Kulturë

“Polip” synon të hedhë dritë me letërsi

Diskutime me autorë e përkthyes, sikurse edhe leximet letrare, e kanë ndërtuar ndër vite festivalin ndërkombëtar të letërsisë “Polip”. Kësisoj, edhe sivjet në edicionin e 13-të të tij, i cili hapet sot (e premte). Aktivitetin e shtrin për tri ditë në teatrin “Oda”, në Prishtinë, me temën “To the lighthouse”. Autorë nga rajoni e Evropa janë ftuar për të prezantuar punën e tyre, për të debatuar mbi çështje të ndryshme dhe për të ndarë idetë e tyre. Festivali u shërben edhe lidhjeve kulturore e shkëmbimit letrar midis krijuesve.

Aktiviteti i festivalit ndërkombëtar të letërsisë “Polip” shpesh ka prekur politikën, padrejtësitë në shoqëri e rolin e shkrimtarit që kanë qenë prej shtyllave të tij. Në ditën e parë, pos ceremonisë së hapjes, në program janë lexime nga autorë si: Ledia Dushi, Arian Leka e Eleana Zhako nga Shqipëria, gjermani Adrian Kasnitz, Vladimir Arsenijeviq e Milosh Zhivanoviq nga Serbia, Tanja Sljivar nga Bosnjë-Hercegovina e të tjerë.

Të shtunën do të ketë biseda me përkthyes e panelistë: Zuzana Finger nga Gjermania, Svetlana Rakoçeviq nga Serbia, Sebastien Gricourt nga Franca dhe Milena Selimin e Eleana Zhako nga Shqipëria. Programi do të hapë pyetje në temat për formatet e festivaleve simotra të “Polip” me temën “Literature Festivals: What format we need today?”. Protagonistë të panelit do të jenë: Arian Leka, Izabela Kisiq e Vladimir Arsenijeviq nga Serbia, Faruk Shehiq nga Bosnjë-Hercegovina dhe Alexandra Millner nga Austria.

Nga Festivali është bërë e ditur se ky do të jetë edicioni i fundit në këtë format dhe se në të sivjetmin do të bëhen bashkë për të reflektuar mbi ndikimin që ka pasur në publik.

“Këtë vit festivali feston edicionin e vet të 13-të dhe në të njëjtën kohë të fundit sipas këtij formati. Gjatë këtyre viteve skena e festivalit tonë ka mirëpritur qindra autorë nga e gjithë bota për të lexuar e diskutuar për tema të rëndësishme për shoqëri e kontekste të ndryshme socio-politike. Por, mbi të gjitha, ka krijuar një ambient miqësor të shkëmbimit, shumëllojshmërisë e respektit të ndërsjellë”, shkruhet në komunikatë.

Prej ngjarjeve kryesore do të jetë promovimi i monografisë “Sea of Change: polip – Prishtina International Literature Festival (12 editions in 13 turbulent years 2010-2022)”. Në të përmblidhen 12 edicionet e kaluara të festivalit. Promovimi do të shoqërohet me panel diskutimi me dramaturgun kosovar e themeluesin e “Polip”, Jeton Neziraj, e filozofin e kritikun e artit, Shkëlzen Maliqi, dhe autorët Natasha Troney nga Britania e Madhe, Sasha Iliq e Milosh Zhivanoviq nga Serbia dhe Lucia Genova-Zimmermann nga Zvicra.

me lexime do të vazhdojë edhe të shtunën, ku Shpëtim Selmani, Jeton Neziraj, Saranda Sadikaj, Blerina Rogova-Gaxha, Driton Berisha do të jenë disa prej autorëve pjesëmarrës. Në ditën e fundit të gjithë autorët e librave dhe përkthyesit do të bëhen bashkë në diskutim për “Të ardhmen e ‘Polipit’”. Pasdite do të promovohen librat “Jazra Grozni Khaleed” nga Jazra Khaleed dhe “Shëtitje nëpër Srebrenicë” nga Faruk Shehiq. Për librat do të bisedojnë vetë autorët bashkë me përkthyesit Fadil Bajraj dhe Eleana Zhako.

Organizatorët janë përkujdesur për argëtim me muzikë ku do të performojë Vala Mulliqi në hapje e Art Lokaj në mbyllje të programit, të shoqëruar me bend.

Vitin e kaluar “Polip” kishte pasur për temë “The writer is present”, ku ishte rikthyer fizikisht pas dy edicionesh të organizuara në mënyrë virtuale. Shkrimtarë vendorë e të huaj ishin bërë bashkë në solidarizim me Ukrainën e si ripohim i nevojës së tematizimit të çështjeve që trajton festivali ndërkombëtar i letërsisë. (Besartë Elshani)