Nuk ka të bëjë me besëtyti rreth numrit si edicion i 13-të, por festivali ndërkombëtar i letërsisë “Polip”, në ceremoninë e hapjes të premten mbrëma, ka dhënë shenja të arratisjes nga Prishtina. E prej themelimit ka qenë një lloj arratisjeje nga realiteti i zymtë politik e social, duke ofruar si kontrast dritën e letërsisë, teksa ka promovuar fuqinë e fjalës. Edhe sivjet – deri të dielën – pjesëmarrësit dhe publiku e kanë shansin për njohje me njëri-tjetrin e mbi të gjitha për t’u dritësuar nëpërmjet letërsisë
Është një skenar i pashkruar që ceremonitë e hapjes të jenë të thjeshta, me fjalime të shkurtra, me shumë humor dhe jo pak ironi e sarkazëm. Dhe krejt këto “Polipit” nuk ia humbin seriozitetin. Përkundrazi. Në këso fryme edhe të premten mbrëma në teatrin “Oda” – përherë hapjet janë bërë të premteve – Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë ka nisur edicionin e 13-të. Nuk ka të bëjë me besëtyti rreth numrit, por “Polipi” ka dhënë shenja të arratisjes nga Prishtina, e prej themelimit ka qenë një lloj arratisjeje nga realiteti i zymtë politik e social, duke ofruar si kontrast dritën e letërsisë, teksa ka promovuar fuqinë e fjalës. Me dritën e fanarin ka të bëjë edhe tema e sivjetme e përthekuar në “To the lighthouse”.
Jeton Neziraj, bashkëthemelues i Festivalit, udhëheqës i “Qendrës Multimedia”, ka qenë ai që në humor ka paralajmëruar se ky do të jetë i fundit edicion në Prishtinë. E sigurt është se i fundit do të jetë në këtë format.
Një grumbull i vogël njerëzish në shkallët e jashtme të teatrit “Oda” kanë qenë shenja e parë për në “Polip”. Në korridorin e brendshëm, mbi një tavolinë ka zënë vend revista “Beton”, një element i pandashëm i Festivalit. Aty janë shkrimet e autorëve gati të përhershëm të Festivalit, tashmë miq të tij, si Alida Bremer, Shkëlzen Maliqi, Mehmet Yashin, Millosh Zhivanoviq, Qerim Ondozi, Jazra Khaleed e të tjerë. Në hollin për te salla kryesore, shkrimtarë, studiues, gazetarë, aktorë e artdashës të shumtë janë bërë tok në bashkëbisedim, enda pa u hapur zyrtarisht Festivali. Debatet, diskurset e bashkëbisedimet janë shtyllat qendrore të “Polipit” që prej themelimit.
“Ky është edicioni i fundi i festivalit ‘Polip’. Në fakt nuk është i fundit sepse edicionin e radhës nuk do ta mbajmë në Prishtinë, por në Braunschweig të Gjermanisë, me idenë që në janar ndodh liberalizmi, kështu që shumicën e publikut do t’i kemi atje dhe ne do të shkojmë atje ku është ai. Shihemi në mars 2024 në Braunschweig”, ka thënë ai, teksa ka përshëndetur në disa gjuhë: “Shihemi në Evropë, Auf Wiedersehen, See you in Europe, Segledame vo Evropa”. Shumëgjuhësia është ana e fortë e “Polipit”, që lindi që një platformë e promovimit të diversitetit dhe nismëtarë qenë autorë nga Kosova e Serbia.
Një fjalim paksa më të gjatë para publikut e mbajti shkrimtarja me prejardhje kroate, Alida Bremer, e cila jeton e vepron në Gjermani. Ka thënë se “Polipi” është munduar që të sjellë një tjetër diskurs, t’i japë fuqi fjalës dhe letërsisë.
Prej ngjarjeve kryesore të këtij edicioni do të jetë promovimi i monografisë “Sea of Change: polip – Prishtina International Literature Festival (12 editions in 13 turbulent years 2010–2022)”. Në të përmblidhen 12 edicionet e kaluara të Festivalit. Teksa ka folur për këtë libër, Bremer ka thënë se ai është një dokument shumë i rëndësishëm nëpërmjet të cilit dokumentohet “Polipi” ndër vite.
“Me monografinë ‘Sea of change’ në festivalin “Polip”, Natasha Tripney tashmë ka krijuar një dokument të rëndësishëm. Në këtë edicion të Festivalit ne festojmë këtë botim. Është mbresëlënëse të shohim tërë atë që ‘Polip’ ka arritur dhe prodhuar në vitet e fundi, veçmas nëse krahasoni me gjërat e tjera, si diskutimet në politikë për shembull. Falë këtij libri kuptohet se çka është e mundshme të bëhet nëse ekziston vullneti i mirë”, është shprehur ajo.
Bashkorganizatori nga Serbia, Sasha Illiq, ka thënë se ky edicion do të sjellë aktivitete të shumta.
“Është një kënaqësi e madhe të jem këtu sonte me ju në shfaqjen e fundit të festivalit ‘Polip’. Ne kemi diçka të veçantë për ju: këngë, shaka, poezi dhe gjëra të tjera”, është shprehur ai.
Pas ceremonisë së hapjes, ngjarja vazhdoi me lexime poezish nga autorë, si: Ledia Dushi, Arian Leka e Eleana Zhako nga Shqipëria, gjermani Adrian Kasnitz, Vladimir Arsenijeviq e Milosh Zhivanoviq nga Serbia, Tanja Sljivar nga Bosnjë-Hercegovina e të tjerë.
Në revistën “Beton” është dhënë edhe një historik i shkurtër i këtij festivali tashmë trembëdhjetëvjeçar. Gjithçka kishte nisur me botimin e një antologjie të përbashkët midis “Qendrës Multimedia” dhe “Beton”.
“Trembëdhjetë vjet më parë ndërmjet ‘Qendrës Multimedia’ nga Prishtina dhe ‘Betonit’ nga Beogradi lindi një iniciativë bashkëpunimi. Ky bashkëpunim filloi me botimin e një antologjie të përbashkët të letërsisë bashkëkohore dhe më pas vazhdoi me krijimin e Festivalit Letrar Ndërkombëtar: ‘Polip’, i cili që atëherë mbahet një herë në vit në Prishtinë. Kësaj radhe Festivali do ta festojë edicionin e 13-të, njëherësh edhe edicionin final të formatit të njohur’, është shkruar nga bordi i redaktorëve të revistës “Beton”, Jeton Neziraj, Alida Bremer dhe Sasha Illiq.
Duke pasur parasysh kontekstin politik dhe kulturor të këtyre dy vendeve, “Polip” kishte pasur për qëllim të reflektonte mbi vizionin e tij për të krijuar hapësira për diversitet dhe respekt të ndërsjellë. Këtë e kishin pasur në mendje edhe kur kishin bërë përzgjedhjen e autorëve të ftuar.
“Ne ishim gjithmonë të interesuar të mësonim nga njëri-tjetri përmes shkëmbimeve letrare, përkthimeve dhe leximeve të përbashkëta. Përvoja jonë është lidhur me atë se arti mund t’i shkrijë kufijtë dhe të bashkojë njerëz nga çfarëdo prejardhjeje.
Vitin e kaluar “Polip” kishte pasur për temë “The writer is present”, ku ishte rikthyer fizikisht pas dy edicionesh të organizuara në mënyrë virtuale. Shkrimtarë vendorë e të huaj ishin bërë bashkë në solidarizim me Ukrainën e si ripohim i nevojës së tematizimit të çështjeve që trajton Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë.
Organizatorët kanë shkruar se duan të besojnë që ‘Polipi’ solli dritë për shumë njerëz, “...dhe se rrezet e dritës së përpjekjeve tona ishin të dukshme edhe nga larg, si drita e një fanari në det. ‘Polip’ ishte thirrje për qasje të ndryshme karshi problemeve të pazgjidhura; një thirrje dhe përpjekje për të lexuar dhe njohur njëri-tjetrin”, thuhet ndër të tjera në po këtë shkrim. Edhe sivjet – deri të dielën – pjesëmarrësit dhe publiku e kanë po këtë shans për njohje me njëri-tjetrin e mbi të gjitha për t’u dritësuar nëpërmjet letërsisë.