që ai e kishte paraprakisht. E gjitha varet prej neve që të bëhemi bashkë në forma të ndryshme”, ka treguar Gnocchi.
Zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Gazmend Salijeviq, është shprehur se beson plotësisht në përkrahjen e Qeverisë së Kosovës për barabarësi në shoqëri. Ka paralajmëruar edhe strategji për të.
“Nuk dua të flas për sfidat për çështjet me të cilat përballemi, dua vetëm t’u them të gjithëve që t’u japin romëve mundësinë që t’u tregojnë se ata janë të barabartë në shoqëri. Ne e kemi mbështetjen e plotë të Qeverisë së Kosovës, kemi strategji për integrimin e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian për të cilën besojmë se do të përfundojë”, ka thënë Salijeviq para shfaqjes së filmit.
E drejtori i organizatës “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve”, Isak Skenderi, ka përmendur pa censurë thirrjet raciste me të cilat përballet komuniteti rom çdo ditë.
“E gjithë kjo ndoshta ndodh pasi romët kurrë nuk patën një shtet, as një mbretëri, as një republikë, e cila nuk ishte deri më tani. Derisa Kosova u bë. Kosova është shteti i të gjithë qytetarëve dhe ne romët jemi qytetarë. Por nuk jemi ende pjesë e edukimit siç do të duhej të ishim, nuk jemi të punësuar, shërbyes të shtetit, as mësues, as mjekë, nuk jemi shokë me ata që nuk janë romë, nuk jemi ende atje. Kjo nuk ndodh sepse ne nuk duam, por sepse ata vazhdojnë të na përjashtojnë”, është shprehur Skenderi, duke vlerësuar se qëndrimet e tilla negative janë çështje madhore dhe shqetësuese.
Dita Ndërkombëtare e Romëve (8 prill) është data në të cilën festohet kultura rome, si dhe bëhet thirrje për ndërgjegjësim ndaj problemeve me të cilat përballet komuniteti. Dita u shpall zyrtarisht në vitin 1990 në Serock të Polonisë, vendi ku u mbajt Kongresi i katërt Botëror Rom i Unionit Ndërkombëtar të Romëve. Kongresi i parë u mbajt më 8 prill 1971.